E premte, 16 qershor 2017
Kryetari Xhaferi u takua me ambasadorin italian Romeo
Kryetari i Kuvendit të Republikës së Maqedonisë, z. Xhaferi, sot u takua me ambasadorin e Italisë në Republikën e Maqedonisë, z. Karlo Romeo.
Në fillim të takimit, ambasadori Romeo iu falënderua Kryetarit Xhaferi për mundësinë të shkëmbejnë mendime dhe përvoja për bashkëpunimin, dhe ia uroi funksionin e ri njëherit duke theksuar se njëri ndër shkaqet e vizitës së sotme është t'ia dorëzojë urimin e dërguar nga ana e kryetarit të Senatit Italian.
Kryetari Xhaferi e informoi ambasadorin për ngjarjet e fundit në Kuvendin e Republikës së Maqedonisë në lidhje me formimin e trupave të punës, Komitetin për Marrëdhënie Ndëretnike, delegacionet e përhershme dhe grupet parlamentare për bashkëpunim bilateral me parlamentet tjera, me çka do të mundësohet që Dhoma Ligjvënëse të punojë me funksion të plotë dhe me përgjegjësi t'i kryejë detyrat e veta në nivel nacional dhe ndërkombëtar.
Mes tjerash, ai potencoi se Kuvendi do të jetë transparent, me çka seancat do të mund të ndiqen nga ana e opinionit me mundësinë për paraqitjen e qytetarëve të interesuar në faqen e internetit të Kuvendit të Republikës së Maqedonisë.
Bashkëbiseduesit biseduan për situatën politike në vend, dhe për ngjarjet e 27 prillit me ç'rast ambasadori Romeo theksoi se ajo që ndodhi është mjaft serioze dhe njëkohësisht është shkelje e demokracisë dhe popullit.
Kryetari Xhaferi nënvizoi se ngjarjet e padëshiruara duhet t'i lëmë pas dhe të shërbejnë si përkujtim historik dhe nxitje që gjeneratat e reja të shikojnë përpara dhe të fokusohen në të ardhmen e mirë dhe të përbashkët të vendit.
Gjatë bisedës ishte sugjeruar se në këtë periudhë të tranzicionit me rëndësi të jashtëzakonshme është bashkëpunimi dhe përfshirja konstruktive e opozitës, mbështetja e së cilës është e mirëseardhur për zbatimin e reformave që janë në dobi të të gjithë qytetarëve të Republikës së Maqedonisë. Në këtë drejtim, Kryetari Xhaferi e theksoi rëndësinë e vendosjes së komunikimit ndërmjet të gjithë deputetëve dhe të respektohet dhe zbatohet Rregullorja e punës së Kuvendit.
Ambasadori potencoi se Italia, si vend i cili e ka mbështetur Republikën e Maqedonisë nga pavarësia e saj, vazhdimisht do t'i jap mbështetje institucionale edhe aspiratave të saj në rrugën drejt anëtarësimit në Bashkimin Evropian dhe në NATO.
Në fund të takimit, Kryetari Xhaferi iu falënderua ambasadorit Romeo për vizitën e tij duke shprehur kënaqësi dhe gatishmëri për thellimin e mëtejshëm të bashkëpunimit reciprok.