Aktivitetet

E enjte, 17 tetor 2019

DEBATI ME TEMË: "SI TA BËJMË QË PUNA E PARLAMENTEVE TË JETË MË E ARRITSHME PËR PERSONAT ME AFTËSI TË KUFIZUARA: PRAKTIKAT MË TË MIRA"

Sekretarja e Përgjithshme e Kuvendit të Republikës së Maqedonisë së Veriut, Cvetanka Ivanova, merr pjesë në Mbledhjen e Shoqatës së Sekretarëve të Përgjithshëm të Parlamenteve (SHSPP), që mbahet në kuadër të Asamblesë së 141-të të Unionit Interparlamentar (13-17 tetor 2019 në Beograd, Republika e Serbisë).

Në Mbledhjen e SHSPP-së u diskutua, ndër të tjera, për transparencën e parlamenteve, rëndësinë e trajnimeve në përforcimin e kapacitetit të parlamenteve, metodat për mbikëqyrjen e zbatimit të ligjeve, imunitetin e parlamentarëve, kulturën parlamentare, sfidat dhe mundësitë për parlamentet në lidhje me rritjen e demokracisë pjesëmarrëse dhe të drejtpërdrejtë, etj.

Sekretarja e Përgjithshme, Cvetanka Ivanova, mori pjesë në debatin e përgjithshëm me temë "Si ta bëjmë që puna e parlamenteve të jetë me e arritshme për personat me aftësi të kufizuara: praktikat më të mira". Ajo informoi se në maj 2003, në Parlamentin e Maqedonisë ishte formuar Grupi Parlamentar Ndërpartiak për Personat me Aftësi të Kufizuara (GPNP), si një model i ri përmes të cilit personat me aftësi të kufizuara mund të veprojnë me sukses dhe ta përcjellin porosinë dhe nevojat e tyre në pushtetin ekzekutiv. Në mandatin e ri të deputetëve, GPNP-ja ishte ristrukturuar për herë të shtatë, ndërsa në Grupin ka 48 deputetë të përfshirë në mënyrë aktive të cilët janë të përkushtuar në mbrojtjen e të drejtave dhe dinjitetit të personave me aftësi të kufizuara. Ivanova theksoi se në gjashtëmbëdhjetë vitet e ekzistencës së GPNP-së është krijuar një masë kritike e njerëzve që janë të gatshëm t'i përfaqësojnë ndryshimet në rregullativën ligjore në këtë fushë, por edhe të vetëdijes së publikut. Ajo informoi për miratimin e Deklaratës për të Drejtat e Personave me Aftësi të Kufizuara, me detyrime konkrete si për Kuvendin ashtu edhe për Qeverinë e Republikës së Maqedonisë së Veriut, si dhe për ligjet e shumta që i përfshijnë standardet për barazimin e të drejtave të këtyre personave, të miratuara dhe të ndryshuara me iniciativën e GPNP-së. Në të njëjtën kohë, Ivanova theksoi se në pajtim me Konventën për të Drejtat e Personave me Aftësi të Kufizuara, të ratifikuar nga Kuvendi, çështja e aftësisë së kufizuar nënkupton përfshirjen në të gjitha nivelet dhe në të gjitha fazat nga aktorët e përfshirë në krijimin e asaj politike.

Sekretarja e Përgjithshme iu referua disa shembujve pozitivë në Kuvendin e Republikës së Maqedonisë së Veriut: janë ndërtuar rampa hyrëse për qasje të papenguar për personat me invaliditet trupor, ndërsa në rrjedhë është përshtatja e një pjese të sallave meplatforma adekuate të qasjes; Kushtetuta dhe materiali edukativ për Kuvendin janë përkthyer në letrën e Brait, ndërsa audio regjistrimi për to është publikuar në faqen e internetit; janë hartuar posterët me gjuhën e shenjave me disa fjalë kryesore që lidhen me parlamentin dhe këto shfrytëzohen gjatë ditëve të hapura në Kuvend; në Kanalin e Kuvendit transmetohen videot edukative për Kuvendin me interpretues të zërit etj. Ajo theksoi se GPNP-ja vazhdon të jetë përfaqësuesi kryesor i personave me aftësi të kufizuara me qëllim të përmbushjes së parimit "Asgjë për ne, pa ne".

Në kuadër të Mbledhjes së SHSPP-së, Sekretarja e Përgjithshme, Cvetanka Ivanova, realizoi takim bilateral me Sekretarin e Përgjithshëm të Kuvendit Kombëtare të Republikës së Serbisë, Sërxhan Smiljaniq, dhe Zëvendëssekretarin e Përgjithshëm, Branko Marinkoviq. Në takim, u shkëmbyen përvojat për funksionimin e të dyja kuvendeve, si dhe për procedurën dhe praktikën parlamentare. Sekretarët e Përgjithshëm i shqyrtuan mundësitë për bashkëpunimin e ardhshëm ndërparlamentar, veçanërisht në fushën e hartimit të planeve strategjike, modernizimin e shërbimeve, digjitalizimin e dokumenteve dhe procedurave, sigurinë e TI-së, pavarësinë e parlamenteve nga këndvështrimi financiar, administrativ dhe i sigurisë, etj. Në takim u bë fjalë edhe për iniciativën për formimin e Rrjetit të Sekretarëve të Përgjithshëm të Parlamenteve në rajon, me qëllim të bashkëpunimit më të ngushtë dhe shkëmbimit të praktikave të mira. Shoqata e Sekretarëve të Përgjithshëm të Parlamenteve është trup konsultativ i Unionit Interparlamentar, në të cilin anëtarësohen sekretarët e parlamenteve - anëtare të UIP-së. Në mbledhjet e Shoqatës së Sekretarëve të Përgjithshëm, të cilat zhvillohen paralelisht me asambletë e rregullta të UIP-së, shkëmbehen mendimet për çështjet profesionale të punës së parlamenteve, me ç'rast anëtarët e Shoqatës përpilojnë raporte dhe fjalime mbi tema të caktuara dhe diskutojnë mbi to. 

Click