Udhëheqja parlamentare

E premte, 1 nëntor 2019

Fjalimi i Kryetarit të Kuvendit të Republikës ë Maqedonisë në promocionin e Doracakut për të DHN për parlamentarë e organizuar nga Kryqi i kuq i RMV në temën "Roli i shtetit në promovimin e të Drejtës Humanitare Ndërkombëtare"

I nderuar sekretar i përgjithshëm i Kryqit të Kuq të Republikës së Maqedonisë së Veriut, z. Saiti, 
Të nderuar përfaqësues të Komitetit ndërkombëtar të Kryqit të Kuq, z-nja Dojçinoviq, 
Të nderuar kolegë deputetë,
Zonja dhe zotëri,

Më lejoni të shpreh kënaqësinë që sot kam nderin të drejtohem në emrin tim personal dhe në emër të deputetëve në Kuvendin e Republikës së Maqedonisë së Veriut dhe të përshëndes këtë eveniment jo të përditshëm në të cilin do të promovohet ky doracak i rëndësishëm. Mirëpo, fillimisht kisha dashur të shpreh respekt të madh ndaj misionit dhe veprës së Kryqit të Kuq Ndërkombëtar si edhe Kryqit të Kuq të Republikës së Maqedonisë së Veriut. Si organizatë humanitare e cila ka mision të parandalojë vuajtjen njerëzore, të mbrojë jetën dhe shëndetin e qytetarëve dhe të promovojë vlerat humane dhe dhënien e ndihmës solidare, sidomos në rastet e fatkeqësive dhe katastrofave, ndjehem i përmbushur që sot do të jap një kontribut të vogël në ngritjen e vetëdijes për këtë të drejtë te ne, parlamentarët.

Sot shënohen 24 vite prej njohjes së Kryqit të Kuq të Republikës së Maqedonisë së Veriut si shoqëri nacionale e Kryqit të Kuq nga ana e Komitetit Ndërkombëtar të Kryqit të Kuq, ndërsa gjatë muajit nëntor po ashtu do të shënohen 24 vite si anëtare e plotfuqishme e Federatës Ndërkombëtare të Shoqërive Nacionale të Kryqit të Kuq dhe Gjysmëhënës së Kuqe dhe, më lejoni që në këtë emër të drejtoj urime. Për aktivitetet e Kryqit të Kuq Ndërkombëtar në historinë më të vjetër dhe më të re të vendit lartë poshtë jemi të njoftuar të gjithë dhe gjithsesi ndër to veçohet angazhimi altruist gjatë tërmetit katastrofal në Shkup në vitin 1963.

Unë kisha dashur që sot të përshëndes punën e bërë për përkthimin nga ana e Kryqit të Kuq të Republikës së Maqedonisë së Veriut, a gjithsesi paraprakisht për përpilimin e këtij doracaku nga ana e Komitetit Ndërkombëtar të Kryqit të Kuq dhe Unionit Interparlamentar, fillimisht për arsye se është i dedikuar për ne parlamentarët, si burim informacionesh a në plotësim për shkak se kjo do na ndihmojë në promovimin tonë të mëtejshëm të këtij doracaku të rëndësishëm, ndërsa unë në cilësinë e Kryetarit të Kuvendit ju rri në dispozicion për bashkëpunim në fushën e kompetencave të mia dhe i inkurajoj edhe deputetët ti shfrytëzojnë veglat e ofruara gjatë debateve mbikëqyrëse dhe publike, nismave të ndryshme dhe projekteve në drejtim të promovimit të të Drejtës ndërkombëtare humanitare, si vegël e domosdoshme për ruajtjen e humanitetit dhe në kulmin e konflikteve më të tmerrshme ushtarake, të mos lejohet të mbisundojë ai fenomeni i tmerrshëm i zhdukjes së njerëzores në njeriun.

