Udhëheqja parlamentare

E mërkurë, 23 maj 2018

TAKIM I KRYETARIT XHAFERI ME KRYETAREN E  KUVENDIT POPULLOR TË REPUBLIKËS SË SERBISË, ZONJËN MAJA GOJKOVIQ

Kryetari i Kuvendit të Republikës së Maqedonisë, z. Talat Xhaferi, vizitën e vet zyrtare dyditore në Republikën e Serbisë e filloi me takimin me mikpritësen e tij, zonjën Maja Gojkoviq, kryetaren e Kuvendit Popullor të Republikës së Serbisë. Në përbërje të delegacionit ishin të pranishëm edhe anëtarët e Grupit për bashkëpunim me Kuvendin e Republikës së Serbisë: z. Ivan Stoiljkoviq, kryetar i Grupit; z. Ilija Nikollovski, anëtar i grupit dhe zonja Mirsada Emini Asani, gjithashtu anëtare e grupit për bashkëpunim. 

Në fillim të takimit, zonja Gojkoviq shprehu kënaqësi për realizimin e takimit i cili në fakt është vizitë kthyese e cila vijon pas vizitës së saj të Republikës së Maqedonisë në vitin 2015. Me këtë vizitë, vazhdohen kontaktet në nivel të lartë parlamentar, diçka që është konstatim i përbashkët i të dy kryetarëve, respektivisht, nevoja për intensifikimin e kontakteve në nivel të grupeve parlamentare për bashkëpunim dhe trupave punues të Kuvendeve. Kjo është mënyrë e mirë për ndarjen e përvojave dhe për shfrytëzimin e praktikave më të mira të të dy shërbimeve.

Kryetari Xhaferi e informoi kryetaren Gojkoviq për aktualitetet në Republikën e Maqedonisë, me ç’rast e përmendi raportin e pranuar para do kohe prej Komisionit Evropian dhe i cili ishte pozitiv dhe i pakushtëzuar, për përparimin e vendit dhe tha se të gjithë aktorët në jetën shoqërore janë të motivuar dhe të angazhuar në mënyrë plotësuese në drejtim të bërjes së reformave të duhura, me qëllim të përmbushjes së parakushteve të duhura për anëtarësim të plotfuqishëm në BE dhe NATO, që janë prioritete të përcaktuara strategjike që nga pavarësimi i Republikës së Maqedonisë. Kjo, para së gjithash dhe mbi të gjitha bëhet për qytetarë tanë, që të munden të ndajnë vlera evropiane dhe standarde, që janë themelet e demokracisë parlamentare. Qeveria e Republikës së Maqedonisë punon në mënyrë intensive në drejtim të përmirësimit të marrëdhënieve të mira fqinjësore me të gjithë fqinjët dhe e inkurajon Republikën e Serbisë të bëhet faktor i cili kontribuon për zhvillimin e  marrëdhënieve të mira në rajon, për arsye se vetëm rajon stabil, me çështje të zgjidhura rajonale, mund të jetë treg atraktiv për vendet lartë të zhvilluara. Në këtë kontekst, kryetari Xhaferi e përmendi Marrëveshjen e nënshkruar me Republikën e Bullgarisë, e cila marrëveshje tani më filloi të japë rezultate konkrete a e theksoi edhe komunikimin intensiv me Republikën e Greqisë në drejtim të gjetjes së zgjidhjes së pranueshme të ndërsjellë për kontestin shumëvjeçar. Të gjitha këto përpjekje do të duhet të rezultojnë me ftesën tonë për anëtarësim të plotfuqishëm në NATO dhe pëlqim nga ana e Këshillit të Evropës për fillimin e negociatave për anëtarësim të plotfuqishëm në BE në qershor të këtij viti. 

Zonja Gojkoviq, nënvizoi se vizita e kryetarit Xhaferi jep mesazh të qartë për rajonin dhe për BE-në se Republika e Serbisë dhe Republika e Maqedonisë bashkëpunojnë dhe shprehin gatishmëri të ndajnë përvoja në nivel të komisioneve dhe shërbimeve ndërmjet dy parlamenteve. Ajo theksoi se, procesi i Berlinit është format i rëndësishëm i bashkëpunimit të BE me Ballkanin Perëndimor por, nuk guxon të lejohet që të jetë zëvendësim për proces të vërtetë eurointegrues. 

Kryetari Xhaferi, në fund të takimit, potencoi se tani i kemi të gjitha parakushtet që ti shlyejmë të gjitha paragjykimet e vjetra dhe stereotipat dhe të veprojmë në përputhje me kohën dhe vlerat e promovuara të demokracisë dhe fqinjësisë së mirë. 


Click