Aktivitetet

E enjte, 18 janar 2018

Takim i kryetarit Xhaferi me z. Jens Stoltenberg, Sekretar gjeneral i NATO-s

Kryetari i Kuvendit të Republikës së Maqedonisë, z. Talat Xhaferi, sot realizoi takim me z. Jens Stoltenberg, Sekretar gjeneral i NATO-s, i cili qëndron në vizitë zyrtare në Republikën e Maqedonisë. 

Në takim ishin të pranishëm z. Tomisllav Tuntev, koordinatori i grupit parlamentar të LSDM-së, z. Ejup Alimi, koordinator i grupit parlamentar të BDI-së, z-nja Frosina Tashevska Remenski, kryetare e Komisionit të Mbrojtjes dhe Sigurisë dhe z-nja Cvetanka Ivanova, Sekretar gjeneral në Kuvendin e Republikës së Maqedonisë. 

Kryetari i Kuvendit, z. Xhaferi, në fillim të takimit shprehu falënderim të madh për përkrahjen e dhënë nga Sekretari gjeneral i NATO-s, z. Stoltenberg, për zgjedhjen e Qeverisë së re dhe shumicës së re parlamentare, si edhe në raport me proceset reformuese në shoqëri dhe në planin e integrimit të përshpejtuar të shtetit në NATO.

Republika e Maqedonisë, tani më 18 vite me sukses e përpilon Planin vjetor për anëtarësim në NATO, për çka ai, edhe si zëvendësministër dhe ministër i mëparshëm i Mbrojtjes, ka pasur angazhim të madh dhe pjesë në përpjekjet për anëtarësim të plotfuqishëm në NATO. Ai shprehu bindje se vetëm me dialog konstruktiv me fqinjët, në raport me çështjet kontestuese dhe me angazhim aktiv të institucioneve dhe të gjitha subjekteve politike në përmbushjen e Planit 3-6-9, do të finalizohet "puna e papërfunduar", e Samitit të Bukureshtit të NATO-s në vitin 2008. Në të njëjtën kohë, kryetari Xhaferi e njoftoi z. Stoltenberg me agjendën e Kuvendit në planin e përmirësimit të rregullativës ligjore në sektorin e sigurimit, me ç'rast do të sigurohet mbikëqyrje parlamentare cilësore dhe demokratike. 

Zotëri Stoltenberg, e potencoi përkrahjen e mëtutjeshme të NATO-s në përmbushjen e agjendës ambicioze reformuese të Qeverisë së re, veçanërisht në planin e sundimit të të drejtës, përforcimit të shoqërisë multietnike dhe parimeve të Marrëveshjes së Ohrit, si edhe mbajtjen dhe kultivimin e marrëdhënieve të mira fqinjësore. Hap pozitiv në këtë drejtim është ratifikimi i Marrëveshjes për fqinjësi të mirë me Republikën e Bullgarisë, me të cilën hapet një kapitull i ri dhe cilësor në kontekstin rajonal. NATO-ja me vëmendje të madhe e përcjell progresin në funksionimin e Kuvendit të Republikës së Maqedonisë, veçanërisht pas ngjarjeve të pakëndshme të 27 prillit të vitit të kaluar, për arsye se beson se Kuvendi është platforma për punën e përbashkët të pushtetit dhe opozitës, nëpërmjet dialogut real politik, të punojnë në mënyrë konstruktive për të mirën e të gjithë qytetarëve.  

NATO-ja veçanërisht e vlerëson kontributin real të Republikës së Maqedonisë në misionet paqësore të NATO-s, ku Republika e Maqedonisë çmohet si partner shumë cilësor dhe i respektuar.

Z. Stoltenberg nënvizoi se NATO-ja edhe më tutje e inkurajon Republikën e Maqedonisë që të vazhdojë guximshëm në tejkalimin e pengesës themelore e cila është parakusht për anëtarësimin e plotfuqishëm të Republikës së Maqedonisë në Aleancën e NATO-s. Përkrahja e dhënë në Samitin e NATO-s në Bukuresht, dhe e përsëritur në dy samitet në vijim, akoma mbetet dhe është në drejtim të anëtarësimit më të shpejtë të Republikës së Maqedonisë si shtet anëtar i 30-të në NATO. 

Click