Udhëheqja parlamentare

E premte, 25 maj 2018

Takime tjera të kryetarit Xhaferi gjatë vizitës zyrtare në Republikën e Serbisë 

Vizita zyrtare e kryetarit të Kuvendit të Republikës së Maqedonisë, z. Talat Xhaferi dhe anëtarëve të Grupit parlamentar për bashkëpunim me Kuvendin e Republikës së Serbisë, vazhdoi sipas programit të parashikuar paraprakisht dhe në përputhje me të njëjtin, u realizuan edhe disa takime të tjera. 

Takimi i parë ishte me nënkryetarin e Kuvendit të Republikës së Serbisë, prof. Vlladimir Marinkoviq i cili ishte në shoqërim të anëtarëve të Grupit parlamentar për bashkëpunim me Kuvendin e Republikës së Maqedonisë. Takimi realizohej në atmosferë të përzemërt dhe miqësore, që dëshmon për afërsinë dhe lidhjet e përbashkëta të dy vendeve fqinjësore të cilat kanë pasur të kaluar të përbashkët në historinë e afërt. Bashkëbiseduesit bashkërisht konstatuan se ekziston dëshirë për bashkëpunim të ndërsjellë dhe shfrytëzim të të gjitha potencialeve dhe resurseve për përparim të vazhdueshëm të marrëdhënieve të ndërsjella të dy vendeve miqësore dhe fqinjësore, a me këtë do të inkurajohej dhe nxitej prosperiteti i të dy shteteve, mirëpo edhe i rajonit. Bazë e mirë për arritjen e këtij qëllimi është vazhdimi i praktikës së mbajtjes së seancave të përbashkëta të dy qeverive ku do të shqyrtoheshin çështje që janë me interes për zhvillimin e dy vendeve. Kryetari Xhaferi theksoi se të dy vendet duhet doemos të promovojnë marrëdhënie të mira fqinjësore dhe të paraqiten bashkërisht atje ku kanë prioritete të njëjta, siç është anëtarësimi në BE dhe të aplikojnë bashkërisht para palëve të treta për tërheqjen e investimeve për përparimin e rajonit. 

Takimi i dytë i kryetarit të Kuvendit të Republikës së Maqedonisë ishte me kryetaren e Unionit Interparlamentar, zonjën Gabriella Kuevas Baron e cila ishte në Beograd në kuadër të Seminarit rajonal të IPU-s me temën: “Bashkëpunimi parlamentar për zhvillim të qëndrueshëm: Lufta kundër varfërisë dhe përparimi i shëndetësisë.” Kryetari Xhaferi ishte i pranishëm në hapjen e seminarit në të cilin ishin të pranishëm edhe deputetët e Kuvendit të Republikës së Maqedonisë. Në fillim të takimit me z-njën Baron, z. Xhaferi shprehu kënaqësi që në krye të IPU-s është një grua dhe e përuroi sinqerisht për këtë ndërsa në vazhdim e informoi për hapat e ndërmarra në Kuvend në drejtim të përmirësimit të përfaqësimit të grave në politikë dhe për rezultatin konkret nga ato hapa, respektivisht, arritjen e përfaqësimit prej 40%. Hap tjetër konkret në drejtim pozitiv është edhe angazhimi që Kuvendi i Republikës së Maqedonisë seriozisht të riaktivizohet në të gjitha organizatat ndërkombëtare për arsye se ato janë forume në të cilat vendosen kontakte dhe bashkëpunime të drejtpërdrejta ndërmjet parlamentarëve a diplomacia parlamentare është mënyra më e mirë për këtë. Në këtë kontekst, kryetari Xhaferi ofroi që Kuvendi i Republikës së Maqedonisë të jetë mikpritës i ndonjërit nga seminaret rajonale të IPU-s për tema për të cilat do të akordohen gjatë periudhës së ardhshme. 

Kryetarja Baron u falënderua për urimet dhe mbështetjen e kandidimit të saj  dhe fliste për prioritetet e saj në raport me IPU-n, union i cili ka lindur në Ballkan, dhe këto janë: modernizimi i IPU-s dhe gjetja e mënyrës edhe për inkuadrimin e vendeve që nuk janë anëtare të IPU-s me parashtrimin e amendamenteve për të cilat do të debatohej në sesionin e ardhshëm. Ideja për zgjerimin e grupit 12 plus kurse Maqedonia të jetë vend kandidat, për të ishte e mirëseardhur a e përshëndeti edhe idenë që Maqedonia të jetë mikpritës i seminarit të ardhëm rajonal, për arsye se për të është me rëndësi që Maqedonia të jetë gjithmonë aktive në IPU. 

Në fund të vizitës zyrtare në Republikën e Serbisë, kryetari Xhaferi e vizitoi komunën e Preshevës ku ishte pritur ngrohtë nga kryetari i komunës së Preshevës, z. Shqiprim Arifi, kryetari i Këshillit Komunal, z. Sami Salihu dhe e tërë udhëheqësia komunale. Në takim, kryetari Xhaferi i informoi bashkëbiseduesit për të dhënat më të reja në raport me nismën për hapjen e kalimit kufitar Miratoc – Llojan, gjë që është nevojë esenciale e banorëve lokalë në të dyja anët e kufirit, të cilët ballafaqohen me vështirësi gjatë kryerjes së nevojave të tyre të përditshme. Pritet që kjo çështje urgjente të jetë një nga pikat e seancës së përbashkët të ardhshme të qeverive të të dy shteteve. Kryetari i komunës z. Arifi, e informoi kryetarin Xhaferi për bashkëpunimin ndërkombëtar të komunës së Preshevës me disa komuna nga Maqedonia me të cilat bashkëpunojnë dhe paraqiten bashkërisht për fitimin e fondeve IPARD. 

Përveç takimeve të realizuara në Republikën e Serbisë, kryetari Xhaferi dha edhe intervista për disa shtëpi mediatike siç janë RTS, N1, televizioni BETA dhe mediume tjera. Me këtë rrumbullakohet vizita zyrtare në Republikën e Serbisë.

Click