Udhëheqja parlamentare

E premte, 23 qershor 2017 

TAKIMI I KRYETARIT XHAFERI ME AMBASADORIN E POLONISË MULTANOVSKI  

Kryetari i Kuvendit të Republikës së Maqedonisë, z. Talat Xhaferi sot realizoi takim me ambasadorin e Republikës së Polonisë në Republikën e Maqedonisë, z.  Jecek Multanovski.  Ai ia uroi zgjedhjen kryetarit të Kuvendit të Republikës së Maqedonisë dhe i përcolli vërejtje pozitive për ngjarjet e fundit në Republikën e Maqedonisë. 

Ambasadori Multanovski theksoi se Republika e Polonisë plotësisht e mbështet qeverinë e sapozgjedhur në Republikën e Maqedonisë, duke shfaqur shpresë se ngjarjet e fundit do të shpijnë në stabilizim të shpejtë të vendit dhe se situata e re në të cilën gjendemi do të kontribuojë në realizimin e të gjitha reformave të nevojshme të cilat do ta afrojnë RM-në në BE dhe NATO.  

Kryetari Xhaferi shprehu falënderim për mbështetjen dhe urimet, duke theksuar se përpjekjet e Republikës së Polonisë për arritjen e qëllimit tonë drejt anëtarësimit në BE dhe NATO janë të mirëseardhur për Republikën e Maqedonisë.  

Njëkohësisht, kryetari Xhaferi e informoi ambasadorin për aktivitetet rrjedhëse të Kuvendit, duke theksuar se Kuvendi punon me funksionalitet të plotë, me ç'rast janë formuar trupa punues dhe se punohet në formimin e delegacioneve dhe grupeve për bashkëpunim bilateral.

Ai, gjithashtu, theksoi se Kuvendi është i hapur dhe transparent ndaj shoqërisë civile në të gjitha aspektet dhe kjo do të plotësohet përmes mundësisë për ndjekje të seancave plenare të Kuvendit nga ana e qytetarëve dhe përmes mbështetjes së iniciativave civile të cilat do të mund shfrytëzojnë hapësirat e Kuvendit të RM-së.  

Ambasadori Multanovski theksoi se zgjerimi i BE-së është element i rëndësishëm për stabilizimin e Ballkanit, prandaj marrëdhëniet e mira fqinjësore dhe komunikimi i drejtpërdrejtë nevojiten për krijimin e energjisë pozitive.

Gjithashtu, Kryetari Xhaferi theksoi se fokusi i Kuvendit është ngritja e rejtingut si dhomë legjislative në shërbim të qytetarëve.

Në fund të takimit, bashkëbiseduesit u pajtuan se bashkëpunimi bilateral ndërmjet të dyja vendeve do të vazhdojë të thellohet.  

Click