Udhëheqja parlamentare



E mërkurë, 6 mars 2013, Indi                                                                                                    

DITA E DYTË E VIZITËS ZYRTARE TË DELEGACIONIT TË KUVENDIT TË REPUBLIKËS SË MAQEDONISË TË UDHËHEQUR NGA KRYETARI, Z.TRAJKO VELJANOSKI, NË INDI

Kryetari i Kuvendit të Republikës së Maqedonisë, z.Trajko Veljanoski, në kuadër të vizitës zyrtare në Indi, u takua me kryetaren e Dhomës së ulët të Parlamentit të Indisë, znj.Mira Kumar. Në fillim të këtij takimi të përzemërt dhe miqësor të dyja palët potencuan rëndësinë e madhe historike të vizitës së delegacionit maqedonas në Indi.  

Kryetarja Kumar theksoi se lidhjen e këtyre dy shteteve e bën demokracia, sundimi i së drejtës dhe të drejtat e njeriut, të cilave India u kushton vëmendje të madhe që nga pavarësia e saj. 

Lidhur me çështjet ndërkombëtare, ajo theksoi se India ashpërisht e kundërshton financimin e terrorizmit. Ajo gjithashtu përmendi se këmbimi tregtar ndërmjet Indisë dhe Maqedonisë nuk është në nivel të mjaftueshëm, duke sugjeruar se ka potencial të madh për bashkëpunim dhe se nevojitet që ky bashkëpunim të zhvillohet më shumë. 

Ajo i përshëndeti reformat ekonomike në Republikën e Maqedonisë dhe shfaqi shpresë se Maqedonia në një të ardhme të afërt do të bëhet anëtare e Bashkimit Evropian. 

Kryetarja e Dhomës së ulët, znj.Kumar, u angazhua për thellimin e bashkëpunimit ekonomik dhe nxitjen e investimeve, si dhe për bashkëpunimin e mëtutjeshëm në sferën e shëndetësisë, kulturës, arsimit, duke theksuar se Qeveria e Indisë ka siguruar dhjetë bursa për studentët e Maqedonisë për t'i ndjekur studimet në Indi në sferën e sektorit të teknologjisë informatike (sektori IT). 

Kryetari Veljanoski në fjalimin e tij shprehu kënaqësi për takimin dhe mikpritjen e popullit të Indisë, për mundësinë e realizimit të takimit në nivel më të lartë parlamentar dhe për zhvillimin e marrëdhënieve bilaterale në nivel më të lartë. 

Ai theksoi se takimi është mundësi për thellimin e bashkëpunimit parlamentar të të dy shteteve, duke shprehur interes për përforcimin e bashkëpunimit përmes raporteve të drejtpërdrejta ndërmjet të dy parlamenteve dhe se diplomacia parlamentare ka rëndësi të madhe në botën bashkëkohore. 

Në këtë aspekt, z.Veljanoski nënvizoi se pas kthimit nga India do të angazhohet menjëherë për formimin e grupit parlamentar për miqësi dhe bashkëpunim me Indinë. 

Në takimin, kryetari Veljanoski theksoi interesin dhe angazhimet e Republikës së Maqedonisë për zmadhimin e investimeve indiane, njëkohësisht duke potencuar kushtet e volitshme për investime.  

Ai potencoi se anëtarësimi i Republikës së Maqedonisë në Bashkimin Evropian hap mundësi për të qenë urë ekonomike me vendet evropiane. 

Kryetari Veljanoski shprehu falënderim për përdorimin principiel të emrit kushtetues nga ana e Indisë, duke shfaqur shpresë se së shpejti do të pranohet zyrtarisht Republika e Maqedonisë me emrin e saj kushtetues. 

Lidhur me çështjet ndërkombëtare, z.Veljanoski theksoi se Republika e Maqedonisë është faktor aktiv në koalicionin ndërkombëtar kundër terrorizmit, me ç'rast plotësisht i përkrahu gjykimet e bashkëfolësit lidhur me terrorizmin e financuar shtetëror dhe të gjitha rezolutat ndërkombëtare kundër terrorizmi. 

