Aktivitetet

E mërkurë, 27 nëntor 2019

GJUHA E URREJTJES – DUKURI E PADËSHIRUAR QË I RREZIKON THEMELET E ÇDO SHOQËRIE TË QYTETËRUAR DHE DEMOKRATIKE 

Komisioni për mundësi të barabarta të Femrave dhe Meshkujve i Kuvendit të Republikës së Maqedonisë së Veriut në mbledhjen e sotme mbajti debat publik me temë: "Gjuha e urrejtjes ndaj femrave në politikë". Ky debat publik u organizua në bashkëpunim me Klubin e deputeteve, NDI dhe Programin për ndihmë parlamentare të financuar nga Ambasada zvicerane.

Debatin publik e hapi Daniela Rangellova, kryetare e Komisionit për Mundësi të Barabarta të Femrave dhe Meshkujve, dhe Gjulumser Kasapi, kryetare e Klubit të Deputetëve.

Rangellova falënderoi të pranishmit dhe shfaqi shpresë se edhe redaktorët e mediave do të tregojnë interes për këtë temë. Ajo theksoi se gjuha e urrejtjes është një temë që ka qenë objekt i shumë debateve publike, por nuk është arritur përparim, dhe sugjeroi rëndësinë të flitet  jo vetëm për gjuhën e urrejtjes ndaj politikaneve, por edhe ndaj të gjitha femrave në shoqëri.

Kasapi theksoi se kohët e fundit është gjithnjë më aktuale gjuha e urrejtjes si formë më e re e dhunës. Është e pranishme në shumë forma - nga shakatë jokorrekte politike e deri te thirrjet e hapura linçuese - në mënyrë verbale dhe joverbale, përmes të gjitha formave dhe mjeteve të komunikimit publik, dhe zbulohet se është një dukuri e padëshirueshme që rrezikon themelet mbi të cilat bazohet çdo shoqëri e qytetëruar dhe demokratike.

Lidhur me temën fjalim mbajtën Sanela Shkrijel nga Ministria e Punës dhe Politikës Sociale; SH.T Sibil Suter Tehada, ambasadore e Zvicrës; SH.T. Rajçel Gallovej, ambasadore e Mbretërisë së Bashkuar; Sandra Pepera, drejtoreshë e gjinisë, femrave dhe demokracisë NDI; Rosana Duxhak, përfaqësuese e përhershme e KB dhe Vesna Ivanoviç, udhëheqëse e zyrës së Trupit të KB-së për barazi gjinore dhe përforcim të femrave (UN Women) në Shkup. Në debatin publik ishte i pranishëm edhe ambasadori i Francës SH.T Kristian Timonie. 

Pastaj u hap diskutim në të cilin u paraqitën për fjalë: nënkryetarja e Kuvendit, Frosina Tashevska-Remenski, deputetët Nolla Ismajlloska-Starova, Emilija Aleksandrova, Maja Moraçanin, Jagoda Shahpaska, Shpresa Hadri, Nikica Korubin dhe Meri Llazarova, si dhe Daniella Dimitrievska nga Lobi i femrave maqedonase dhe Sneshka Iliq nga Reaktori OJQ. 

Pas diskutimit u miratuan konkluzionet në vijim: 

  • Të jepet definicion i qartë në kodin penal, çfarë është gjuha e urrejtjes; 
  • Të mendohet për miratimin e një ligji të ri kundër përhapjes së gjuhës së urrejtjes; 
  • Të bëhen përpjekje nga ana e institucioneve për përgjigje në kohë ndaj gjuhës së urrejtjes; 
  • Komisioni për Mundësi të Barabarta të Femrave dhe Meshkujve i mbështet ndryshimet e Kodit Zgjedhor për futje të kuotës 50:50 në listat për zgjedhje parlamentare dhe lokale;  
  • Komisioni për Mundësi të Barabarta të Femrave dhe Meshkujve të mbajë debat mbikëqyrës në këtë temë: Gjuha e urrejtjes ndaj femrave; 
  • Programet arsimore për arsimin fillor, të mesëm dhe të lartë të përfshijnë përmbajtje kundër gjuhës së urrejtjes dhe t'i kushtohet vëmendje më të madhe edukimit të të rinjve në këtë temë. 
Click