Aktivitetet

E hënë, 26 mars 2018, Gjenevë 

RUAJTJA E PAQES SI MJET PËR ARRITJEN E ZHVILLIMIT TË QËNDRUESHËM 

Në Asamblenë e 138-të të Unionit Ndërparlamentar (UNP), që mbahet nga 24 mars deri në 28 mars 2018 në Gjenevë, Konfederata e Zvicrës, merr pjesë Delegacioni i Kuvendit të Republikës së Maqedonisë të udhëhequr nga mr. Talat Xhaferi, Kryetar i Kuvendit të Republikës së Maqedonisë dhe shef i Delegacionit në UNP. 

Në kuadër të Asamblesë së 138-të,  më 25 mars 2018 mbledhje mbajtën komisionet e përhershme për paqe dhe siguri ndërkombëtare (Komisioni i parë) dhe për zhvillimin e qëndrueshëm, financa dhe tregti (Komisioni i dytë). 
Deputeti Tomisllav Tuntev mori pjesë në debatin e Komisionit të parë me temë:  "Ruajtja e paqes si mjet për arritjen e zhvillimit të qëndrueshëm". Ai vlerësoi se vizioni për një botë më të qetë, më të qëndrueshme, inkluzive dhe ekologjike, mund të arrihet vetëm nëse vendet veprojnë bashkërisht dhe në partneritet në nivel global, rajonal, nacional dhe lokal. 

Z. Tuntev theksoi se paqja dhe angazhimi për jetë dinjitoze ishin motivim për Republikën e Maqedonisë për ta tejkaluar krizën e thellë politike, duke theksuar se vendi sot është një shtet i lirë, i sigurt dhe i qëndrueshëm, i përcaktuar fort drejt realizimit të qëllimeve strategjike për integrim të plotë në BE dhe NATO. Ai nënvizoi përcaktimin për realizimin e agjendës reformuese dhe përkushtimin ndaj vlerave demokratike themelore, sundimin e mirë, sundimin e së drejtës, respektimin e të drejtave të njeriut, paqes dhe stabilitetit.  Deputeti Tuntev u përqendrua edhe në qasjen e re ndaj fqinjëve, duke e theksuar si shembull pozitiv Marrëveshja bilaterale për miqësi, fqinjësi të mirë dhe bashkëpunim me Republikën e Bulgarisë, e cila i përmirësoi marrëdhëniet bilaterale dhe kontribuoi në rritjen e këmbimit të ndërsjellë tregtar.  Njëkohësisht, ai theksoi se zbatohen masa për ndërtimin e mirëbesimit me Republikën e Greqisë, me çka jepet një nxitje të re për zgjidhjen e kontestit bilateral afatgjatë, përkatësisht tejkalimin e problemit që Republika e Greqisë e ka me emrin kushtetues të Republikës së Maqedonisë.  

Duke sugjeruar se përgjegjësia primare për realizimin e strategjive dhe aktiviteteve për paqe të qëndrueshme qëndron në nivel nacional, z.  Tuntev nënvizoi se është e nevojshme të precizohet roli i parlamentarëve në implementimin e Qëllimeve për zhvillim të qëndrueshëm të OKB-së.  Sipas z.  Tuntev, nevojitet që parlamentet të zbatojnë masa siç janë miratimi i ligjeve dhe buxheteve adekuate, kontrolli i përforcuar dhe roli mbikëqyrës i zbatimit të politikave të qeverive për realizimin e COD-së në nivel nacional dhe ngjashëm, me qëllim realizimin e konceptit për paqe të qëndrueshme. Unioni ndërparlamentar, si organizatë botërore e parlamenteve, misioni fundamental i të cilit është promovimi, mbrojtja dhe përforcimi i demokracisë në gjithë botën dhe që i kushton vëmendje të madhe promovimit të paqes dhe zhvillimit të qëndrueshëm, mund në masë të konsiderueshme të kontribuojë në këtë plan. 

Unioni ndërparlamentar, i themeluar ne vitin 1889, është organizata me e vjetër multilaterale dhe asociacioni me i madh ndërparlamentar, në të cilin janë anëtarë 178 parlamente nacionale dhe 12 asamble parlamentare ndërkombëtare.  Organizata botërore e parlamenteve me seli në Gjenevë ka status të mbikëqyrësit të vazhdueshëm në Organizatën e kombeve të bashkuara. 

Click