E premte, 16 tetor 2015, Budapest, Hungari
FJALIMI I KRYETARIT VELJANOSKI NË KONFERENCËN E 7-TË TË KRYETARËVE TË PARLAMENTEVE TË VENDEVE TË BALLKANIT PERËNDIMOR, ME TEMË: "EVROPA JUGLINDORE NË RRUGËN DREJT BE-SË"
I nderuar kryesues, të nderuar kolegë,
Zonja dhe zotërinj,
Në fillim dëshiroj të shpreh falënderim ndaj nikoqirit tonë, z. Llasllo Kover, kryetar i Asamblesë Nacionale të Hungarisë, për këtë takim të sërishëm këtu në Budapest. Njëkohësisht, dëshiroj ta theksoj politikën parimore dhe mbështetjen të cilën Hungaria e jep kur bëhet fjalë për integrimin tonë të plotë në BE dhe NATO.
Të nderuar miq,
Sot, për të gjithë ne këtu të pranishëm, integrimi në BE është përcaktim strategjik.
Njëkohësisht, së paku kur bëhet fjalë për vendin tim, Republika e Maqedonisë, jemi të vetëdijshëm se anëtarësimi në BE nuk paraqet kurrfarë dhurate, por kjo para se gjithash kërkon realizim konsekuent të një serie reformash që i përfshijnë të gjitha sferat e jetës shoqërore-politike dhe ekonomike, përkatësisht, pranim të plotë të parimeve evropiane dhe standardeve evropiane mbi të cilat bazohet BE-ja.
Gjithsesi, dinamika e pranimit të tyre dhe implementimi i tyre varet nga çdo shtet veç e veç, e me atë edhe dinamika e përafrimit të saj, përkatësisht asocimi në BE.
Megjithatë, dëshiroj të përqendrohem në disa parime dhe standarde të cilat mund bashkërisht t'i realizojmë, e kjo para se gjithash është bashkëpunimi në nivel rajonal i cili i përfshin të gjitha sferat, duke filluar nga ajo politike, ekonomike, kulturore, ekologjike e gjer te kontaktet dhe komunikimi i përditshëm i qytetarëve tanë. Të mos harrojmë se çfarë ndodh në rajon në periudhën e kaluar, kur të gjithë ballafaqohemi me valën e refugjatëve nga Lindja e Afërt, bashkëpunimi rajonal sot është me rëndësi të veçantë. Jam i bindur se të gjithë në rajon jemi të vetëdijshëm se vetëm përmes dialogut mund t'i tejkalojmë edhe kontestet bilaterale dhe mospajtimet. Me respekt dhe bashkëpunim të ndërsjellë t'u përgjigjemi sfidave të cilat ndoshta janë edhe pjesë e kontributeve të globalizimit, e me të do të mund të sigurojmë perspektivë evropiane për gjithë rajonin.
Prandaj, Maqedonia në tërësi e mbështet dialogun dhe negociatat, ndërmjet Beogradit dhe Prishtinës të cilat zhvillohen nën patronazhin e BE-së, ndërsa gjithashtu i përshëndet hapat konkrete të qeverive në Beograd dhe Tiranë për normalizimin e plotë të marrëdhënieve të tyre, gjë që gjithsesi ndikon pozitivisht në gjithë rajonin.
Vetëm të përkujtoj se bashkëpunimi në nivel të rajonit ka edhe korniza institucionale, e kjo është Iniciativa e Evropës Qendrore si organizatë më e vjetër dhe gjithsesi këtu është edhe Asambleja Parlamentare e Procesit për Bashkëpunim në Evropën Juglindore. Prandaj, dëshiroj të theksoj se procesi për bashkëpunim në Evropën Juglindore sot u shndërrua në zë autentik të rajonit dhe është pranuar si forum adekuat dhe dinamik për dialog dhe bashkëpunim.
Gjithë kjo ka rol kryesor në transformimin e plotë të rajonit nga ajo thënia e njohur "Fuqi me barut" në zonë paqeje, stabiliteti, solidariteti dhe me bashkëpunim të mirë fqinjësor. E të mos harrojmë se stabiliteti dhe paqja në rajon do të thotë stabilitet dhe paqe në Evropë dhe më gjerë.
Zonja dhe zotërinj,
Republika e Maqedonisë në këto procese të bashkëpunimit rajonal ka dhënë dhe jep një kontribut të madh. Njëkohësisht, duke u nisur nga përcaktimi ynë për anëtarësim në BE dhe NATO, punojmë në mënyrë intensive në reformat e nevojshme, përkatësisht në harmonizimin e plotë me parimet dhe direktivat evropiane. Vërtetimi për të vjen nga Brukseli, përkatësisht nga Komisioni Evropian, i cili gjashtë vjet me radhë Republikës së Maqedonisë i jep rekomandim për marrjen e datës për fillimin e negociatave me Bashkimin Evropian për anëtarësim të plotë. Për fat të keq, fqinji ynë jugor duke e keqpërdorur pozitën e vet të anëtarit të plotë, e bllokon procesin e anëtarësimit tonë në Bashkimin Evropian, përkatësisht vazhdimisht na përsëritet Bukureshti, kur në Samitin e NATO-s, Republika e Maqedonisë ishte e bllokuar nga Republika e Greqisë dhe nuk u bë anëtare e plotë e Aleancës së bashku me Kroacinë dhe Shqipërinë, edhe pse i përmbushëm të gjitha kushtet. Me këtë një anëtare e Bashkimit Evropian, anëtare e NATO-s dhe anëtare e Kombeve të Bashkuara, në mënyrë permanente i shkel parimet themelore të Bashkimit Evropian, i shkel parimet e NATO-s dhe parimet që dalin prej dokumenteve të Kombeve të Bashkuara. Madje shkohet deri aty të mos respektohet edhe aktgjykimi i Gjykatës Ndërkombëtare të Hagës që është pjesë e Kombeve të Bashkuara, me të cilën në mënyrë mjaft decide dhe të qartë është thënë se Greqia i shkel dokumentet dhe parimet ndërkombëtare me bllokadën e saj ndaj shtetit tim, Republikës së Maqedonisë.
