Aktivitetet

E mërkurë, 17 janar 2018

Fjala e kryetarit Xhaferi në Akademinë solemne me rastin e Shënimit të 550-vjetorit të vdekjes së Gjergj Kastrioti - Skënderbeut 

Zonja dhe zotëri, 
Shkëlqesi, 
Të nderuar kolegë deputetë, 
Të nderuara mediume,
Të nderuar të pranishëm 

"Unë jam mik i virtytit, e jo i fatit", kjo është thënie nga letra e Gjergj Kastriot Skënderbeut drejtuar mbretit  napolitan Ferdinand. E citoj këtë thënie të të madhit Skënderbe, për shkak se në esencë, e reflekton pikërisht karakterin e tij dhe sistemin e tij të vlerave që e përshkon tërë jetën e tij. Siç është e ditur, në ditën e sotme, para 550 viteve, në moshën 62vjeçare ndërron jetë nga malaria në Lezhë. Me këtë rast, me Akademinë e sotme solemne dhe me promovimin e pullës postare me fytyrën e Skënderbeut, në Republikën e Maqedonisë fillojnë manifestime të ndryshme të përkushtuara për të madhin Gjergj Kastrioti Skënderbeun. Manifestime të këtilla dhe të ngjashme do të zhvillohen gjithashtu edhe në Republikën e Shqipërisë dhe në Republikën e Kosovës. Respektivisht, ky vit i është përkushtuar të madhit Gjergj Kastriot Skënderbeut, i cili në esencë është themelues i Shtetit feudal shqiptar. Në të njëjtën kohë, duke i pasur parasysh edhe situatat e atëhershme historike, ai është mbrojtësi i fundit para pushtimit otoman në Evropë. 

Zonja dhe zotëri, 

Nëse vetëm në mënyrë sipërfaqësore shihen faktet historike të ndërlidhura me Gjergj Kastriotin, pa dallim se ai është feudal shqiptar, idetë e tij, angazhimet e tij dhe gjithsesi, lufta e tij për liri dhe fitoret ushtarake kundër ushtrisë otomane, kanë shumë elemente të asaj që sot për të gjithë ne është ideal dhe përcaktim strategjik, dhe kjo është Evropa e bashkuar. Gjegjësisht, ai, në mënyrë të vendosur është angazhuar për bashkimin e të gjitha principatave ballkanike, mirëpo, në bashkëpunim me të tjerët, siç është Dubrovniku, Venediku dhe Napoli në mbrojtje të Ballkanit, dhe me këtë edhe të Evropës, para depërtimit të ushtrisë otomane. Këto fakte historike janë konfirmuar nëpërmjet kërkimeve të shumta shkencore dhe punimet përkatëse shkencore të një sërë emrave me autoritet të shkencës historiane të pothuajse gjithë shteteve evropiane. Gjithashtu, karakteristike për fytyrën dhe veprën e Skënderbeut është fakti se ai ka qenë frymëzim për shumë vepra letrare, piktura dhe vepra arti. Më lejoni të përmend se fytyra e Skënderbeut gjen vend në veprat e Vivaldit, mandej në veprat e poetit të madh anglez, Lord Gordon Bajron, piktorët e famshëm francez Delakroa, Montenj dhe shumë të tjerë. Vetëm t'ju rikujtoj në të dhënën se në Romë, moti ekziston përmendore e Gjergj Kastriot Skënderbeut, me ç'rast edhe njëherë konfirmohet roli dhe kontributi i tij historik në atë që sot e emërojmë si Evropa e bashkuar. Dëshiroj ta përmend edhe mendimtarin dhe filozofin e madh evropian Volter, i cili ka shënuar, citoj: "Nëse mbretërit bizantin ishin si Skënderbeu, Mbretëria Lindore do të ishte shpëtuar".

Të nderuar miq, 

Fytyra dhe vepra e Gjergj Kastrioti - Skënderbeut është ngushtë e lidhur edhe me të gjithë ne që sot jetojmë në hapësirën e Republikës së Maqedonisë, respektivisht, me synimet shekullore dhe luftën e popullit shqiptar dhe maqedonas për liri dhe pavarësi. Mos harrojmë se poeti i madh maqedonas, Grigor Përliçev, ka shkruar poemë në gjuhën greke e cila quhet Skënderbe, e cila në vitin 1961 është përshtatur dhe botuar në gjuhën maqedonase. Skënderbeu, gjen vend edhe në përmbledhjet e Kuzman Shapkarovit, si edhe në Përmbledhjen e këngëve popullore të vëllezërve Milladinov, të botuar në vitin 1861 në Zagreb.

Gjegjësisht, siç ka thënë poeti i madh bashkëkohor maqedonas, eseisti, historiani dhe akademiku Gane Todorovski, "Skënderbeu është hero historik pozitiv në memorien historike maqedonase. Prandaj sot, kur në nivel të rajonit, si edhe në çdo shtet veçmas ballafaqohemi me sfida të ndryshme, nëse doni edhe mosmarrëveshje, pikërisht kujtimi për Skënderbeun dhe trashëgiminë e tij historike dhe civilizuese duhet të na bashkojë. 

Dhe, të kthehem përsëri te i madhi Gane Todorovski, i cili në ekspozenë e tij me rastin e 600 vjetorit të lindjes së Skënderbeut, në ASHAM, për të do të thotë, citoj: "Skënderbeu i madh, Skënderbeu i përjetshëm, është syri i Perëndisë i cili e ruan paqen në Ballkan. Ndërsa përgjegjësi e të gjithë neve që jetojmë këtu në Ballkan, është që atë paqe ta mbindërtojmë, ta përhapim dhe të gjithë të inkorporohemi në Evropën e bashkuar. Dhe, pikërisht kjo do të jetë shprehje e vërtetë e respektit tonë, por edhe mënyrë për ta treguar virtytshmërinë tonë ndaj fytyrës dhe veprës së Gjergj Kastrioti Skënderbeut. 

Ju faleminderit për vëmendjen! 

Click