Udhëheqja parlamentare

E enjte, 6 korrik 2017

Takimi i Kryetarit Xhaferi me ambasadorin iranian, Karimi

Kryetari i Kuvendit të Republikës së Maqedonisë, z. Talat Xhaferi, sot realizoi takim me ambasadorin e Iranit në Republikën e Maqedonisë, z. Hossein Karimi. 

Në fillim të takimit, ambasadori shprehu urime për zgjedhjen e z. Talat Xhaferit për Kryetar të Kuvendit të Republikës së Maqedonisë, duke i dëshiruar suksese në punën e mëtejshme dhe e  shfrytëzoi rastin që t'ia dorëzojë edhe telegramin e urimit të dërguar nga Presidenti i Republikës Islamike të Iranit, z. Hassan Rouhani.

Ambasadori Karimi theksoi se, Irani ka ndjekur me vëmendje zhvillimet e fundit në Republikën e Maqedonisë, me ç'rast atij personalisht i kishte lënë përshtypje gjallëria e partive politike dhe e  shoqërisë civile, si edhe tendenca për t'i respektuar rregullat e shoqërisë demokratike gjatë ngjarjeve të fundit të cilat i vlerëson si faktorë kyç të proceseve demokratike që mundësuan zgjidhjen e krizës politike në vend.

Kryeparlamentari, z. Talat Xhaferi falënderoi ambasadorin për uratat dhe mbështetjen, duke theksuar se falë mbështetjes së qytetarëve dhe përkushtimit politik, u arrit që me sukses të tejkalohet kriza politike në vend. Gjithashtu, Kryeparlamentari nënvizoi se Republika e Maqedonisë ka përcaktime demokratike dhe është e orientuar kah anëtarësimi në BE dhe NATO. 

Z. Hossein Karimi shprehu bindjen se Parlamenti i Republikës së Maqedonisë ka dhe mund të luajë rol të rëndësishëm dhe konstruktiv në ndërtimin e të ardhmes së këtij vendi, si në aspektin e vendimmarrjes ashtu edhe në aspekt të ruajtjes së unitetit të vendit. Gjithashtu, ai theksoi se Irani është i përkushtuar në krijimin e marrëdhënieve pozitive dhe bashkëpunimeve me të gjitha vendet e Ballkanit, ndërsa vëmendje të veçantë i kushton edhe krijimit të raporteve të mira me vendet Evropiane.

Gjithashtu, Kryeparlamentari z. Xhaferi potencoi se Republika e Maqedonisë është e përqendruar në ndërtimin e të ardhmes më të mirë të vendit ndërsa në aspektin multilateral, duke e marrë parasysh që Republika e Maqedonisë është shtet me territor dhe numër të vogël të popullsisë, nuk mund të ketë ndikim të madh në politikën globale, por duke pasur pozitë gjeopolitike dhe strategjike të volitshme, synon të mbajë qëndrim të paanshëm dhe neutral duke krijuar marrëdhënie të mira me të gjitha vendet. 

Në fund të takimit, bashkëbiseduesit shprehën gatishmëri që të vazhdohet bashkëpunimi bilateral në mes dy vendeve në të gjitha nivelet institucionale, për mbrojtjen e paqes, stabilitetit dhe mirëqenies.

Click