Udhëheqja parlamentare



E enjte, 19 prill 2012

TAKIMI I KRYETARIT VELJANOSKI ME KRYETARIN E REPUBLIKËS SË SHQIPËRISË, Z. BAMIR TOPI

Marrëdhëniet bilaterale ndërmjet Republikës së Maqedonisë dhe Republikës së Shqipërisë vazhdimisht shënojnë progres, gjë që është në interes për të dy shtetet dhe qytetarët e tyre, si dhe për gjithë rajonin, theksoi kryetari i Kuvendit të Republikës së Maqedonisë, z. Trajko Veljanoski. 

"Parlamentet e të dy shteteve kanë rol të veçantë në marrëdhëniet e zhvilluara bilaterale. Pikërisht për atë, gjatë kohës së vizitës së paradokohshme të kryetares së Parlamentit të Shqipërisë, znj.Jozefina Topalli, u morëm vesh që në të ardhmen ta përforcojmë bashkëpunimin tonë, veçanërisht në sferën e eurointegrimeve", theksoi z. Veljanoski. 

Duke përkujtuar se Republika e Maqedonisë dhe Republika e Shqipërisë bashkërisht dhe suksesshëm e kaluan rrugën e integrimit në NATO, ku Maqedonia u bllokua nga fqinji i saj jugor, kryetari Veljanoski shprehu bindjen se Shqipëria si anëtare e NATO-s do të vazhdojë ta përkrahë Republikën e Maqedonisë në anëtarësimin e saj në NATO në Samitin e ardhshëm në Çikago. 

Sa u përket ngjarjeve tragjike të paradokohshme, kryetari Veljanoski theksoi se ky krim nuk do t'i prish marrëdhëniet ndëretnike dhe ai beson në institucionet të cilat treguan se punojnë shumë seriozisht në zbulimin e autorëve të krimit. 

Kryetari i Republikës së Shqipërisë, z.Bamir Topi, duke shprehur falënderim për takimin, potencoi se Shqipëria pas Samitit në Bukuresht ka shprehur keqardhje për Maqedoninë për mosmarrjen e ftesës për anëtarësim në NATO. 

"Ne edhe më tutje konsiderojmë se Republika e Maqedonisë meriton të jetë anëtare e NATO-s dhe se kjo është mirë si për shtetin tuaj, ashtu edhe për gjithë rajonin", theksoi z. Topi. 

Ai gjithashtu shtoi se me ngjarjet tragjike nuk duhet tani të lejohet që disa grupe radikale nacionaliste t'i prishin marrëdhëniet ndërmjet të gjitha komuniteteve etnike.    

Gjithashtu nënvizoi se Republika e Maqedonisë dhe të gjithë qytetarët e saj meritojnë të jetojnë në paqe dhe harmoni, meqë kjo është e rëndësishme për shtetin, por edhe për gjithë rajonin. Në këtë takim u diskutua edhe për bashkëpunimin ekonomik, me ç'rast të dy palët pohuan se ekzistojnë kushte për bashkëpunimin e tillë, veçanërisht në sferën e infrastrukturës, energjetikës, turizmit. 

Click