Udhëheqja parlamentare



E martë, 26 mars 2013

KRYETARI VELJANOSKI E MIRËPRITI DELEGACIONIN E DUMËS SHTETËRORE TË FEDERATËS RUSE

Në fillim të takimit, kryetari i Kuvendit të Republikës së Maqedonisë, z.Trajko Veljanoski, e theksoi vazhdimësinë dhe tendencën zhvillimore pozitive të marrëdhënieve bilaterale ndërmjet Republikës së Maqedonisë dhe Federatës Ruse.   Ai theksoi se në Kuvendin e Republikës së Maqedonisë ekziston grup parlamentar për miqësi dhe bashkëpunim, kryetar i të cilit është Ivan Stoilkoviq dhe shprehu bindje se nga takimi i sotëm bashkëpunimi parlamentar do të fillojë të thellohet dhe të zhvillohet në mënyrë më dinamike. 

Kryetari Veljanoski shprehu falënderim ndaj Federatës Ruse e cila vazhdimisht e përkrah Republikën e Maqedonisë për emrin e saj kushtetues, integritetin dhe sovranitetin e saj territorial.  

Në aspekt të bashkëpunimit ekonomik, Federata Ruse është partner i rëndësishëm tregtar dhe është në 10 vendet e para me të cilat Republika e Maqedonisë ka vëllim më të madh të këmbimit tregtar. Në atë drejtim shprehu bindje se së shpejti do të realizohen edhe investime tjera nga kompanitë ruse, si dhe se do të intensifikohet dhe zgjerohet edhe bashkëpunimi turistik. 

Lidhur me proceset eurointegruese, kryetari Veljanoski shprehu falënderim ndaj Federatës Ruse për respektimin e vendimit të Republikës së Maqedonisë për integrim në NATO, si vendim sovran i shtetit. Njëkohësisht u falënderua edhe për qëndrimet principiele të Federatës Ruse lidhur me kontestin e emrit me Greqinë. 

Z.Aleksandar Ballberov, shef i Delegacionit, shprehu falënderim në takimin e sotëm, duke potencuar se marrëdhëniet diplomatike njëzet vjeçare janë dëshmi për raportin e sinqertë miqësor ndërmjet të dy shteteve. 

Ai njëkohësisht përmendi edhe njëherë përkrahjen që ia ofrojnë Republikës së Maqedonisë lidhur me kontestin e emrit me Greqinë, duke nënvizuar se politikën për këtë problem e përcakton populli dhe zgjidhja qëndron te populli. 

Lidhur me bashkëpunimin ekonomik, shprehu bindjen se kompanitë ruse edhe në të ardhmen do të vazhdojnë me bashkëpunim me Republikën e Maqedonisë, duke u falënderuar për klimën e mirë ekonomike.  

Në fund, të dy palët shprehën bindje se në të ardhmen marrëdhëniet bilaterale ndërmjet Republikës së Maqedonisë dhe Federatës Ruse do ta ruajnë nivelin e lartë të miqësisë dhe mirëkuptimit dhe do të vazhdojnë së zhvilluari në mënyrën më të mirë. 

Click