Udhëheqja parlamentare

E mërkurë, 16 maj 2018

TAKIM I KRYETARIT XHAFERI ME PRESIDENTIN E MËPARSHËM TË REPUBLIKËS SË SLLOVENISË, Z. MILAN KUÇAN 

Kryetari i Kuvendit të Republikës së Maqedonisë, z. Talat Xhaferi sot realizoi takim me presidentin e mëparshëm të Republikës së Sllovenisë, z. Milan Kuçan. Në takim ishin të pranishëm deputetët e Grupit parlamentar për bashkëpunim me Parlamentin e Republikës së Sllovenisë, z-nja Frosina Tashevska Remenski, z-nja Shpresa Hadri dhe z. Nexhmetin Karemani. 

Kryetari Xhaferi shprehu kënaqësi për marrëdhëniet e shkëlqyera ndërmjet dy vendeve, marrëdhënie pa çështje të hapura, dhe falënderim për përkrahjen e vazhdueshme dhe parimore të Republikës së Sllovenisë ndaj Republikës së Maqedonisë për anëtarësim në NATO dhe në BE. Ai e informoi bashkëbiseduesin për ndodhitë në Republikën e Maqedonisë në vitin e kaluar, për nxjerrjen e pakos së ligjeve reformuese bashkë me opozitën, si pjesë e fushave me prioritet të Planit 3-6-9, për nënshkrimin dhe ratifikimin e Marrëveshjes me Republikën e Bullgarisë në pjesën e përmirësimit të marrëdhënieve me fqinjët dhe intensifikimin e bisedave me Republikën e Greqisë për tejkalimin e kontestit rreth çështjes së emrit të Republikës së Maqedonisë. 

Presidenti Kuçan, si dëshmitar personal i pavarësimit të shtetit të Maqedonisë, theksoi se vendi, edhe përskaj ballafaqimit me pengesa në marrëdhëniet e brendshme, është ballafaquar edhe me pengesa në marrëdhëniet e jashtme me fqinjët, pengesa të cilat nuk varen vetëm prej vullnetit të mirë të Maqedonisë, as prej angazhimeve të saj. Në lidhje me Samitin e ardhshëm në Sofje, presidenti i mëparshëm Kuçan, shprehu shpresë se i njëjti do i debllokojë proceset integruese për vendet e Ballkanit Perëndimor, procese që ishin bllokuar për shkak të pamundësisë për fillimisht, thellimin e marrëdhënieve të brendshme ndërmjet vendeve të Unionit, që si konsekuencë duhej të sjellë deri në pranimin e vendeve të reja anëtare. Sllovenia, çdoherë do e përkrahë Maqedoninë në aspiratat e saj eurointegruese, sidomos për shkak të faktit që vendi arriti të demonstrojë vendosmëri dhe përmbushje të pjesës së vetë të detyrës ndaj Bashkimit Evropian dhe NATO-s, dhe tani mbet që ato ta përmbushin pjesën e vet të asaj detyre. 

Bashkëbiseduesit ishin të një mendimi për domethënien e bashkëpunimit të deritanishëm të shkëlqyer ndërmjet parlamenteve të Republikës së Maqedonisë dhe Republikës së Sllovenisë, sidomos për nevojën për intensifikimin e të  njëjtës në të ardhme.  

Click