Aktivitetet

E mërkurë, 5 shkurt 2020

Fjalimi i Kryetarit Xhaferi në Evenimentin solemn për fillimin me punë të Zyrës Buxhetore Parlamentare në Kuvend

Të nderuar nënkryetarë të Kuvendit,
Të nderuar kolegë deputetë, 
E nderuar sekretare e përgjithshme Ivanova, 
E nderuar ambasadore Gallovej, 
I nderuar drejtor i Vestminster Fondacionit për Demokraci, z. Smit,
Të nderuar shkëlqesi dhe miq të Kuvendit të Republikës së Maqedonisë së Veriut, 
Të nderuar mediume, 
Zonja dhe zotëri, 

Jam i kënaqur që sot kam nderin në emrin tim personal dhe në emër të deputetëve në Kuvendin e Republikës së Maqedonisë së Veriut të përshëndes këtë eveniment solemn me të cilin e shënojmë hapjen e Zyrës Buxhetore Parlamentare, produkt i bashkëpunimit të frytshëm ndërmjet Kuvendit të Republikës së Maqedonisë së Veriut dhe Vestminster Fondacionit për Demokraci, trup i financuar nga Qeveria e Britanisë së Madhe, mik shumëvjeçar i parlamenteve të vendeve në zhvillim, me dhënien e mbështetjes gjatë vendosjes së demokracisë shumëpartiake efektive ndërsa konkretisht, Zyra Buxhetore Parlamentare është formuar përmes programit "Nismë për demokraci të Ballkanit Perëndimor", dhe si rezultat i angazhimeve dhe rekomandimeve që i miratuam të gjithë ne që merrnim pjesë në konferencën që u mbajt në Villton Park, Britania e Madhe në shkurt të vitit 2018.

Formimi i një trupi të këtillë ishte edhe një nga rekomandimet kryesore të "Raportit për vlerësimin e praktikave të mbikëqyrjes financiare në Kuvendin e Republikës së Maqedonisë së Veriut", i përpiluar me mbështetjen e ekspertëve nga Parlamenti i Skocisë dhe duke vepruar sipas këtyre rekomandimeve, në dhjetor të vitit 2018 nënshkruam Memorandum për marrëveshje me Ambasadën Britanike dhe Vestminster Fondacionin për Demokraci. Formuam Këshill Drejtues dhe ishim në vizitë pune në zyrat buxhetore të parlamenteve të Skocisë dhe Serbisë, me qëllim që të shohim se cili është modeli më i mirë dhe më i përshtatshëm për zbatim te ne. Kështu, në shtator të vitit 2019, Këshilli Drejtues mori Vendim për themelimin e Zyrës Buxhetore Parlamentare (ZBP) në kuadër të Shërbimit të Kuvendit, zyrë e cila është përcaktuar me ligj si njësi e veçantë organizative - seksion në kuadër të Shërbimit të dhomës sonë ligjvënëse, qendër analitike e cila prej sot do të shërbejë për avancimin e mbikëqyrjes financiare parlamentare nëpërmjet përpilimit të analizave profesionale financiare dhe buxhetore për nevojat e deputetëve dhe trupave punues. Jam krenar për arsye se kjo zyrë, është edhe një gur i përforcimit të pavarësisë së dhomës ligjvënëse dhe përmbushjes së rolit ligjvënës dhe mbikëqyrës të përcaktuar me Kushtetutë të Kuvendit të Republikës së Maqedonisë së Veriut.

Misioni i Zyrës Parlamentare Buxhetore është që përmes analizave në kohë, neutrale dhe objektive që do i sigurojë për deputetët dhe për shërbimin e Kuvendit, me ç'rast do të udhëhiqet nga parimi i profesionalizmit, objektivitetit, besueshmërisë dhe transparencës, të kontribuojë për përgatitjen e deputetëve për debat për propozim tekstet e fushës financiare a që janë në procedurë parlamentare, mirëpo edhe për kuptim më të mirë dhe përmbushje të obligimit të kryerjes së kontrollit mbi atë se si pushteti ekzekutiv i harxhon këto mjete, krahas asaj që deputetët i përcaktojnë tatimet me anë të cilave shteti i grumbullon mjetet nga qytetarët dhe i definojnë mënyrat se si janë shpërndarë mjetet përmes miratimit të Buxhetit. Në punën e vet, Zyra do të bashkëpunojë ngushtë dhe  do e ndjekë punën e Komisionit për Financa dhe Buxhet, Këshillit Buxhetor dhe trupave tjerë punues në Kuvend dhe do të përpilojë analiza dhe pasqyra statistikore makroekonomike për nevojat e tyre. 

Të nderuar kolegë, 

Dëshiroj të falënderoj Qeverinë e Britanisë së Madhe, Vestminster Fondacionin për Demokraci dhe Ambasadën Britanike për përkushtimin  dhe mbështetjen e tyre në demokratizimin e partive politike dhe përmirësimin e politikave që reflektohen drejtpërdrejtë në përditshmërinë e qytetarëve të rëndomtë dhe rritjen e cilësisë së jetës së tyre. Jam i bindur se këto katër të ri të punësuar në Zyrën Buxhetore Parlamentare edhe si e kuptojnë rëndësinë dhe seriozitetin e detyrës së tyre të punës dhe dëshiroj ti vërtetoj se dyert tona do të jenë gjithmonë hapur për to për çfarëdo dileme në të cilën do të hasin gjatë punës së vet. Jam i vetëdijshëm se vijnë nga profile të ndryshme, nga institucione tjera dhe kompani të dëshmuara, mirëpo, jam po ashtu i bindur se detyrat që janë para tyre, sfida me të cilën ballafaqohen kur do e mbërthejnë këtë punë të përgjegjshme, vetëm do të kontribuojë në avancimin dhe mbindërtimin e tyre më të madh profesional, ndërsa me kalimin e kohës edhe në përsosjen e tyre. Të nderuar kolegë deputetë, dëshiroj t'ju inkurajoj ti shfrytëzoni sa më shumë që mundet resurset që i posedon kjo zyrë, ti zbatoni në praktikë dhe në favor të shpërndarjes së mençur dhe të arsyeshme të financave nga Buxheti i shtetit..E shfrytëzoj këtë rast që në emrin tim personal dhe në emër të kolegëve deputetë të uroj fillim dhe funksionim të suksesshëm të Zyrës Buxhetore Parlamentare në Kuvend. 

Ju faleminderit për vëmendjen!


Click