Udhëheqja parlamentare

E martë, 28 nëntor 2017, Stokholm

TAKIMI I KRYETARIT XHAFERI DHE DELEGACIONIT TË KUVENDIT ME Z. URBAN ALIN, KRYETAR I RIKSDAGUT TË  SUEDISË

Kryetari i Kuvendit të Republikës së Maqedonisë, z. Talat Xhaferi, dhe anëtarët e delegacionit zyrtar, deputetët Frosina Tashevska Remenski, Ejup Alimi dhe Fadil Zendeli, u takuan me z. Urban Alin, Kryetar i Riksdagut të Suedisë.

Në takim morën pjesë edhe dy deputetë nga Riksdagu i Suedisë, z. Piri Niemi nga Partia socialdemokrate dhe z-nja Agneta Borjeson nga Partia e gjelbër.

U shpreh kënaqësi nga niveli i lartë i marrëdhënieve bilaterale dhe bashkëpunimi bilateral ndërmjet Republikës së Maqedonisë dhe Mbretërisë së Suedisë, që karakterizohen me mirëkuptim të ndërsjellë dhe bashkëpunim aktiv.
Theks i veçantë u vu mbi Deklaratën e nënshkruar para do kohe për bashkëpunim ndërmjet Republikës së Maqedonisë dhe Mbretërisë së Suedisë, me të cilën riafirmohet përkrahja për prioritetet tona strategjike dhe definohen fusha konkrete me interes të përbashkët në plan bilateral dhe multilateral, si edhe në Vendimin e Qeverisë së Suedisë për ndihmë financiare dhe projektuese për vendet e rajonit të Ballkanit Perëndimor.

Me këtë rast, z. Xhaferi, nënvizoi se në interes të dy parlamenteve dhe të dy shteteve në përgjithësi është intensifikimi dhe përforcimi i komunikimit të ndërsjellë, që në masë të konsiderueshme do të kontribuojë kah pasurimi i marrëdhënieve të përgjithshme të ndërsjella. Kryetari i Kuvendit të Republikës së Maqedonisë, e informoi homologun e vet për aktivitetet e Kuvendit në periudhën e ardhshme, kur prej nesh pritet të tregojmë rezultate konkrete nga implementimi i reformave të nënvizuara në Planin 3-6-9. Kjo do na japë të drejtë të presim nga BE-ja ta heqë kushtëzimin e rekomandimit për fillimin e negociatave aderuese. 

Kryetari i Riksdagut suedez, z. Alin, e përshëndeti mbajtjen e suksesshme të zgjedhjeve parlamentare vitin e kaluar, si edhe zgjedhjen e zotëri Xhaferit për kryetar të Kuvendit të Republikës së Maqedonisë. Mbretëria e Suedisë ishte ndër vendet e para që e bëri këtë ndërsa parlamenti suedez dhe kryetari i Parlamentit e njohën momentin e tranzicionit demokratik të shtetit dhe drejtuan ftesë për realizimin e kësaj vizite për të cilën besojnë se konsiderueshëm do të reflektohet në përforcimin e marrëdhënieve të ndërsjella por edhe në përkrahjen e mëtutjeshme të sinqertë dhe të fortë të integrimeve euroatlantike të Republikës së Maqedonisë.

Kryetari i Kuvendit i njoftoi bashkëbiseduesit me hapin pozitiv përpara në zhvillimin e marrëdhënieve të mira fqinjësore, respektivisht nënshkrimin e Marrëveshjes me Republikën e Bullgarisë, ratifikimi i së cilës pritet deri në fund të këtij viti, si edhe intensifikimi i kontakteve ndërmjet ministrive të punëve të Jashtme të Republikës së Maqedonisë dhe Republikës së Greqisë. Këto nisma pozitive u përshëndetën edhe nga partnerët ndërkombëtarë dhe paraqesin nxitje për ndërtimin e mëtutjeshëm të bashkëpunimit të fuqishëm rajonal. Me këtë rast, z. Alin theksoi se vetëm shtete të përparuara kanë fqinjë të përparuar, të cilët ndihmohen dhe përkrahen në mënyrë të përbashkët. Prandaj, Suedia jep përkrahje të fuqishme për këto nisma për të cilat beson se do të sjellin deri në hapa të mëdha dhe pozitive në planin e integrimit të Republikës së Maqedonisë në BE dhe NATO, për të mirën e qytetarëve të Republikës së Maqedonisë.

Gjatë takimit ishin këmbyer këndvështrime për më shumë çështje aktuale si reforma e sektorit mbrojtës, që pritet të përfundojë në maj të vitit të ardhshëm, reformat ekonomike në planin e ngritjes së standardit të qytetarëve nëpërmjet vendosjes së pagës minimale, nxjerrjes së ligjit për gjelbërim urban me të cilin Republika e Maqedonisë do të bëjë hap të fuqishëm në mbrojtjen e ambientit njerëzor dhe ngritjen e vetëdijes ekologjike, si edhe për çështje tjera me interes të përbashkët. Në këtë kontekst, z. Xhaferi e konfirmoi gatishmërinë e Republikës së Maqedonisë për të dhënë përkrahje për kandidimin e Suedisë si anëtare e Këshillit të Organizatës Ndërkombëtare Detare (IMO) në bazë reciproke dhe miqësore.

Bashkëbiseduesit potencuan se bashkëpunimi më intensiv ndërmjet dy parlamenteve do të kontribuojë për përforcimin e përkrahjes suedeze ndaj procesit euroatlantik të Republikës së Maqedonisë, përkrahje e cila decenieve të kaluara ka qenë e vazhdueshme, e qartë dhe e padyshimtë dhe e cila gjithmonë shkon në drejtim të zbatimit të politikës së zgjerimit të BE në një kornizë më të gjerë të sigurisë, stabilitetit, demokracisë dhe sundimit të të drejtës në Evropë.

Dy kryetarët ndanë bindje dhe pritje të përbashkëta se bashkëpunimi bilateral ndërmjet dy parlamenteve do të vazhdojë edhe në të ardhmen me një ritëm të pa ngadalësuar, me çka deputetët e dy parlamenteve do të kenë mundësi që së afërmi të këmbejnë mendime dhe përvoja nga puna parlamentare, politika ndërkombëtare dhe çështje të tjera aktuale. 

Click