Si rrjedhojë, besoni se është mjaft vështirë t'u sqarohet qytetarëve te ne se si është e mundur, dikush vetëm që është anëtare e Bashkimit Evropian, t'i shkel parimet dhe standardet pikërisht të Bashkimit Evropian dhe të mos i respektojë obligimet ndërkombëtare. Besoni se kjo ndikon në mënyrë frustuese në tërë shoqërinë e Maqedonisë, dhe jam i bindur se disa probleme dhe ngjarje te ne që arrijmë, para se gjithash, vetë, por edhe me ndihmën e miqve tanë të BE-së t'i zgjidhim, nuk do të ndodhnin nëse Republika e Maqedonisë sot ishte anëtare e plotë e NATO-s dhe nëse qysh para gjashtë vitesh merrnim datë për fillimin e negociatave me Bashkimin Evropian. Në Republikën e Maqedonisë ekziston konsensus i plotë politik për anëtarësimin tonë në Bashkimin Evropian dhe përmbushjen e obligimeve tona, e ajo që është më me rëndësi, më tepër se tetëdhjetë përqind e popullsisë e mbështet përcaktimin tonë strategjik.
Të nderuar kolegë,
Ardhmëria e Republikës së Maqedonisë, por besoj edhe e rajonit, përkatësisht e Evropës Juglindore, është integrimi në Bashkimin Evropian. Dua të besoj se edhe te të gjitha anëtaret e Bashkimit Evropian sundon caktimi i politikës së dyerve të hapura, përkatësisht asocimi i plotë i shteteve të rajonit si anëtare të plota të Bashkimit Evropian. Republika e Maqedonisë pret nga institucionet e Bashkimit Evropian në mënyrë konsekuente t'i respektojnë parimet dhe kushtet për pranimin e anëtareve të reja në familjen evropiane, e këto janë të ashtuquajturat Kriteret e Kopenhagës. Gjithsesi kjo nuk ka të bëjë vetëm me shtetin tim, por edhe të gjitha aspirantëve për anëtarësim në Bashkimin Evropian. Për këtë, me të drejtë presim që Brukseli pikërisht në bazë të këtyre kritereve ta vlerësoj përparimin e secilit shtet në veçanti.
Pres që të pushojnë bllokadat e paargumentuara apo vendosja e disa kushteve shtesë që janë jashtë Kritereve të Kopenhagës dhe në përgjithësi jashtë parimeve të Bashkimit Evropian dhe të drejtës ndërkombëtare. Nuk guxon marrëdhëniet bilaterale, çështjet apo kontestet dhe dallimet e imponuara bilaterale të jenë shkaku i vetëm për bllokadën apo për përparimin e cilitdo shtet në procesin e bashkëngjitjes në Bashkimin Evropian. Edhe më tutje, nëse Komisioni Evropian gjashtë herë me radhë jep rekomandim për fillimin e negociatave, përkatësisht hapjen e kapitujve, kurse një shtet anëtar ka vënë veto. Sinqerisht shpresoj se Bashkimi Evropian do të ketë forcë edhe ta tejkalojë këtë në kornizat e institucioneve të veta. Gjithashtu, sinqerisht shpresoj se fqinji ynë jugor do të fillojë në mënyrë esenciale të negociojë për kontestin absurd rreth emrit tonë kushtetues të imponuar para 24 vitesh, dhe sinqerisht dua që shtetet tjera të rajonit aspirantë për anëtarësim në Bashkimin Evropian të mos kenë probleme të tilla me të cilat ballafaqohet Republika e Maqedonisë në rrugën e saj për anëtarësim në Bashkimin Evropian. Njëkohësisht, dua këtu edhe një herë të theksoj se Republika e Maqedonisë mbetet e përkushtuar në përcaktimin e saj strategjik për anëtarësim në Bashkimin Evropian dhe në NATO Aleancën dhe se do të vazhdojë me reformat dhe harmonizimet e nevojshme me parimet dhe direktivat evropiane. Gjithashtu, edhe më tutje në mënyrë aktive do të marrë pjesë në të gjitha proceset e bashkëpunimit rajonal në Evropën Juglindore. Në këtë frymë, e duke i pasur parasysh strategjitë makro-rajonale të Bashkimit Evropian, apeloj te institucionet, por edhe te shtetet anëtare, ta ftojnë Republikën e Maqedonisë që plotësisht të integrohet edhe në Strategjitë e Adriatikut dhe Jonit, por edhe në Strategjitë e Danubit, si hap i mëtejshëm në efektivitetin e strategjive dhe bashkëpunimit makro-rajonal.
Ju falënderoj për vëmendjen.