Kolegë të nderuar,

Republika e Maqedonisë së Veriut është vend i cili në të drejtën e vet nacionale i ka inkorporuar, gjegjësisht i ka ratifikuar pjesën më të madhe të marrëveshjeve ndërkombëtare dhe me vetë këtë dërgon mesazhin e shkallës së respektimit të Drejtës ndërkombëtare humanitare e cila, siç quhet shpeshherë "e drejtë ushtarake" ose "e drejta e konflikteve ushtarake", për dallim nga të drejtat e njeriut që zbatohen çdo ditë, a me të cilat kanë pika të përbashkëta, zbatohet ekskluzivisht gjatë konflikteve ushtarake ose konflikteve pasi që konflikti veç më ka filluar. Ligji për Kryqin e kuq në Kuvend u nxor në vitin 1994 dhe me të njëjtin u mundësua edhe puna dhe funksionimi i kësaj shoqërie nacionale ndërsa paraprakisht, në vitin 1993 në Kuvend u ratifikuan Konventat e Gjenevës dhe Protokollet plotësuese të cilat e drejta ndërkombëtare i konsideron si burimet kryesore dhe themelet e të Drejtës ndërkombëtare humanitare. Konventa e Gjenevës për përmirësimin e kushteve të të lënduarve dhe të sëmurëve në konfliktet ushtarake në tokë kishte për qëllim mbrojtjen dhe garancinë se bile edhe gjatë luftës, doemos të garantohet një shkallë e caktuar e humanizmit kurse lufta dihet, di të jetë e vrazhdë dhe e pamëshirshme. Kryqi i Kuq Ndërkombëtar është faktor i rëndësishëm në pranimin, realizimin dhe mbrojtjen e sistemit për kontrollin e të drejtës ndërkombëtare humanitare dhe në fakt, frymëzimi që Anri Dinan në atë kohë e ka fituar kur ka qenë dëshmitar i tmerreve të betejës në Solferino, më vonë janë shndërruar në libër sipas të cilit më vonë është zhvilluar kjo lëvizje dhe organizatë e rëndësishme.

Shteti ka obligim të promovojë të drejtën ndërkombëtare humanitare. Edukimi dhe gjetja e mënyrave të reja për edukimin e armatës, personave ushtarakë por edhe qytetarëve në përgjithësi, veçanërisht të rinjve është diçka ndaj të cilës shteti doemos të kushtojë vëmendje. Edukata është mënyra e vetme e hapjes së syve dhe përhapjes së vetëdijes dhe prandaj e kemi patjetër si shtet, gjegjësisht si bartës të pushtetit të veprojmë në drejtim të promovimit për arsye se, nxjerrja e rregullave në çfarëdo formë dhe zbatimi i tyre jo çdoherë janë në vijën e njëjtë. Prandaj, edhe koncepti i të Drejtës humanitare ndërkombëtare kërkon edhe gjetje të vazhdueshme të mënyrave të reja të promovimit dhe të ngritjes së vetëdijes. Sot te ne arrijnë lehtë informacionet për ngjarje nga e gjithë bota, pozitive dhe negative dhe si politikanë dhe si njerëz që kanë mundësi dhe privilegj të jenë në qendrën e vëmendjes të mediumeve, duhet të shfrytëzojmë këtë hapësirë për promocionin ose për ngritjen e vetëdijesimit për çështjet e këtilla të rëndësishme. Në të njëjtën kohë, të jemi vigjilentë edhe në drejtim të kontrollit të zbatimit të drejtës humanitare ndërkombëtare dhe kuptohet të gjitha të drejtat tjera sepse, siç kanë thënë ish kryetari i Konfederatës zvicerane Didie Burkhalter dhe kryetari i Komitetit Ndërkombëtar të Kryqit të Kuq Peter Maurer, me rastin e 150 vjetorit të Konventës së parë të Gjenevës, "...Nevojitet angazhim i vazhdueshëm, për arsye se nuk ka asnjë garanci se me kalimin e kohës do të zhduken (konfliktet ushtarake). E drejtë e cila cenohet vazhdimisht pa provokuar reagim të qartë, me siguri me kalimin e kohës do e humbë rëndësinë e vet. A pasojat mbi viktimat e konflikteve ushtarake nuk lënë hapësirë të mendohet dy herë për këtë..." (fund i citatit).

Kolegë të nderuar, ju faleminderit për vëmendjen!

Click