Udhëheqja parlamentare

E hënë, 15 dhjetor 2014

U nënshkrua Amendament i Memorandumit për mirëkuptim ndërmjet Kuvendit të Republikës së Maqedonisë dhe Këshillit federal zviceran 

Kryetari i Kuvendit te Republikës së Maqedonisë, z. Trajko Veljanoski, sot, bashkë me ambasadorin e Konfederatës zvicerane në Republikën e Maqedonisë, z. Stefano Llazaroto, nënshkruan Amendament të Memorandumit për mirëkuptim ndërmjet Kuvendit të Republikës së Maqedonisë dhe Këshillit federal zviceran, në lidhje me bashkëpunimin në projektin "Mbështetje për themelimin dhe zhvillimin e Institutit Parlamentar" dhe me atë e vazhduan bashkëpunimin në këtë projekt të përbashkët.  

Instituti parlamentar është njësi e veçantë organizuese në kuadër të Kuvendit të Republikës së Maqedonisë me mision për përforcimin e rolit mbikëqyrës dhe legjislativ të Kuvendit. Qëllimi i tij është përcaktuar me nenin 42 të "Ligjit për Kuvendin e Republikës së Maqedonisë". Instituti Parlamentar është qendër hulumtuese e cila deputetëve u siguron hulumtime dhe analiza profesionale për ushtrimin e funksionit deputet. 
Pas nënshkrimit të Memorandumit, kryetari Veljanoski dhe ambasadori Llazaroto dhanë deklarata për mediat. 

Në vazhdim jua përcjellim deklaratën e kryetarit të Kuvendit të Republikës së Maqedonisë, z. Trajko Veljanoski:

I nderuari ambasador Llazaroto,
Të nderuar anëtarë të Këshillit Drejtues,
Përfaqësues të nderuar të mjeteve për informim publik,
Zonja dhe zotërinj, 

Sot me kënaqësi të madhe e vazhdojmë bashkëpunimin e suksesshëm me partnerin tonë, Ambasadën e Zvicrës në Republikën e Maqedonisë, për zhvillim të mëtutjeshëm të kapaciteteve të Institutit Parlamentar të Kuvendit të Republikës së Maqedonisë. 

Gjegjësisht, me nënshkrimin e këtij Amendamenti të Memorandumit për mirëkuptim ndërmjet Kuvendit të Republikës së Maqedonisë dhe Këshillit federal zviceran, në lidhje me bashkëpunimin në projektin "Mbështetje për themelimin dhe zhvillimin e Institutit parlamentar", do ta vazhdojmë bashkëpunimin në tre vitet e ardhshme me çka do të vazhdojmë të punojmë në zhvillimin e mëtutjeshëm të kapacitetit tonë parlamentar. 

Për atë qëllim, tre vitet e ardhshme të këtij projekti fokusi do të orientohet në përsosjen e shërbimeve për hulumtim, bibliotekë dhe arkiv ndërsa veçanërisht do t'i kushtohet vëmendje përforcimit institucional të Institutit Parlamentar. 

Është kënaqësi të vazhdojmë me punë të përbashkët në këtë projekt, mbi të gjitha, Instituti Parlamentar i Kuvendit të Republikës së Maqedonisë tregoi rezultate të suksesshme që në fillim të punës së tij. Në këto muaj suksesshëm siguron analiza të përgjithshme objektive dhe komparative, si dhe qasje në bibliotekën hulumtuese e sistematizuar në mënyrë adekuate për nevojat e deputetëve, grupeve parlamentare, trupave punues të Kuvendit dhe të punësuarve të tij. Nëpunësit shtetëror të punësuar në Institutin parlamentar vazhdimisht ndjekin trajnime për përmirësimin e njohurive dhe shkathtësive të tyre, me çka janë të përgatitur që në kohë t'u përgjigjen kërkesave dhe nevojave për përpunim të analizave dhe hulumtimeve. 

Puna dhe përkushtimi ynë i përbashkët katër vitet e kaluara treguan rezultat, u krijua një sistem funksional në të cilin ia vlen të vazhdojmë me përpjekjet për përmirësimin dhe përsosjen e tij.

Dëshiroj ta shpreh edhe bindjen time personale se Instituti Parlamentar në vitet që vijojnë do t'i përgjigjet në tërësi detyrës së tij dhe qëllimit të ekzistimit.

Në fund dëshiroj ta falënderoj Ambasadën e Zvicrës në Republikën e Maqedonisë dhe të gjithë pjesëmarrësit në procesin që kontribuan për fillimin dhe funksionimin e suksesshëm të këtij projekti.

Ju faleminderit.  

Click