Aktivitetet

E martë, 8 tetor 2019

Fjalimi i Kryetarit Xhaferi në Tryezën e Rrumbullakët me temë:“Përvojat dhe sfidat nga zbatimi i Ligjit për parandalim të korrupsionit dhe konfliktit të interesave“

E nderuara kryetare e Komisionit Shtetëror për Parandalim të Korrupsionit, znj. Ivanovska,
I nderuar zëvendëskryetar i Qeverisë së Republikës së Maqedonisë së Veriut, z. Osmani,
I nderuar ministër, Popovski,
I nderuar profesor, Çepreganov,
Të nderuar zonja dhe zotërinj, të pranishëm këtu në punëtorinë e sotme për përpilimin e Strategjisë Nacionale për Parandalimin e Korrupsionit dhe Konfliktit të Interesave.

Kam nderin të jem pjesë e kësaj punëtorie, në të cilën ju inkurajoj dhe besoj se do të jap rezultat në lidhje me krijimin e Strategjisë Nacionale. Shpresoj që me fjalimin tim hyrës do të kontribuoj në punën tuaj, veçanërisht për një temë kaq të rëndësishme siç është korrupsioni, përkatësisht lufta kundër korrupsionit. E vendosur me vite të tëra si njëra nga dobësitë kryesore të shoqërisë sonë, korrupsioni mund të konstatohet se është kancer i funksionimit të shëndetshëm të një shteti. Raporti i fundit i Komisionit Evropian për Maqedoninë e Veriut vë në dukje një përparim të mirë nëpërmjet konsolidimit të evidencës në hetimin, ndjekjen penale dhe përpjekjen për të zgjidhur rastet e korrupsionit të nivelit të lartë, si dhe përmes ndryshimeve në legjislacion. Jam i kënaqur me Ligjin e ri për parandalimin e korrupsionit dhe konfliktit të interesave sepse qëllimi kryesor i tij ishte përforcimi i rolit dhe pavarësisë së Komisionit Shtetëror dhe në përgjithësi përforcimi i kornizës ligjore dhe institucionale të antikorrupsionit dhe arritja e parandalimit më efikas dhe luftës kundër korrupsionit. Ligji i rregullon masat dhe aktivitetet për parandalimin e korrupsionit gjatë ushtrimit të pushtetit, autorizimet publike, detyrën zyrtare dhe politikën, masat dhe aktivitetet për parandalimin e konfliktit të interesave, masat dhe aktivitetet për parandalimin e korrupsionit në kryerjen e punëve me interes publik të personave juridikë lidhur me ushtrimin e autorizimeve publike, si dhe mënyrën e përballjes nga ana e KSHPK-së. Ajo që ishte veçanërisht e rëndësishme për mua ishte se ligji kishte për qëllim krijimin e komisionit të përbërë nga njerëz me integritet profesional dhe personal. Mendoj se kjo u konfirmua nga mënyra se si u bë përzgjedhja e përbërjes së Komisionit në Kuvendin e Republikës së Maqedonisë së Veriut. Procesi i përzgjedhjes ka qenë transparent dhe objektiv dhe tregoi rezultate, dhe shpresoj se ngadalë do të ndryshohen edhe standardet për përzgjedhjen e anëtarëve të trupave dhe institucioneve ku profesionalizmi dhe integriteti do të jenë vendimtar. 

