Pratenichki sostav
 
LEGJISLATURA E DEPUTETËVE

E hënë, 14 tetor 2019

Takimi i Kryetarit Xhaferi me Kryetarin e Kuvendit të Iranit, Ali Ardeshir Larixhani

Në kuadër të Asamblesë së 141-të të Unionit Interparlamentar (UIP), që mbahet nga 13 deri më 17 tetor 2019 në Beograd, Republika e Serbisë, u realizua takimi midis Talat Xhaferi, Kryetar i Kuvendit të Republikës së Maqedonisë së Veriut dhe Ali Ardeshir Larixhani, Kryetar i Kuvendit të Republikës Islamike të Iranit, me kërkesë të tij.

Kryetari Xhaferi dhe Kryetari Larixhani u shprehën të kënaqur me realizimin e takimit të parë bilateral midis kryetarëve të parlamenteve të Republikës së Maqedonisë së Veriut dhe Republikës Islamike të Iranit në kuadër të këtij forumi të rëndësishëm multilateral.

Kryetari Talat Xhaferi theksoi se marrëdhëniet ekonomike midis Maqedonisë së Veriut dhe Iranit janë shumë më poshtë se mundësitë për bashkëpunim të vërtetë ekonomik, megjithëse janë krijuar parakushtet për diversifikimin e tij. Ai theksoi se gjendja kontraktuese është e qëndrueshme, me tetë marrëveshje dhe kontrata të lidhura, por nevojiten përpjekje të mëtejshme për t'i kapërcyer pengesat për bashkëpunim ekonomik. Në të njëjtën kohë, Xhaferi tregoi se ka hapësirë për avancimin e bashkëpunimit midis Kuvendit të Republikës së Maqedonisë së Veriut dhe Kuvendit të Republikës Islamike të Iranit, si dhe bashkëpunimin kulturor midis të dyja vendeve, në pajtim me Marrëveshjen për Bashkëpunim Kulturor.

Kryetari i Kuvendit informoi për situatat aktuale në lidhje me integrimin euroatlantik të Maqedonisë së Veriut, përkatësisht pritjet për marrjen e datës për fillimin e negociatave aderuese me Bashkimin Evropian dhe për integrimin në NATO, si vend anëtar i tridhjetë i Aleancës.

Kryetari i Kuvendit të Iranit, Ali Larixhani e theksoi rëndësinë e fillimit të dialogut intensiv midis Republikës Islamike të Iranit dhe Republikës së Maqedonisë së Veriut, veçanërisht në fushën e bashkëpunimit ekonomik. Për të përforcuar marrëdhëniet ekonomike dhe për të zgjeruar bashkëpunimin midis të dyja vendeve në fushën e industrisë, bujqësisë dhe xehetarisë, sipas Larixhanit, është e nevojshme që së pari të zgjidhen çështjet bankare. Hapi tjetër do të ishte zgjerimi i bashkëpunimit ndërmjet odave ekonomike. Ai vlerësoi se liberalizimi i vizave midis Iranit dhe Maqedonisë së Veriut nuk duhet të kufizohet vetëm me bartësit e pasaportave diplomatike dhe zyrtare, por duhet të shtrihet për të gjithë qytetarët. Kryetari i Kuvendit të Iranit theksoi se do t'i jap udhëzime ministrit të Kulturës të Iranit ta ndjek gjendjen e zbatimit të Marrëveshjes së Bashkëpunimit Kulturor. Gjithashtu, Larixhani shprehu interes për përparimin e arritur nga Republika e Maqedonisë së Veriut në zgjidhjen e çështjeve të hapura me fqinjët e saj. 

Në fund të takimit u theksua rëndësia e diplomacisë parlamentare në avancimin e marrëdhënieve bilaterale dhe multilaterale, dialogut politik dhe dinamizimit të bashkëpunimit të gjithanshëm midis vendeve.  

 
a

Na ndiqni në: