Udhëheqja parlamentare

E premte, 17 nëntor 2017

TAKIM I KRYETARIT XHAFERI ME Z. TOMAS GREMINGER, SEKRETARIN GJENERAL TË OSBE-së 

Kryetari i Kuvendit të Republikës së Maqedonisë, z. Talat Xhaferi, sot realizoi takim me Sekretarin e ri gjeneral të OSBE-së, z. Tomas Greminger. 

Në fillim të takimit, kryetari Xhaferi shprehu kënaqësi nga realizimi i takimit dhe shpresë se edhe në të ardhmen do të vazhdojë bashkëpunimi i frytshëm me OSBE-në. Kryetari shprehu kënaqësi nga miratimi konsensual i vendimit për plotësimin e katër pozitave më të larta në Organizatë, në këshillin e jashtëzakonshëm ministror që u mbajt në korrik të këtij viti. 

Kryetari Xhaferi theksoi se Republika e Maqedonisë e vlerëson lartë rolin e OSBE-së në zhvillimin demokratik të vendit dhe njëkohësisht shprehu falënderim për përkrahjen e vazhdueshme që Misioni ia jep Republikës së Maqedonisë, si një nga misionet aktive më të vjetra prej pavarësimit.

Ai gjithashtu nënvizoi se Kuvendi i Republikës së Maqedonisë merr pjesëmarrje aktive në punën e Asamblesë parlamentare të OSBE-së dhe në tetor të vitit të kaluar, Kuvendi ishte mikpritës dhe bashkë-organizator i Sesionit të pesëmbëdhjetë të vjeshtës të AP të OSBE-së. 

Sekretari gjeneral i OSBE-së, z. Tomas Greminger, u falënderua për mundësinë të takohet me kryetarin e Kuvendit dhe shprehu falënderim për respektin e lartë që Republika e Maqedonisë e tregon ndaj rolit të OSBE-së dhe strukturave të saj.

Ai shprehu kënaqësi për tejkalimin e suksesshëm të krizës politike, për zbatimin e zgjedhjeve të qeta lokale dhe për fillimin e procesit reformues. Z.Greminger theksoi se krijimi i institucioneve të fuqishme, transparente dhe të hapura është kryesore për stabilizimin e vendit dhe rajonit në tërësi.   

Në takim u bë fjalë për ngjarjet e 27 prillit, me ç'rast kryetari Xhaferi shprehu mirënjohje për përkrahjen e deklaruar nga përfaqësuesit e lartë të OSBE-së.

Kryetari Xhaferi nënvizoi se vendi e çmon veçanërisht angazhimin dhe kontributin e OSBE/ODIHR për zbatimin e zgjedhjeve lokale të qeta dhe transparente.

Ai potencoi se është thelbësore të kthehet roli mbikëqyrës i Kuvendit dhe të punohet në drejtim të arritjes së transparencës dhe hapjes më të madhe të Kuvendit si edhe kthimit të besimit të qytetarëve në shtëpinë ligjvënëse. 

Në fund të takimit, bashkëbiseduesit u pajtuan se nevojitet thellim dhe intensifikim i bashkëpunimit konstruktiv të ndërsjellë për të mirën e vendit dhe të rajonit. 

Click