Aktivitetet

E martë, 27 mars 2018

DEBAT PUBLIK PËR PROPOZIM-LIGJIN PËR NDRYSHIMIN DHE PLOTËSIMIN E LIGJIT PËR SHËRBIME MEDIATIKE AUDIO DHE AUDIOVIZUALE

Komisioni për Çështje Evropiane i Kuvendit të Republikës së Maqedonisë, me të cilin kryesoi kryetari i Komisionit, z. Artan Grubi, mbajti debat publik me temë: Propozim-ligji për ndryshimin dhe plotësimin e ligjit për shërbime audio dhe audiovizuale mediatike.

Fjalime hyrëse për temën kishin kryetari i Komisionit, z. Artan Grubi, ministri i Shoqërisë Informatike dhe Administratës, z.  Damjan Mançevski dhe ministri pa portofol i ngarkuar për komunikime, llogaridhënie dhe transparencë, z. Robert Popovski, të cilët informuan për rrjedhën e procedurës për miratimin e ndryshimeve të reja ligjore.

Në atë kontekst, u theksua se është bërë konsultim i gjerë me mediat, organizatat civile dhe të gjitha palët e prekura, duke filluar nga debati i parë më 14 korrik vitin e kaluar, pas të cilit ka pasuar edhe një debat, si dhe një sërë konsultimesh tjera me palët e interesuara. Ministri Mançevski theksoi se ministria kompetente, në tekstin i ka futur edhe komentet e marrë në Regjistrin e vetëm elektronik nacional (RVEN), si dhe komentet e marrë nga Komisioni Evropian dhe Zyra e OSBE-së.

Kryetari i Komisioni, z. Grubi, në lidhje me ndryshimet dhe plotësimet e propozuara të Ligjit për shërbime mediatike audio dhe audiovizuale, i cili është në procedurë të Kuvendit, i përshëndeti risitë e paralajmëruara, me ç'rast sqaroi se esenca e këtij debati publik është më e thellë dhe ka të bëjë me gjendjen në mediumet në Republikën e Maqedonisë, në aspekt të pavarësisë dhe profesionalizmit të tyre, lirisë së të shprehurit në shtet. Për rëndësinë e rregullimit të kësaj sfere, theksoi se flet edhe fakti që gjendja me mediat në vend ishte një prej prioriteteve në "Prioritetet urgjente të reformës për Republikën e Maqedonisë", me vështrim në katër nënpikat dhe atë:  servisi radiodifuziv publik, reklamimi qeveritar, qasja në informatat dhe çështja për shpifjen.

Në diskutimin morën pjesë deputetët Lidija Taseva dhe Maja Moraçanin si dhe Zoran Trajçevski, Goran Tërpenovski, Dejan Georgievski, Bllagoj Hristovski, Ivan Mirçevski, Klime Babunski, Llazo Petrushevski, Smillka Janeska-Sarkanjac, Bllagoj Hristov, Dragan Sekullovski, Zoran Fidanovski, Cvetan Çilimanov, Mishko Ivanov, Sllavica Arsova, Harun Ibrahimi, Emin Azemi dhe Naser Selmani.

Në debatin në përgjithësi u mbështet nevoja për rregullimin e kësaj sfere, me ç'rast u theksuan edhe vërejtje të caktuara, para së gjithash në lidhje me:  të vërtetën e mjeteve të propozuara financiare për Radiotelevizionin e Maqedonisë, e cila si servis publik është pjesë kryesore e reformave mediatike, pastaj për ndryshimin në mënyrën e propozimit dhe zgjedhjes së anëtarëve të Këshillit programor të RTM-së, ndryshimet në kushtet për kandidat për drejtor dhe zëvendësdrejtor i RTM-së, në lidhje me përvojën e kërkuar minimum 8 vjet në sferën e mediave, komunikologjisë, komunikimeve me opinionin dhe udhëheqjes, si dhe për mënyrën e zgjedhjes së anëtarëve në Agjencinë për shërbime mediatike audio dhe audiovizuale etj.

Në fjalimin e vet përfundimtar, ministri Mançevski ceku se ministria kompetente do t'i marrë parasysh të gjitha propozimet që u dhanë në debatin publik, me ç'rast inicioi të organizohen edhe debate tjera publike për këtë ligj, me qëllim që të arrihen zgjidhje adekuate të cilat do të jenë në interes të informimit publik të qytetarëve, ndërsa ministri Popovski konkludoi se i vlerëson të gjitha sugjerimet, propozimet dhe vërejtjet e dhënë, sepse inkluziviteti në përgatitjen e këtij teksti ligjor është me rëndësi të veçantë, para së gjithash nevoja për konsensus politik për zgjidhjet ligjore për rregullimin e sferës mediatike në RM.

Në fund të debatit, Komisioni për Çështje Evropiane e miratoi konkluzionin me të cilin u propozua që vërejtjet nga debati publik të shqyrtohen në leximet e mëtutjeshme të ligjit.

Në debatin publik u ftuan dhe morën pjesë deputetët, si dhe përfaqësuesit e mediave, sektorit joqeveritar dhe korit diplomatik. 

Click