Pratenichki sostav
 
LEGJISLATURA E DEPUTETËVE

E martë, 29 tetor 2019

Takimi i Kryetarit Xhaferi me Delegacionin e Odës Ekonomike të Maqedonisë – Turqisë

Kryetari i Kuvendit të Republikës së Maqedonisë së Veriut, Talat Xhaferi, dhe Grupi Parlamentar për Bashkëpunim me Parlamentin e Republikës së Turqisë në përbërje: Enes Ibrahim, kryetar, Amdi Bajram, Jusuf Hasani, Teuta Bilalli dhe Dragan Cuklev, anëtarë të Grupit Parlamentar, sot realizuan takim me Delegacionin e Odës Ekonomike të Maqedonisë - Turqisë (MATTO), i udhëhequr nga kryetari i MATTO Ajdovan Ademoski, i përbërë nga nënkryetari Eser Xhevahir, zëvendëskryetarët Imer Selmani dhe Turhan Ademi dhe drejtori ekzekutiv Shahpaz Molaliev. 

Në takim, u shkëmbyen mendimet dhe propozimet për përmirësimin e biznesit dhe avancimin e zhvillimit ekonomik të Republikës së Maqedonisë së Veriut, me ç'rast u vlerësua se marrëdhëniet intensive dhe miqësore bilaterale midis Republikës së Maqedonisë së Veriut dhe Republikës së Turqisë, hapin hapësirën për një bashkëpunim edhe më intensiv ekonomik midis të dyja vendeve.

Kryetari Xhaferi u shpreh i kënaqur për vendosjen e komunikimit dhe bashkëpunimit institucional midis Kuvendit të Republikës së Maqedonisë së Veriut dhe MATTO-s, duke e theksuar kontributin e rëndësishëm të shkëmbimit tregtar midis Maqedonisë së Veriut dhe Turqisë dhe investimeve turke në vend në flukset ekonomike dhe buxhetin e shtetit. Në të njëjtën kohë, ai e nënvizoi rëndësinë e bashkëpunimit të MATTO-s me të gjitha odat ekonomike në Republikën e Maqedonisë së Veriut. Duke theksuar se në periudhën e kaluar kontributi kryesor i bashkëpunimit ekonomik ishte përqendruar në Shkup dhe në pjesën juglindore të vendit, ai u zotua të rritë bashkëpunimin dhe investimet në pjesën perëndimore dhe jugperëndimore të Republikës së Maqedonisë së Veriut. Kryetari i Kuvendit theksoi se nuk ka ndonjë dallim ndërmjet deputetëve të pushtetit dhe opozitës në lidhje me çështjet ekonomike, përkatësisht ekziston një konsensus për nevojën për ta avancuar zhvillimin dhe bashkëpunimin ekonomik.

Kryetari i MATTO-s, Ajdovan Ademoski u shpreh i kënaqur që Dhoma Ligjvënëse është e hapur për komunitetin e biznesit dhe informoi se në MATTO anëtarësohen rreth 100 kompani eminente nga vendi dhe investitorë nga Republika e Turqisë, duke punësuar afro 10,000 qytetarë të Republikës së Maqedonisë së Veriut. Ai vuri në dukje se investimet turke në vend arritën në 2 miliard dollarë, ndërsa shkëmbimi i përgjithshëm tregtar midis Maqedonisë së Veriut dhe Turqisë tejkaloi 521 milion dollarë, me një angazhim për ta rritur atë në 1 miliard dollarë. Përfaqësuesit e MATTO-s u zotuan të liberalizojnë më tej Marrëveshjen e Tregtisë së Lirë midis Maqedonisë së Veriut dhe Turqisë, e cila do të rritë në masë të madhe vëllimin e tregtisë dhe do ta avancojë hyrjen e kompanive vendore në tregun turk. U theksua që MATTO-ja kryen veprimtari në fushën e përgjegjësisë shoqërore, siç janë bursat për nxënësit e shkollave të mesme dhe studentët, duke theksuar se Republika e Maqedonisë së Veriut mund të bëhet një "oazë e arsimit" nëse lehtësohet hyrja e studentëve të ardhshëm të huaj.

Në fund të takimit, Kryetari Xhaferi theksoi se Kuvendi i Republikës së Maqedonisë së Veriut mbetet i hapur për bashkëpunim me sektorin e biznesit dhe u bëri thirrje përfaqësuesve të MATTO-s që t’u drejtohen deputetëve për të gjitha çështjet e hapura, sepse përmes institutit "Pyetjet e Deputetëve", mund të jepet mendim mbi aktivitetet e tyre të biznesit dhe të inkurajohet Qeveria që t'i adresojë të gjitha sfidat. 

 
a

Na ndiqni në: