E enjte, 5 mars 2020
Takim i Kryetarit Xhaferi me Kryetarin e Këshillit Nacional të Republikës së Austrisë, Volfgang Sobotka
Kryetari i Kuvendit të Republikës së Maqedonisë së Veriut, Talat Xhaferi u takua me Kryetarin e Këshillit Nacional të Republikës së Austrisë, Volfgang Sobotka. i cili qëndron në vizitë pune njëditore në shtet. Në takim ishin të pranishëm edhe nënkryetari i Kuvendit të Republikës së Maqedonisë së Veriut Goran Misovski, kryetari i Grupit parlamentar për bashkëpunim me Parlamentin e Republikës së Austrisë, Rexhail Ismaili, dhe sekretari i përgjithshëm i Kuvendit të Republikës së Maqedonisë së Veriut, Cvetanka Ivanova.
Kryetari Xhaferi shprehu kënaqësi për takimin e sërishëm dhe theksoi se nëpërmjet këmbimit të vizitave në nivelin më të lartë, të dy kryetarët bashkërisht tregojnë përkushtim për zhvillimin e marrëdhënieve më të afërta, për intensifikimin e bashkëpunimit parlamentar dhe këmbimin e përvojave. Ai, në emër të Kuvendit shprehu falënderim për aktivitetet që i ndërmerr pala austriake për mbështetjen e vendit tonë në procesin e aderimit në Bashkimin Evropian dhe për marrjen e datës për negociata. Më tej, informoi se edhe krahas dëshpërimit të madh nga mosmarrja e vendimit të njëzëshëm të Këshillit Evropian për fillimin e negociatave në tetor të vitit 2019, mbetëm të përqendruar në qëllimin tonë, anëtarësimi i plotfuqishëm në Bashkimin Evropian dhe nuk i lamë anësh reformat, por përkundrazi, në ditët e fundit të këtij mandati parlamentar arritëm të miratojmë zgjidhje të rëndësishme ligjore. Kjo, theksoi Xhaferi, ishte shënuar edhe në raportin e përditësuar për Maqedoninë e Veriut, të publikuar më 2 mars, në të cilin Komisioni Evropian nënvizoi se bazat për rekomandimin në vitin 2019 për hapjen e negociatave për aderim me Maqedoninë e Veriut, mbesin të vlefshme.
Duke e vlerësuar bashkëpunimin bilateral si të shkëlqyer, Kryetari Sobotka informoi se në Këshillin Nacional të Austrisë para do kohe u formua Grupi parlamentar për bashkëpunim me Kuvendin e Republikës së Maqedonisë së Veriut. Ai potencoi se edhe kreu shtetëror i Austrisë ka qenë i dëshpëruar nga mosmarrja e vendimit për fillimin e negociatave, por se Austria mbetet mbështetës i fuqishëm i vendit tonë në procesin e eurointegrimit. Ai shprehu pritjen se që në mars do të merret vendim pozitiv për Republikën e Maqedonisë së Veriut, ndërsa në raport me metodologjinë e re, shprehu shpresë se ajo do e përshpejtojë procesin e aderimit. Spikeri Sobotka e përshëndeti kryesimin e përbashkët të Republikës së Maqedonisë së Veriut dhe Republikës së Bullgarisë me Procesin e Berlinit dhe u zotua për përfshirje më të madhe të parlamenteve në proces.
Të dy kryetarët shprehën shpresë se edhe në të ardhme të dyja dhomat ligjvënëse do të vazhdojnë të kultivojnë marrëdhënie të afërta dhe miqësore, si në nivel të deputetëve, ashtu edhe në nivel të shërbimeve, dhe në këtë kontekst, nënshkruan Letër për qëllime për themelimin e punëtorive për demokraci, sipas shembullit të atyre që funksionojnë në Parlamentin austriak. Nëpërmjet këtyre punëtorive, parashikohet që të rinjve tu jepet mundësi të njoftohen drejtpërdrejtë me rolin e parlamentit dhe në këtë mënyrë të nxitet zhvillimi i vetëdijes së tyre për demokracinë dhe të inkurajohen për të menduarin politik kritik dhe përfshirjen e tyre. U përshëndet edhe programi i Parlamentit austriak për ndarjen e bursave për nëpunësit parlamentarë me qëllim të përforcimit të demokracisë në rajonin e Ballkanit Perëndimor.