Pratenichki sostav
 
LEGJISLATURA E DEPUTETËVE

E hënë, 2 shtator 2019

Takim i Kryetarit Xhaferi me zëvendësshefin e delegacionit të BE dhe ekipin ekspert të Projektit të BE për „Mbështetjen e Kuvendit në implementimin e reformave"

Sot Kryetari Xhaferi kishte takim protokollar me zëvendësshefin e delegacionit të BE në Shkup, z. Julian Vasalo, mirëpo ky takim njëkohësisht shënoi edhe përfundimin e projektit dyvjeçar të financuar nga Bashkimi Evropian "Mbështetje e Kuvendit në implementimin reformave". Në takim, përveç Kryetarit Xhaferi ishte e pranishme edhe Sekretarja e Përgjithshme Ivanova dhe dy ekspertët që e zbatonin projektin, z. Edmond Miletiq dhe z. Tibor Drashkoviq.

Kryetari Xhaferi i uroi mirëseardhje dhe punë të suksesshme zëvendësshefit të ri të Delegacionit dhe dha një hyrje të shkurtër për periudhën e kaluar të bashkëpunimit me Delegacionin e BE, duke e theksuar me këtë rast kënaqësinë dhe mirënjohjen për kontributin në arritjen e rezultateve dhe reformave në Kuvend. E përmendi Planin strategjik i cili është dokument ambicioz i cili është baza mbi të cilën planifikohet përmirësimi i funksionimit të Kuvendit, mirëpo nuk e anashkaloi edhe Dialogun Zhan Mone dhe frutat e kësaj mënyre të re të dialogut të hapur dhe të sinqertë ndërmjet përfaqësuesve politikë në dhomën ligjvënëse. Me këtë rast, falënderoi ekipin e ekspertëve të kualifikuar të cilët gjatë dy viteve të implementimit intensiv të projektit, në bashkëpunim me Kuvendin përpiluan disa dokumente me qëllim të mbështetjes së procesit rrjedhës reformues. Ekipi ekspert ndihmoi në përpilimin e Kodit etik dhe të amendamenteve të Rregullores në kuadër të Dialogut aktual Zhan Mone të mbështetur nga Parlamenti Evropian.

Në kuadër të projektit u mundësuan trajnime për shërbimin e Kuvendit, për këshilltarët e trupave të Kuvendit dhe të grupeve parlamentare. Në plotësim, u përpiluan dokumente dhe rekomandime për përforcimin e pavarësisë financiare dhe administrative të Kuvendit, për koordinimin ndërmjet Kuvendit me Qeverinë dhe për funksionin mbikëqyrës të Kuvendit.

Z. Vasalo falënderoi për takimin dhe vlerësoi se Kuvendi, edhe përskaj agjendës së ngjeshur bëri shumë në drejtim të llogaridhënies, transparencës dhe funksionimit, për çka konfirmim është Raporti për përparimin e vendit dhe prandaj u pajtua me Kryetarin Xhaferi se është krejtësisht e merituar të presim që vendimi i Këshillit në tetor të jetë pozitiv.

Të dy ekspertët falënderuan për bashkëpunimin dhe për raportin profesional të shërbimit të Kuvendit dhe pohuan se Kuvendi ka bazë të shkëlqyer për arritjen e qëllimeve të parashtruara, respektivisht pavarësinë financiare, shërbim dhe sigurim të pavarur.

Sekretarja e Përgjithshme Ivanova gjithashtu u pajtua me bashkëbiseduesit paraprakë në raport me bashkëpunimin e hapur dhe të sinqertë me dy ekspertët, me ç'rast ajo pohoi se Kuvendi mbetet i hapur për bashkëpunim të mëtutjeshëm me zyrën e Bashkimit Evropian në Maqedoninë e Veriut. 

 
a

Na ndiqni në: