Aktivitetet

E hënë, 22 prill 2019

Fjalimi i Kryetarit Xhaferi në trajnimin për " Masat për promovimin e Kodit etik dhe ngritjen e vetëdijes për përmbajtjen e tij", të organizuar nga Komisioni për Çështjet e Rregullores Mandatit dhe Imunitetit të Kuvendit të Republikës së Maqedonisë së Veriut

I nderuar z. Sukramanian, 
Të nderuar kolegë, 
Ambasador Timonie, 
Zonja dhe zotëri,

Në veprimin tonë, kuptuar në kuptimin më të gjerë të fjalës, vetëm etika respektivisht moraliteti e bëjnë jetën tonë të bukur dhe dinjitoze. Sipas meje, ky mendim i Albert Ajnshtajnit duhet gjithmonë të jetë pikënisja e çdo individi. Por, në zhvillimin e deritanishëm  civilizues, kjo nuk është kështu. Prandaj, kemi norma dhe vlera morale dhe etike të cilat janë shndërruar në ligj, në kodekse dhe akte tjera me të cilat rregullohet funksionimi dhe sjellja e çdo individi në sferën publike por edhe në atë private, a gjithashtu rregullohet edhe funksionimi i shtetit, respektivisht institucioneve.

Kolegë të nderuar,

Kuvendi i Republikës së Maqedonisë së Veriut në vitin 2018 e nxori Kodin etik për deputetët ndërsa në shkurt të këtij viti bëmë edhe ndryshime dhe plotësime të caktuara. Me këtë, si Kuvend i përmbushëm rekomandimet e Këshillit të Evropës, më saktë rekomandimet e GREKO-s dhe njëkohësisht siguruam kornizë ligjore e cila do të jetë bazë e mirë për sjelljen etike të deputetëve në Kuvend, a në të njëjtën kohë të parandalohet edhe konflikti i interesit publik dhe privat i deputetëve gjatë mandatit të tyre. Me këtë kodeks, Republika e Maqedonisë së Veriut hyn në atë, tani për tani grup të vogël të shteteve evropiane të cilat kanë nxjerrë Kodeks për sjelljen etike, gjegjësisht parime etike të kodifikuara dhe rregulla deontologjike të cilat e tejkalojnë kornizën e rreptë të rregullave ligjore. Në nxjerrjen e Kodeksit, i cili në fakt është publik dhe në dispozicion në ueb faqen e Kuvendit, kishim mbështetje të madhe nga miqtë tanë ndërkombëtarë, sidomos nga profesori i respektuar Ferdinand Melen - Sukramanien, deontolog i dikurshëm në Asamblenë Nacionale të Francës.

T'ju rikujtoj se në maj të vitit të kaluar, para se ta miratojmë Kodin tonë etik, kishim një panel diskutim për këtë temë. Atëherë theksova se, që të jetë dhoma ligjvënëse funksionale,  a para së gjithash në dobi të qytetarit si individ dhe shoqëri në tërësi, nevojitet vendosje e normave etike, standardeve dhe rregullave të cilat do të bëhen përditshmëria jonë, pa dallim  nëse jemi në pushtet apo opozitë. Këto do të jenë vlera me të cilat  do e arsyetojmë besimin që na e kanë dhënë qytetarët. Ky ishte hapi i parë që e bëmë. Panel diskutimi i sotëm, më saktë, trajnimi ka për qëllim përcaktimin e "Masave për promovimin e Kodit etik dhe për ngritjen e vetëdijes për përmbajtjen e tij". Mendoj se pikërisht kjo është edhe esenca dhe qëllimi, për arsye se bëhet fjalë për atë se si Kodi etik të bëhet pjesë e kulturës sonë politike. Ky nuk është vetëm një proces i cili përfundohet me trajnimin e sotëm por, do të duhet të zhvillohet dhe mbindërtohet në mënyrë permanente. Gjithsesi, përveç deputetëve, për këtë proces do të duhet të jetë e përfshirë edhe administrata e Kuvendit. Në këtë mënyrë, jo vetëm që do e rrisim besimin e qytetarëve në ne si deputetë që na kanë zgjedhur por, e përforcojmë edhe besimin në dhomën ligjvënëse. A mendoj se, të gjithë do të pajtohemi se pikërisht Kuvendi si institucion, me funksionin e vet ligjvënës, mbikëqyrës dhe përfaqësues është themeli i demokracisë parlamentare.

Të nderuar kolegë dhe miq,

Gjithë këtë unë e shoh edhe në një kontekst më të gjerë, gjegjësisht kjo paraqet pjesë përbërëse të ardhmërisë sonë euroatlantike. E dini se është në rrjedhë ratifikimi i protokollit për anëtarësimin tonë të plotfuqishëm në NATO në parlamentet nacionale të shteteve anëtare. Është reale edhe pritja jonë për marrjen e datës për fillimin e negociatave me Bashkimin Evropian për anëtarësimin tonë të plotfuqishëm.

Në këto procese të integrimit, respektimi i përpiktë i normave etike dhe morale nga ana jonë, e deputetëve, pa dallim nëse jemi nga pushteti apo opozita, gjithsesi se do të ndikojë shumë pozitivisht mbi ato procese integruese. Në të njëjtën kohë, në këtë mënyrë ne do e japim edhe kontributin tonë edhe për ardhmërinë euroatlantike të gjithë rajonit. Respektivisht, konflikti i interesit publik me atë privat dhe korrupsioni nuk njohin as kufij shtetëror as përkatësi partiake apo etnike.

Duke i marrë parasysh të gjithë këto aspekte, atëherë është qartë se miratimi i Kodit etik dhe zbatimi i tij konsekuent është proces të cilin doemos ta udhëheqim në mënyrë cilësore dhe, jo vetëm ne të kësaj përbërjeje legjislative por të gjitha gjeneratat e ardhshme. Respektivisht, normat morale dhe etike nuk janë kategori statike, ato vazhdimisht zhvillohen dhe plotësohen. Ne nga kjo përbërje mandatare që i bëmë hapat e para, kemi mundësi ti njoftojmë dhe ti shfrytëzojmë përvojat e parlamenteve tjera, që gjithsesi është përparësia jonë. Për çdo rast, besoj se kjo përbërje parlamentare, dhe këtu mendoj për përbërjen  e përgjithshme, shumicën dhe opozitën, kemi kapacitet dhe vullnet të ballafaqohemi edhe me këtë sfidë, të vetëdijshëm se respektimi i normave dhe parimeve etike dhe morale është diçka për të cilën nuk fitohet shpërblim dhe dekorata, por është detyra jonë. Dhe, të rikthehem në hyrjen time dhe në mendimin e Ajnshtajnit, besoj se të gjithë ne, gjegjësisht çdo njeri dëshiron të jeton në mënyrë të denjë, a kjo është e mundur vetëm nëpërmjet respektimit dhe zbatimit të normave dhe parimeve etike dhe morale.

Ju faleminderit për vëmendjen! 

Click