Udhëheqja parlamentare

E premte, 19 korrik 2019, Uashington 

TAKIM I KRYETARIT XHAFERI ME DREJTORIN E NDI DEREK MIÇEL 

Në kuadër të pjesëmarrjes së Kryetarit Xhaferi bashkë me delegacionin e Kuvendit të Republikës së Maqedonisë së Veriut në Forumin parlamentar për liderë në Uashington, drejtori i Institutit Nacional demokratik, z. Derek Miçel organizoi takim të përbashkët për përfaqësuesit e parlamenteve të të gjitha vendeve pjesëmarrëse në forum. Në takim, z. Miçel u dha hapësirë përfaqësuesve të çdo vendi që individualisht ta prezantojnë situatën aktuale në vendet e tyre. 

Në prezantimin e vet, Kryetari i Kuvendit të Republikës së Maqedonisë së Veriut Talat Xhaferi, fillimisht shprehu falënderim të madh ndaj Institutit Nacional Demokratik për mbështetjen shumëvjeçare pa rezervë që e jep, duke potencuar se të gjitha aktivitetet e IND janë në dobi të përforcimit të proceseve demokratike në vend, përforcimin e pavarësisë dhe transparencës së institucioneve demokratike, nëpërmjet përfshirjes së qytetarëve dhe opinionit ekspert, hapjes dhe llogaridhënies të institucioneve shtetërore dhe janë inkurajim konkret se jemi në drejtimin e vërtetë të lëvizjes dhe përparimit të shtetit. 

Kryetari Xhaferi theksoi se, qëllimi i tij përfundimtar është që Kuvendi i Republikës së Maqedonisë së Veriut, si pushtet ligjvënës të jetë institucion i pavarur në aspekt të administratës, sigurimit dhe financave, edhe pse edhe tani transparent në funksionimin e vet, përsëri të jetë edhe më transparent me një kapacitet shumë më të fortë në kryerjen e rolit mbikëqyrës mbi pushtetin ekzekutiv, rol i cili është i detyrueshëm në bazë të Kushtetutës së Republikës së Maqedonisë së Veriut. 

"Ne në Republikën e Maqedonisë së Veriut, jemi të përkushtuar në zhvillimin dhe përmirësimin e demokracisë dhe punojmë me përkushtim në zbatimin e reformave siç janë, reformat në fushën e sundimit të drejtës, në jurisprudencë, në administratën publike dhe luftën kundër korrupsionit. Kuvendi i Republikës së Maqedonisë së Veriut është një nga institucionet shtetërore më transparente, i cili i kushton vëmendje të madhe bashkëpunimit me qytetarët, me institucionet tjera publike, si edhe projekteve që kanë të bëjnë me përmirësimin e punës së Kuvendit dhe afrimit të tij te qytetarët," përfundoi Xhaferi. 

Pas prezantimeve, drejtori Miçel u falënderua të gjithëve që i treguan përvojat e ndryshme nga vendet e tyre dhe konstatoi se, pa dallim në faktin se të gjithë vijmë nga vende të ndryshme, përsëri ballafaqohemi me problemet dhe situatat e njëjta.



Click