Udhëheqja parlamentare

E premte, 16 tetor 2015, Budapest, Hungari 

FJALIMI I KRYETARIT VELJANOSKI NË KONFERENCËN E 7-TË  TË KRYETARËVE TË PARLAMENTEVE TË VENDEVE TË BALLKANIT PERËNDIMOR, ME TEMË: "SFIDAT AKTUALE TË SIGURISË NË EVROPËN JUGLINDORE - ZGJIDHJET E MUNDSHME" 

Të nderuar kolegë,
Zonja dhe zotërinj, 
Gjendja aktuale në nivel global, krimi i organizuar, terrorizmi, idetë ende të pranishme për shtete të mëdha nacionale, bllokada irracionale siç ishte ajo e paradokohshmja ndërmjet Republikës së Kroacisë dhe Republikës së Serbisë, ndërsa për bllokadën e shtetit tim nga fqinji jonë jugor që zgjat 24 vite nuk duhet përsëri të përkujtoj, gjithë këto sipas meje janë sfidat më të mëdha të sigurisë me të cilat ballafaqohemi në rajon, por edhe më gjerë. 

Gjithsesi momentalisht për rajonin, por edhe për Evropën në tërësi, sfida më e madhe e sigurisë është kriza e refugjatëve e cila vjen nga Lindja e Afërt (Siria, Iraku, Afganistani) edhe disa shtete që janë përfshirë me konfliktin luftarak.  Sipas të dhënave deri më tani në Evropë kanë ardhur 600 mijë refugjatë.  Organet e Republikës së Maqedonisë deri më tani kanë regjistruar mbi 200 mijë refugjatë që vijnë nga Greqia dhe të cilat përmes Republikës së Maqedonisë kanë transituar drejt Perëndimit.   Të gjithë ato nga ana e organeve tanë i kanë marrë dokumentet e nevojshme që i imponon e drejta ndërkombëtare.  Shumica e tyre te ne hyjnë pa kurrfarë dokumenti edhe pse kanë kaluar përmes shtetit anëtar të BE-së.  Është fakt se destinacioni i tyre i dëshiruar është para se gjithash Gjermania dhe disa shtete tjera të Evropës perëndimore. 

Si tu jepet përgjigje këtyre sfidave, si t'u ofrohet ndihmë këtyre njerëzve të cilët zori, përkatësisht lufta për ekzistencë i ka detyruar në një golgotë të tillë.  Të përkujtoj se nëpër Maqedoni deri më tani kanë transituar mbi 10 për qind refugjatë të numrit të përgjithshëm të banorëve.  Besoni që të ballafaqohemi me të gjithë këto njerëz duhet organizim, njohuri, duhet logjistikë permanente dhe gjithsesi duhen mjete.  Meqë ra fjala, BE-ja para do kohe ndau 17 milionë euro për Republikën e Maqedonisë dhe Republikën e Serbisë si ndihmë për krizën e refugjatëve.  Besoj se të gjithë do të pajtoheni se kjo shumë thënë më së miri e nënvlerëson problemin të cilin Republika e Maqedonisë, si dhe Republika e Serbisë e hasin çdo ditë, duke u ballafaquar me valë e vërtetë e refugjatëve.   

Të nderuar miq, 

Solidariteti, e me atë edhe humaniteti janë vlera civilizuese universale.  Nuk duhet të përkujtoj se BE-ja bazohet pikërisht mbi principin e solidaritetit.  Por, njëkohësisht të gjithë ne kemi për obligim edhe në kuadër të shteteve tona, por edhe në nivel të Evropës të mbrohemi nga të gjitha sfidat e sigurisë të cilat janë të lidhura drejtpërdrejt ose tërthorazi me krizën e refugjatëve.  Të përkujtoj se para do kohe edhe kancelari i Gjermanisë, znj. Merkel deklaroi se të gjithë ne doemos duhet t'i ruajmë kufijtë evropianë.  Gjithsesi për këtë nevojitet bashkëpunim i përbashkët, para se gjithash këmbim i informatave të institucioneve kompetente që janë të lidhura me sfida të sigurisë, përkatësisht sigurim të sistemit të lartë të kësaj vale të refugjatëve e cila me sa duket do të vazhdojë.  Njëkohësisht, komuniteti ndërkombëtar doemos duhet të vazhdojë të ndihmojë në gjetjen e zgjidhjes për paqe në shtetet prej nga vijnë refugjatët, gjë që është parakusht që këto njerëz të kenë jetë normale në shtetet e tyre. 

Gjithsesi kjo krizë e refugjatëve është shkaktuar drejtpërdrejtë nga aktivitetet e të ashtuquajturit Shteti Islamik, përkatësisht nga radikalizmi islam i cili realisht nuk ka asgjë të përbashkët me islamin si religjion.  Duhet të kihet parasysh se në radhët e luftëtarëve të Shtetit Islamik ka qytetarë nga rajoni, por edhe më gjerë nga shumë shtete evropianë.  Nuk duhet që njeriu të jetë ekspert që të dijë se këto njerëz nesër mund të paraqesin kërcënim serioz për sigurinë e çdo shteti evropian. 

