Aktivitetet

E mërkurë, 2 tetor 2019

TAKIM I KRYETARIT XHAFERI ME KOMISARIN E LARTË PËR PAKICA NACIONALE I OSBE -SË, LAMBERTO ZANIER 

Kryetari i Kuvendit të Republikës së Maqedonisë së Veriut Talat Xhaferi, realizoi takim me Komisarin e Lartë për Pakica Nacionale të OSBE-së, Lamberto Zanier.

Kryetari Xhaferi theksoi se në Republikën e Maqedonisë së Veriut çmohet lartë bashkëpunimi i vazhdueshëm dhe angazhimi i Komisarit të Lartë për Pakica Nacionale i OSBE-së. Ai vlerësoi se vendi është në rrugë të mirë që ti përmbushë në tërësi dispozitat e OSBE-së, edhe pse akoma ekzistojnë perceptime të caktuara negative, sidomos në nivel të vetadministrimeve lokale. Kryetari Xhaferi potencoi se, Kuvendi i Republikës së Maqedonisë së Veriut, prej vitit 1993 ka pjesëmarrje aktive në punën e Asamblesë Parlamentare të OSBE-së ndërsa në vitin 2016 ishte mikpritës i Sesionit të pesëmbëdhjetë të kësaj asambleje ndërkombëtare. Ai informoi se Kuvendi bashkëpunon ngushtë edhe me Misionin e OSBE-së në Shkup, me qëllim të përforcimit të pavarësisë parlamentare, funksionit mbikëqyrës dhe rolit demokratik. Për intensitetin e bashkëpunimit ndërmjet Kuvendit të Republikës së Maqedonisë së Veriut dhe OSBE-së, flet numri i takimeve të realizuara me përfaqësues të lartë të kësaj organizate në periudhën e kaluar. 

Xhaferi theksoi se, Kuvendi i Republikës së Maqedonisë së Veriut, mbetet i hapur për bashkëpunim me Komisarin e Lartë për Pakica Nacionale të OSBE-së, në drejtim të realizimit të qëllimit të përbashkët - ndërtimit të bashkëjetesës dhe avancimit të integrimit ndëretnik dhe tolerancës në Republikën e Maqedonisë së Veriut. 

Komisari i lartë Zanier, theksoi se për KLPN puna me parlamentet është me rëndësi të madhe. Ai theksoi se vizita e tij në Republikën e Maqedonisë së Veriut është me rastin e promovimit të Strategjisë "Një shoqëri për të gjithë dhe interkulturalizëm", dhe vlerësoi se e njëjta paraqet koncept pozitiv, i ndërtuar mbi bazat e forta të Marrëveshjes Kornizë të Ohrit. Nevojiten hapa plotësuese për integrim të plotë në shoqëri, ndërsa Komisari i Lartë do e inkurajojë Qeverinë ti inkuadrojë të gjitha palët e interesuara në zbatimin e Strategjisë. Ai informoi për takimet e realizuara në kuadër të vizitës, me ç'rast si pozitive e vlerësoi mënyrën e re të interpretimit të proceseve politike në vend. 

Komisari i Lartë për Pakica Nacionale theksoi se i përcjell marrëdhëniet ndëretnike në gjithë rajonin e OSBE-së dhe përfundoi se, edhe pse nuk ekziston model ideal, në shumë vende ekzistojnë shembuj të mirë. Ai potencoi se reformat në sistemin arsimor në Republikën e Maqedonisë së Veriut do të mbeten në fokusin e tij, duke e marrë parasysh rëndësinë e arsimit inkluziv në zhvillimin e gjeneratave të ardhshme. Njëkohësisht, Zanier shprehu mbështetje për rolin aktiv të Kuvendit të Republikës së Maqedonisë së Veriut në Asamblenë Parlamentare të OSBE-së, duke sugjeruar se KLPN bashkëpunon ngushtë me këtë forum ndërparlamentar. 
Në takim u bë fjalë edhe për proceset integruese të Republikës së Maqedonisë së Veriut në BE dhe NATO, me ç'rast Komisari i Lartë Zanier shprehu shpresë së vendimi i pritur nga Këshilli i BE do të jetë në drejtimin e duhur për stabilitetin e vendit. Fillimi i negociatave me BE sipas Zanier, do të paraqesë mundësi për adresimin e të gjitha çështjeve të hapura në shoqëri. 

Bashkëbiseduesit shprehën bindjen se edhe në të ardhme do të vazhdojë bashkëpunimi i frytshëm ndërmjet Komisarit të Lartë për Pakica Nacionale i OSBE-së dhe institucioneve në Republikën e Maqedonisë së Veriut. 

Click