Aktivitetet

E shtunë, 27 korrik 2019, Manastir

Fjalimi i nënkryetarit Goran Misovski, në hapjen e Festivalit të 49-të Republikan të Këngëve dhe Valleve Popullore "Ditët e Ilindenit"

Zonja dhe zotërinj,
Shkëlqesi,
Të nderuar të pranishëm,
Të nderuar artistë,
Të dashur miq dhe dashamirë të muzikës dhe valleve popullore,

Më lejoni në emër të Kryetarit Xhaferi dhe në emër të deputetëve të Kuvendit të Republikës së Maqedonisë së Veriut të them se kam nderin dhe kënaqësinë që sonte do të jem pjesë e hapjes së Festivalit të 49-të Republikan të Këngëve dhe Valleve Popullore "Ditët e Ilindenit" ose "Bitfest". Jam veçanërisht krenar që Kuvendi i Republikës së Maqedonisë së Veriut është organizator i kësaj ngjarjeje tradicionale dhe të gjatë dhe dëshiroj t'ju bind se kjo do të vazhdojë të jetë kështu edhe më tej, sepse besojmë se Parlamenti - dhoma e qytetarëve është një pjesë e natyrshme e jetës së përditshme të qytetarëve, edhe në kohë të mira dhe në kohë të këqija, edhe kur këndohet dhe vallëzohet, edhe atëherë kur vajtohet dhe ankohet.

Dëshiroj gjithashtu t'u uroj për përkushtimin dhe angazhimin altruist të udhëheqësisë dhe shërbimit të Institucionit Nacional "Qendra e Kulturës - Manastir", i cili vazhdimisht dhe me besnikëri e ruan amanetin e lënë nga artistët e shumtë të njohur dhe të panjohur të popullit që e kishin krijuar këtë pasuri si pjesë të trashëgimisë kulturore të botës. Misioni juaj është fisnik dhe e meriton respektin tim. 

Sigurisht, me këtë rast, kam detyrim moral për të shprehur respektin dhe mirënjohjen time për të gjithë ju - pjesëmarrësit e këtij festivali, të cilët keni ardhur këtu me një qëllim të vetëm, në ditët e ardhshme të festivalit, përmes këngëve dhe valleve tuaja ta përcillni porosinë universale të pranimit dhe respektimit të diversiteteve. Ju jeni ambasadorë të vërtetë të kulturës së një kombi. Ju e bëni këtënë një gjuhë atipike, por kaq universale, përkatësisht duke i gërshetuar kujtimet kulturore të vendeve nga të cilat vijnë, përmes specifikave të ritmit dhe muzikës, shumëllojshmërisë së qëndisjeve autentike dhe detajeve folklorike. Kjo skenë në fakt do të jetë një shembull i vërtetë i mirëkuptimit kulturor midis popujve.

Për shkak se folklori e shpreh pasurinë kulturore të një kombi, ai e mban në vetvete historinë e një kombi, me të gjitha rrëfimet, vuajtjet dhe festimet, dashuritë, sukseset dhe zhgënjimet e saj. Nëpërmjet këngëve dhe valleve përjetësohen momentet që pastaj të jetojnë përgjithmonë. Ne kemi një përgjegjësi ndaj brezave të rinj për t'ua mbjellur dashurinë ndaj këngëve dhe valleve popullore dhe të jenë krenarë për unitetin e tyre, prandaj, ta ruajmë dhe ta promovojmë këtë dhe të gjitha festivalet e tjera të këtij lloji.  

Të nderuar të pranishëm,

Jam i bindur se Sokaku i Gjerë, siç nënkuptohet edhe nga vetë emri, gjerësisht do t'i hap krahët e tij për t'i pranuar të gjithë dashamirët e këngëve dhe valleve popullore, dhe zhurma e këmbëve të tyre në kalldrëmet e bukura do të bjerë për një kohë të gjatë natën. 

Me mendime dhe dëshira të bukura, miq të mi të dashur, e shpall të hapur Festivalin e 49-të Republikan të Këngëve dhe Valleve Popullore "Ditët e Ilindenit".

Ju faleminderit dhe ju uroj të keni një mbrëmje të këndshme.

Click