Republika e Maqedonisë dhe institucionet dhe organet kompetente me përgjegjësi u janë përkushtuar pikërisht këtyre çështjeve dhe sfidave.  Mes tjerash, u miratua Ligj në bazë të të cilit pjesëmarrja e qytetarëve tanë në formacione luftarake ose paraluftarake të shteteve tjera ose rekrutimi i luftëtarëve për këto dedikime konsiderohet si vepër e rëndë penale.  Të përkujtoj se para do kohe te ne kishim incident serioz me një grup të tillë terrorist dhe atë në qytetin e Kumanovës.  Forcat tona të sigurisë, edhe pse bëhej fjalë për lagje me popullsi të dendur, arritën ta neutralizojnë gjithë grupin pa vuajtur asnjë civil, por fatkeqësisht kishim humbje nga radhët e forcave tona të sigurisë.  E përmend këtë për faktin se disa nga pjesëtarët e këtij grupi kanë qenë të lidhur ngushtë me radikalizmin islam dhe kanë marrë pjesë në luftërat në Siri në anën e Shtetit Islamik.    

Dhe përsëri shtrohet pyetje çfarë është bashkëpunimi ndërmjet shteteve, e në ato korniza i strukturave të sigurisë, pikërisht për këto çështje.  Besoj se ne jemi të vetëdijshëm se ky lloj i terrorizmit radikal nuk bën dallim as në bazë të përkatësisë etnike, as në bazë të përkatësisë fetare.  Qëllimi i tij kryesor është përhapja e frikës dhe krijimi i pasigurisë te qytetarët.  Andaj, cilido veprim terrorist në një shtet nuk është vetëm kërcënim për sigurinë e tij, nuk krijon frikë dhe pasiguri vetëm te qytetarët e tij, por ka ndikim negativ, si në rajon, ashtu edhe më gjerë.  Prandaj integrimi i Republikës së Maqedonisë në NATO të cilin e merituam që në Samitin në Bukuresh, nuk është vetëm benefit për sigurinë e shtetit tim dhe qytetarëve tanë, por edhe për gjithë rajonin, përkatësisht për gjithë Evropën.  Të përkujtoj se Armata e Republikës së Maqedonisë pa dallim të bllokadës së anëtarësisë sonë në Aleancën, mori pjesë aktive në shumë misione ndërkombëtare për paqe dhe stabilitet në shtete të caktuara, siç ishte pjesëmarrja jonë në Irak.  Sot Republika e Maqedonisë ka dërguar pjesëtarë të Armatës në misionet paqësore në Afganistan, Bosnjë e Hercegovinë etj. 

Zonja dhe zotërinj, 

Globalizimi si proces krahas benefiteve të shumta sjell edhe rreziqe të caktuara të sigurisë.  Krimi i organizuar di me shumë shkathtësi të përshtatet dhe t'i keqpërdorë këto procese globale.  Më tutje, gjithnjë më shumë bëhet aktual sajber terrorizmi, i cili për momentin ndoshta nuk është aq i pranishëm në rajon dhe në Evropë. Mendoj se nuk mund që një shtet vetë t'u përgjigjet të gjithë këtyre sfidave të sigurisë.  Prandaj nevojitet bashkëpunim ndërmjet të gjitha shteteve nga rajoni, por edhe në nivel të Evropës.  Prandaj nevojitet që procesi i integrimit të shteteve nga Evropa Juglindore në Bashkimin Evropian dhe NATO të vazhdojë pa pasur bllokada absurde.  "I tërë është kur ka gjithçka" - shpesh dëgjojmë nga shumë politikanë.  Eja të gjithë bashkërisht që atë tërësi ta rrumbullakojmë të jetë me të vërtetë e bukur.  Ta bëjmë Evropën shumë më të fuqishme, nuk mendoj në aspektin ushtarak, por me vlerat e saj të demokracisë, të respektimit të të drejtave të njeriut, me diversitetin e saj, por megjithatë kulturë e përbashkët evropiane, me potencial të vet ekonomik, por edhe me kreativitetin, që ka bërë hapa gjigante para në civilizimin botëror.  Besoj se për një Evropë të tillë kanë ëndërruar Shumani, Çerçili, De Goli dhe shumë kolosë tjerë të Evropës së sotme. Prej nesh varet nëse do ta realizojmë këtë dhe do të tejkalojmë disa paragjykime, stereotipa ose egoizma të vjetra, që fatkeqësisht ende janë të pranishëm. 

Ju faleminderit për vëmendjen. 

Click