Aktivitetet

E premte, 7 korrik 2017

Fjalimi i Kryetarit Xhaferi në Festivalin e 56-të Ballkanik të këngëve dhe valleve popullore 

Zonja dhe zotëri,
Deputetë të nderuar,
I nderuar ministër i nderuar Kryetar i komunës së Ohrit, 
Shkëlqesi, Të nderuar pjesëmarrës në festival, 
Miq të dashur, dashamirë të këngës dhe valles popullore,

Këtu sonte, bashkë me ju, kemi ardhur për ta hapur këtë manifestim të mrekullueshëm, Festivalin e 56-të Ballkanik të këngëve dhe valleve popullore. Ky kremtim madhështor i folklorit, i cili është më i vjetri i këtij lloji në këto treva, i përfaqëson dhe i afirmon në mënyrë të suksesshme trashëgiminë kulturore dhe arritjet e vendeve dhe popujve prej ku edhe vijnë pjesëmarrësit në 56 vitet e kaluara.

Tingëllon impozante, megjithatë, është fakt se në këtë festival, deri tani kanë marrë pjesë mbi pesëdhjetëmijë këngëtarë, valltarë dhe instrumentalistë nga vendet nga të gjitha kontinentet siç është Maqedonia, Shqipëria, Serbia, Bullgaria, Greqia, Franca, Holanda, Gjermania, deri në ansamble nga Australia, SHBA-të, Kanadaja, Malajzia, Meksika, Kostarika, Nigeria dhe të tjera të cilat vallen dhe këngën e vetë magjike e kanë ndërthurur me magjinë e këtij qyteti të mrekullueshëm antik të Ohrit, kuptohet edhe me angazhimin e palodhshëm të të punësuarve në Qendrën e Kulturës "Grigor Prliçev", të cilët janë struktura organizative e këtij evenimenti.

Miq të nderuar,

Sot, muzika, folklori dhe vallet janë kategori civilizuese universale, respektivisht pjesë e trashëgimisë kulturore botërore. Megjithatë, në të njëjtën kohë, ato përfaqësojnë edhe elemente të rëndësishme që e definojnë, ruajnë dhe zhvillojnë identitetin kombëtar. Vlera të cilat paraardhësit tanë me shekuj prapa kanë arritur ti ruajnë, zhvillojnë dhe transferojnë te gjeneratat më të reja, si pjesë e identitetit tonë kombëtar dhe kulturor.

Mysafirë të nderuar,

Nëpërmjet këngës popullore dhe folklorit, popujt në rajonin tonë  e kanë shprehur gëzimin, mallëngjimin, ndjenjat e fshehta, respektivisht e kanë hapur shpirtin e vet. Vallë, a mund të jetë njeri indiferent ndaj valles së famshme "Teshkoto", muzika dhe vallja e së cilës janë mishëruar në identitetin e popullit maqedonas? Vallë, a mund ti rezistojë dikush vallëzimit me koketeri të djaloshit të ri dhe vashës së re në "Shotën" e famshme? Ose po sirtakit të njohur? Po vallë, a nuk e ndjejmë të gjithë pasionin me të cilin vallëzohet? Karakteristikja për rajonin tonë Ballkanik dhe për popujt ballkanikë është ajo se gjithmonë, në mënyrë të qartë, të sinqertë dhe pa mëdyshje janë respektuar folklori dhe muzika e të tjerëve, e të ndryshmëve dhe këtë e vërtetojmë edhe sonte, me anë të këtij manifestimit tonë folklorik, së bashku me të gjithë pesëdhjetëmijë pjesëmarrësit të cilët kanë lënë gjurmët e veta gjatë këtyre 56 viteve të mbajtjes së Festivalit ballkanik të këngëve dhe valleve popullore.

Dhe tani, u uroj të gjithë pjesëmarrësve qëndrim të këndshëm në Ohrin tonë, qëndrim përplot çaste të bukura me këngë dhe valle të varguara si gjerdan margaritarësh, me besim dhe shpresë se kur të kthehen në vendet e veta, me vete të marrin edhe një pjesë të pasurisë së pafund shpirtërore të Ohrit dhe të Republikës së Maqedonisë.

Me këto mendime fisnike, miq të nderuar, më lejoni që Festivalin e 56-të Ballkanik të këngëve dhe valleve popullore ta shpall të hapur.

Ju faleminderit.

Click