Lidhur me përkrahjen dhe bashkëpunimin e ndërsjellë në korniza ndërkombëtare, z.Veljanoski e përcolli përkrahjen e Maqedonisë për kandidaturën e Indisë për anëtare e përhershme e Këshillit të Sigurisë të KB-së. Ai shprehu bindjen se nëse India vazhdon me intensitetin e tillë të zhvillimit ekonomik, do të numërohet si një ndër shtetet më të fuqishme ekonomike në botë. 

Në fund të takimit, kryetari Veljanoski i bëri ftesë me shkrim nikoqires së tij për vizitë kthyese në Republikën e Maqedonisë. 

Në takimin të dy palët nënvizuan rëndësinë e veprës së madhe misionare të Nënë Terezës si ind lidhës që lidh dy shtetet miqësore si në aspekt kulturor, ashtu edhe në çdo aspekt tjetër të lidhjes. 

Gjatë pjesëmarrjes në mbledhjet e Dhomës së lartë dhe të ulët të Parlamentit të Indisë, kryetari Veljanoski dhe delegacioni maqedonas u vendosën në lozhë speciale afër vendit të kryetares, të cilët në pajtim me protokollin për mysafirët më të lartë shtetëror, zyrtarisht u përshëndetën nga kryetarja Kumar si dhe nga gjithë parlamenti me përshëndetjen tradicionale me trokitje të disahershme të duarve mbi bankat e deputetëve.     

Në kuadër të vizitës në Indi dhe në Parlamentin e Indisë, kryetari Veljanoski dha intervistë për Kanalin e Parlamentit të Indisë, i cili ka një numër të madh shikuesish, diku prej rreth 600 milion shikuesish - qytetarë të Indisë. 

Gazetarët e Indisë u interesuan për më shumë çështje, për çështje historike si dhe për atë aktuale, lidhur me të kaluarën tonë më të largët, zhvillimin e shtetit nga pavarësia e këndej, kontestin e imponuar nga ana e Greqisë për çështjen e emrit, marrëdhëniet fqinjësore, si dhe bashkëpunimin ekonomik dhe kulturor ndërmjet të dy vendeve, dhe interesin e kompanive të Indisë për investime në Republikën e Maqedonisë.

Në fund të ditës së sotme të vizitës, delegacioni maqedonas u takua me kryetarin dhe anëtarët e Komisionit për Punë të Jashtme. Në takimin u shtjelluan shumë çështje, e veçanërisht çështja e avancimit të bashkëpunimit ndërkombëtar ndërmjet të dy vendeve, si dhe çështja e mekanizmave për nxitjen e bashkëpunimit aktiv parlamentar dhe ekonomik. 

Ditën paraprake, kryetari i Kuvendit, z.Veljanoski u takua me nënkryetarin e Indisë, z.Mohamad Hamid Ansari, i cili njëkohësisht është edhe kryetar i Dhomës së lartë të Parlamentit të Indisë (Raxha Saba). Ne takimin morën pjesë 12 senatorë të Dhomës së lartë të Parlamentit të Indisë. 

Delegacioni i udhëhequr nga kryetari Veljanoski, gjithashtu, u takua me ministren shtetërore e Punëve të Jashtme, znj.Print Kor, e cila shprehu kënaqësi të veçantë që në Indi vjen delegacion i nivelit më të lartë shtetëror pas vizitës së saj të paradokohshme në Republikën e Maqedonisë. 

Në të dy takimet u diskutua për bashkëpunimin ndërkombëtar dhe përkrahjen në nivel ndërkombëtar, veçanërisht në Kombet e Bashkuara, për zhvillimin e bashkëpunimit ekonomik, për investimet që mund të priten në periudhën e ardhshme, si dhe për përfaqësimin e grave në politikë. 

Në takimet, kryetari Veljanoski u përqendrua në zhvillimin e proceseve eurointegruese nëpërmjet të cilave kalon Republika e Maqedonisë, potencoi rendësin e madhe e diplomacisë parlamentare në ndërtimin e marrëdhënieve ndërkombëtare, si dhe rendësin e bashkëpunimit ekonomik bilateral ndërmjet të dy shteteve duke marrë parasysh dinamikën e rritjes ekonomike të Indisë dhe rendësin e Indisë edhe në korniza botërorë por edhe si partner strategjik i BE-së.

Delegacioni i Kuvendit i udhëhequr nga kryetari Veljanoski vendosi kurorë me lule në Qendrën Përkujtimore në Mahatma Gandi.  

Click