Në gusht 2018, trupi kundër korrupsionit i Këshillit të Evropës - GREKO në lidhje me Maqedoninë e Veriut konkludoi se zbatoi në mënyrë të kënaqshme vetëm gjashtë nga nëntëmbëdhjetë rekomandimet e përmbajtura në Raportin e Evalvimit të rrethit të katërt, duke arritur në përfundimin e përgjithshëm se rezultatet nuk ishin të mira. Një përjashtim pozitiv ishte vërejtur në Kuvend në lidhje me Kodin Etik për sjelljen e deputetëve. Njëri nga rekomandimet ishte që veprimet e organeve shtetërore duhet të ishin më vendimtare. Ndryshimi pozitiv është i dukshëm vetëm edhe pas një viti. Ende ka shumë punë për të bërë, përballja me korrupsionin nuk është proces që përfundon me disa muaj punë. Ai është proces që kërkon punë serioze nga ana e të gjitha organeve shtetërore, duke punuar me transparencën dhe përgjegjshmërinë maksimale por mbi të gjitha, do të thosha se është pjesa më e vështirë e punës, është ndryshimi i vetëdijes sikurse të funksionarëve dhe administratës, ashtu edhe të qytetarëve. Komisioni do të theksoj se e luan njërin nga rolet kryesore në udhëheqjen e proceseve. Komisioni Evropian vuri në dukje në raportin e tij se korniza e re juridike për parandalimin e korrupsionit është përmirësuar dhe emërimi i anëtarëve të rinj të Komisionit Shtetëror për Parandalimin e Korrupsionit është shumë më transparent se sa në vitet e kaluara. Kuvendi do të votojë buxhetin drejtpërdrejt, e jo përmes Ministrisë së Financave, për të përforcuar autonominë financiare të Komisionit. Që do të thotë se kemi bazë të mirë, të gjithë duhet të punojmë së bashku në drejtim të zbatimit. Në drejtim të përmirësimit të luftës kundër korrupsionit janë edhe ligjet e tjera që e formojnë kornizën ligjore, këto janë Ligji për lobim, Ligji për qasje të lirë te informatat me karakter publik, Ligji për financim të partive politike dhe Ligji për mbrojtjen e denoncuesve.  

Në lidhje me denoncuesit, do të dëshiroj të shpreh inkurajim për secilin që mendon se duhet të paraqes veprim që është i kundërligjshëm, i palejueshëm ose në çfarëdo mënyre që rrezikon interesin publik. Si shtet që përpiqet të ndërtojë shoqëri demokratike, duhet t'i inkurajojmë të gjithë ata që janë denoncues ose që do të jenë denoncues në të ardhmen. Korniza ligjore, konsideroj se siguron mbrojtje optimale për të inkurajuar denoncuesit në veprim. 

Në lidhje me Kuvendin, dëshiroj të theksoj si Kryetar i Kuvendit të Republikës së Maqedonisë së Veriut, se unë, ndërsa jam i sigurt që edhe kolegët e mi deputetë gjithmonë janë të gatshëm të miratojnë ose ndryshojnë rregullativë ligjore që është vetëm në favor të parandalimit të korrupsionit. Pastaj mund të shfrytëzohen edhe mekanizmat e mundshëm të mbikëqyrjes së jashtme që i ka Kuvendi si njërin nga funksionet e tij. Unë, së bashku me udhëheqjen e përgjithshme të Kuvendit, përkatësisht nënkryetarët dhe sekretarin e përgjithshëm, synojmë një transparencë më të madhe në punën e Kuvendit, ne vazhdimisht jemi duke analizuar, studiuar dhe bashkëpunuar për ta bërë Kuvendin të hapur në gjithçka. Kuvendi është i të gjithë qytetarëve, kështu ata duhet ta ndiejnë atë. Ata duhet të kenë besim te ne dhe kjo është arsyeja pse puna dhe të gjitha proceset e brendshme duhet të jenë jashtëzakonisht transparente dhe të hapura për publikun. 

Strategjitë na ndihmojnë t'i arrijmë qëllimet tona dhe të marrim një pasqyrë reale për atë se çka do do të jetë qëllim afatshkurtër dhe afatgjatë. Gjetja e dobësive, shfrytëzimi i përparësive dhe plani i punës. Para se gjithash, do të dëshiroj t'i uroj Komisionit për punën e tij, e mbështes dhe e inkurajoj që të ndërmarrë hapa më të vendosur në luftën kundër korrupsionit. Edhe një herë do të them që si Kryetar i Kuvendit jam në dispozicion për bashkëpunim dhe ndihmë brenda kompetencave të mia. Shpresoj që këto pak ditë do të rezultojnë në krijimin e suksesshëm të strategjisë nacionale.

Ju faleminderit për vëmendjen dhe ju uroj punë të suksesshme. 

Click