Udhëheqja parlamentare

E mërkurë, 18 shtator 2019

FJALIMI I KRYETARIT XHAFERI NË NGJARJEN RAJONALE B2B TË ODËS EKONOMIKE TË MAQEDONISË VERI-PERËNDIMORE

I nderuar Kryeministër Zaev,
I nderuar ministër Bekteshi,
I nderuar kryetar i Odës Ekonomike të Maqedonisë Veri-Perëndimore, 
Të nderuar përfaqësues të institucioneve shtetërore vendore dhe të institucioneve shtetërore të Kosovës dhe Shqipërisë,
I nderuar pëfaqësues i Zyrës së USAID-it në Republikën e Maqedonisë së Veriut, 
Të nderuar afaristë,
Zonja dhe zotëri,

Kam nderin që sot të përshëndes në emrin tim personal dhe në emër të deputetëve në Kuvendin e Republikës së Maqedonisë së Veriut këtë eveniment të parë të këtij lloji në vend, Forumin rajonal B2B, ose BiznisToBiznis dhe njëkohësisht të shpreh lëvdatat e mia ndaj Odës Ekonomike të Maqedonisë Veri-Perëndimore për punën e palodhshme por edhe shumë të rëndësishme që ju e bëni.

Qarkullimi i parave është në fakt sistemi i enëve të gjakut të një shteti, të një shoqërie. Qarkullimi i parave në mënyrën korrekte dhe të mbështetur me kornizë ligjore, do të thotë vende të sigurta të punës, hapje të vendeve të reja të punës dhe rritje dhe zhvillim, i vendit, i kompanive vendore dhe natyrisht i ekonomive familjare. Familje me buxhet të mjaftueshëm për zhvillimin e një jete normale për anëtarët e familjes, do të thotë qytetarë në mirëqenie, do të thotë qytetarë të lumtur dhe familje të shëndosha. Familje të shëndosha do të thotë gjenerata të reja të cilat i gëzojnë bukuritë e jetës duke frymuar lirshëm, pa brenga dhe telashe, pozitivë, mendjehapur dhe vizionarë.

Miq të dashur,

E di, e gjithë kjo tingëlloi shumë bukur, shumë idilike, bile do të thoni edhe utopike por, nuk është edhe aq e paarritshme. Kur e them këtë, e kam ndërmend potencialin njerëzor, truallin e frytshëm, pozicionin gjeografik, marrëdhëniet e mira fqinjësore, bile, edhe me shtetin me të cilin deri para pak kohe nuk kishim as marrëdhënie të mirëfillta diplomatike, edhe atëherë biznesi dhe këmbimi tregtar depërtonte dhe ishte në nivelin më të lartë krahasuar me fqinjët tjerë. E kam ndërmend vullnetin e madh dhe përkushtimin e Odave ekonomike që të punojnë  dhe të krijojnë kushte për zhvillimin e lirë të biznesit dhe shërbimeve. Për të bërë këtë, janë në bashkëpunim të vazhdueshëm me institucionet, fillimisht ekzekutivin por, natyrisht se pa ligjvënësin, nuk mund të rrumbullakohen nismat dhe propozimet që janë, gjithnjë dhe mbi të gjithë, për të mirën e qytetarëve, biznesit, shtetit dhe rajonit. Ne si institucione, mund të bëjmë atë që mundemi më së miri, ti dëgjojmë propozimet, sugjerimet e përfaqësuesve të Odave ekonomike, të gjejmë zgjidhje për vështirësitë që u dalin përpara, të gjejmë solucione të pranueshme duke i përshtatur dispozitat ligjore me qëllim që të ruhet interesi i qytetarëve, interesi i bashkësisë afariste dhe natyrisht, interesi i shtetit. Përveç kësaj, duhet të vazhdojmë me ndërtimin e marrëdhënieve edhe më intensive dhe më thelbësore me fqinjët tanë të drejtpërdrejtë, siç është Kosova, Shqipëria, përfaqësuesit institucional të të cilëve janë sot prezent këtu, por edhe me fqinjët tjerë përreth sepse e dini si thonë, kur ke fqinjin e mirë dhe të sinqertë, fqinjin e zhvilluar dhe të sigurt, ti mund të jesh i qetë dhe rehat sepse e ke shpinën e ngrohtë. Unë, në cilësinë e Kryetarit të Kuvendit të Republikës së Maqedonisë së Veriut, por edhe në emër të deputetëve, mund të premtoj se ratifikimet e marrëveshjeve që i lidh Ministria e Punëve të Jashtme e Republikës së Maqedonisë së Veriut, si edhe deri tani, do të vazhdojnë edhe më tutje të votohen si edhe çdoherë, unanimisht dhe shpejtë, sepse, politika, mbështetja në kornizat ligjore që i votojnë deputetët, janë përkrahësi dhe inkurajuesi më i nevojshëm i biznesit dhe, kur është në fjalë përmirësimi i cilësisë së jetës së qytetarëve tanë, zhvillimi i biznesit të kompanive tona dhe depërtimi në tregjet e jashtme, biznesi nuk guxon të hasë në pengesa, në paragjykime anakrone, rruga dhe truri duhet të jenë të hapur dhe pa pengesa, qofshin ato reale apo të trilluara.

Të nderuar,

Me bashkëpunimin e përbashkët fqinjësor, rajonal, bile edhe global, i ndihmojmë ekonomisë sonë, ekonomisë së rajonit dhe botës. Para së gjithash, ua lehtësojmë dhe përmirësojmë jetën qytetarëve tanë! Edhe pse realisht, si tregje individuale jemi të vegjël dhe nuk jemi atraktiv por, nëse i bashkojmë forcat dhe veprojmë bashkë, atëherë gjithsesi jemi tejet interesant dhe tërheqës për investitorët e mëdhenj. Përveç përfitimit ekonomik, mesazhi politik i paraqitjes së përbashkët para faktorit ndërkombëtar do të japë efektin më të preferuar, gjegjësisht, mesazhin se jemi rajon stabil dhe i sigurt, rajon ku garantohet çdo lek i investuar dhe kjo do na shndërrojë në lojtar të rëndësishëm dhe të besueshëm ndërkombëtar.

Zonja dhe zotëri,

uroj që të vazhdoni me punën e palodhshme, uroj që ngjarjet e këtilla të zgjerohen edhe me pjesëmarrjen e të gjithë vendeve përreth, pse jo edhe më gjerë sepse, kur ka vullnet të mirë nga të dyja anët, gjegjësisht edhe nga institucionet edhe nga odat ekonomike, atëherë kufijtë nuk paraqesin pengesë.

Faleminderit për vëmendjen.

Click