Udhëheqja parlamentare

E premte, 27 tetor 2017, Budapest

Тakimet i kryetarit Xhaferi me z. Ivan Brajoviq, z-njën Maja Gojkoviq dhe z. Kadri Veseli, kryetarë të parlamenteve të Malit të Zi, të Republikës së Serbisë dhe të Republikës së Kosovës

Sot,  kryetari i Kuvendit të Republikës së Maqedonisë, z. Talat Xhaferi, në kuadër të pjesëmarrjes në Konferencën e kryetarëve të parlamenteve të vendeve të Ballkanit Perëndimor që mbahet në Budapest, realizoi takim bilateral me z. Ivan Brajoviq, kryetarin e Kuvendit të Malit të Zi.

Kryetari Xhaferi, shprehu kënaqësi të veçantë nga marrëdhëniet bilaterale miqësore dhe konstruktive, të cilat zhvillohen pa çështje të hapura, me prioritete strategjike të jashtme-politike të njëjta – anëtarësim i plotfuqishëm në NATO dhe BE të Republikës së Maqedonisë dhe anëtarësim në BE të Malit të Zi.  Impuls i veçantë për angazhimet euroatlantike dha edhe mbajtja e paradokohshme e suksesshme e Samitit të Kartës Adriatike në Podgoricë, ku Republika e Maqedonisë ishte bashkë-kryesues. Z. Xhaferi theksoi se Republika e Maqedonisë është e interesuar për intensifikimin e bashkëpunimit politik dhe të sigurisë në kontekst të NATO-s dhe ndarjen e përvojave të Malit të Zi në këtë plan.

Z. Brajoviq, shprehu bindje se Mali i Zi edhe më tutje do të japë përkrahje të fuqishme  në rrugën e integrimeve euroatlantike të Republikës së Maqedonisë a njëkohësisht shprehu edhe pritje se perspektiva evropiane do të bëhet realitet për të gjitha vendet-aspiruese për anëtarësim në BE. Sipas tij, anëtarësimi i Malit të Zi në NATO kontribuon për sigurinë e të gjithë rajonit.

Në takimin me kryetaren e Parlamentit të Republikës së Serbisë, z-nja Maja Gojkoviq, ia uroj zgjedhjen z. Xhaferit në funksionin e kryetarit të Kuvendit të Republikës së Maqedonisë. Me këtë rast, kryetari Xhaferi shprehu kënaqësi që të dy shtetet kanë dialog politik në të gjitha nivelet, ndërsa fakti që komunikimi i përgjithshëm dhe bashkëpunimi në planin bilateral, rajonal dhe multilateral është konstruktiv, mundëson qasje të hapur dhe pozitive në zgjidhjen e çështjeve që janë me interes të ndërsjellë.

Z-nja Gojkoviq theksoi se Parlamenti i Republikës së Serbisë është i përgatitur ta vazhdojë dhe ta përparojë komunikimin me Kuvendin e Republikën e Maqedonisë, sidomos në nivel të grupeve për bashkëpunim të cilat janë formuar në të dy parlamentet. Ajo theksoi se përparësia e diplomacisë parlamentare është në atë se mundet çdoherë të realizohet bashkëpunim më i përafërt, që të munden në tërësi të realizohen nevojat e qytetarëve. Të dy kryetarët shprehën gatishmëri për koordinim gjatë procedurës së ratifikimit të marrëveshjeve që do i nënshkruajnë qeveritë e të dyja vendeve.

Në takimin me z. Kadri Veselin, kryetarin e Parlamentit të Republikës së Kosovës, kryetari Xhaferi theksoi se marrëdhëniet dhe bashkëpunimi bilateral ndërmjet dy vendeve janë miqësore dhe konstruktive dhe shprehu bindje se të njëjtat do të përforcohen dhe do të jenë shumë më intensive në të ardhmen, në të gjitha fushat me interes të përbashkët. Në veçanti ishte shprehur besim në përkrahjen e ndërsjellë në planin e integrimit evropian dhe euroatlantik të të dy shteteve. 

Zotëri Veseli sugjeroi për nevojën që të zgjidhen çështjet që kanë të bëjnë me këmbimin e studentëve, respektivisht, të mundësohet lëvizje e lirë dhe qëndrim me anë të lehtësimeve ligjore. Për këtë qëllim, u propozua që komisionet përkatëse të arsimit në të dy parlamentet dhe Ministritë përkatëse për punë të Jashtme dhe për Punë të Brendshme, të gjejnë zgjidhje të përbashkët për realizimin e këtij qëllimi. 

Në planin e bashkëpunimit ndërparlamentar, z.Xhaferi informoi se në Kuvendin e Republikës së Maqedonisë është formuar Grupi i deputetëve për bashkëpunim me Parlamentin e Republikës së Kosovës, me ç’rast u shpreh pritje se grup i atillë do të formohet edhe në parlamentin kosovar, që të fillojnë takime më të përafërta dhe këmbim i përvojave nga puna parlamentare, politika ndërkombëtare dhe çështje të tjera aktuale.

Bashkëbiseduesit ndanë bindje të përbashkët se bashkëpunimi ndërparlamentar do të intensifikohet dhe do të përparohet, me qëllim të vetëm që bashkërisht të kontribuohet kah bashkëpunimi i përgjithshëm ndërshtetëror. 

Click