Aktivitetet

E premte, 29 shtator 2017

Takim i kryetarit Xhaferi me Prof. d-r Ahmet Davutogllu  

Kryetari i Kuvendit të Republikës së Maqedonisë, z. Talat Xhaferi, sot realizoi takim me kryetarin e mëparshëm të qeverisë së 62, 63 dhe 64-t të Republikës së Turqisë dhe deputet nga Konja, Prof. d-r Ahmet Davutogllu. 

Të dyja palët shprehën kënaqësi të madhe nga marrëdhëniet e përgjithshme politike maqedonase - turke të cilat janë në nivelin më të lartë të mundshëm dhe janë në frymën e miqësisë tradicionale, mirëkuptimit të ndërsjellë, tolerancës dhe bashkëpunimit aktiv. 

Gjatë takimit, bashkëbiseduesit theksuan se marrëdhëniet veç më të vendosura intensive hapin hapësirë për një bashkëpunim edhe më aktiv ekonomik. Republika e Turqisë është partner i rëndësishëm tregtar i Republikës së Maqedonisë ndërsa bashkëpunimi ndërmjet dy shteteve në të gjitha fushat është gjithashtu i suksesshëm dhe karakterizohet me trend pozitiv dhe vazhdimësi. 

Të dyja palët u pajtuan se përveç miqësisë së fortë dhe bashkëpunimit të frytshëm, të dy vendet i ndërlidhin edhe lidhjet e ngushta historike dhe kulturore. Në plotësim, marrëdhëniet e mira dhe miqësore ndërmjet dy vendeve pasqyrohen edhe në bashkëpunimin e frytshëm parlamentar në nivelin bilateral, ndërmjet Kuvendit të Republikës së Maqedonisë dhe Asamblesë së Madhe Nacionale të Republikës së Turqisë, por edhe në nivel multilateral, në kuadër të asambleve parlamentare ndërkombëtare. 

Gjatë takimit u shpreh mirënjohje për përkrahjen konsekuente dhe konstruktive të Turqisë dhe për solidarizimin me Maqedoninë në kuadër të integrimeve euroatlantike. Duke ju referuar përcaktimit tonë strategjik, kryetari Xhaferi theksoi se është veçanërisht e rëndësishme përkrahja e hapur dhe e fuqishme e Republikës së Turqisë për integrimin e Republikës së Maqedonisë në NATO, si edhe qëndrimet parimore të Republikës së Turqisë në raport me përdorimin e emrit kushtetues të vendit tonë. 

Në fund të takimit, bashkëbiseduesit shprehën shpresë se bashkëpunimi i mirë ndërmjet dy vendeve do të vazhdojë edhe më tutje. 

Click