Udhëheqja parlamentare

E mërkurë, 6 dhjetor 2017

Takim i kryetarit Xhaferi dhe Drejtorit të Zyrës për Evropën Jugore dhe Qendrore në Stejt Department, z. Metju Pallmer

Sot në Uashington, kryetari Xhaferi realizoi takim me z. Metju Pallmer, Drejtorin e Zyrës për Evropën Jugore dhe Qendrore në Stejt Department. Në fillim të takimit, kryetari Xhaferi u falënderua për mundësinë për takim me përfaqësues të një vendi që është partner strategjik dhe me të cilin Republika e Maqedonisë ndërton marrëdhënie bilaterale të shkëlqyera dhe dinamike. Kryetari i Kuvendit theksoi se, integrimi në NATO she në BE mbesin prioritet kulmor, shtetëror, politik dhe strategjik. Shtëpia ligjvënëse u bashkëngjitet angazhimeve për proceset reformuese të cilat janë prioritet si të shumicës parlamentare ashtu edhe të të gjithë faktorëve politik në vend, me ç’rast edhe konstruktiviteti i opozitës është me rëndësi thelbësore. Në këtë drejtim, përkrahja e USAID është më se e mirëseardhur dhe kontribuon në masë të konsiderueshme në zhvillimin demokratik të vendit.

Drejtori i Zyrës për Evropën Jugore dhe Qendrore në Stejt Department, z. Pallmer, i uroi mirëseardhje delegacionit nga Kuvendi i Republikës së Maqedonisë dhe shprehu fjalë respekti të lartë për rolin e jashtëzakonshëm të kryetarit Xhaferi në lehtësimin e tranzicionit të pushtetit dhe kthimin e funksionalitetit të shtëpisë ligjvënëse.

Gjatë takimit, të dy bashkëbiseduesit biseduan për ngjarjet aktuale politike në vend, me ç’rast u pajtuan se pushteti gjyqësor duhet të jetë i pavarur dhe transparent në marrjen e vendimeve por edhe të mbajë llogari për interesin e shtetit dhe të mirën e qytetarëve. Z. Metju Pallmer nënvizoi se Shtetet e Bashkuara të Amerikës kujdesen për proceset demokratike dhe për sundimin e të drejtës në Republikën e Maqedonisë, për arsye se në të shohin partner të përkushtuar të cilin do të vazhdojnë ta përkrahin edhe në të ardhmen.    

Click