Pratenichki sostav
 
LEGJISLATURA E DEPUTETËVE

E enjte, 10 tetor 2019

TAKIMI I KRYETARIT XHAFERI ME KRYETARIN E QEVERISË SË REPUBLIKËS SË SLLOVENISË, MARJAN SHAREC

Kryetari i Kuvendit të Republikës së Maqedonisë së Veriut, Talat Xhaferi, sot realizoi takim me Kryetarin e Qeverisë së Republikës së Sllovenisë, z. Marjan Sharec.

Duke i uruar mirëseardhje të ngrohtë dhe duke shprehur kënaqësi për takimin e sërishëm, Kryetari Xhaferi u shpreh mirënjohës për ndihmën dhe mbështetjen e vazhdueshme të Republikës së Sllovenisë në arritjen e qëllimeve tona strategjike të anëtarësimit në NATO dhe BE. Si shtete me një të kaluar të përbashkët që kanë vendosur në mënyrë të pavarur ta bëjnë rrugën e tyre si shtete, u përballëm me shumë detyra. Ju arritët mjaft shpejt t'i përfundoni dhe të bëheni vend anëtar i NATO-s dhe BE-së dhe vazhduat të na jepni mbështetjen tuaj të plotë në këtë rrugë, vlerësoi Xhaferi.

Kryetari Xhaferi e informoi Kryetarin Sharec se Republika e Maqedonisë së Veriut i kishte zgjidhur me sukses çështjet e hapura me Republikën e Greqisë dhe Republikën e Bullgarisë për një periudhë relativisht të shkurtër kohore dhe e hapi rrugën e anëtarësimit në NATO, si dhe për procesin e ratifikimit të Protokollit Aderues të anëtarësimit në NATO, i cili shënon dinamikë më të madhe se anëtarësimet paraprake, veçanërisht duke pasur parasysh faktin se për 9 muaj kemi përfunduar ratifikimet në 23 vende anëtare me shpresën që në vitin 2020 ky proces të përfundojë dhe vendi të bëhet anëtare e plotfuqishme e NATO-s. Duke vepruar kështu, ai e shfrytëzoi rastin ta falënderojë Republikën e Sllovenisë për ratifikimin e parë të Protokollit për Republikën e Greqisë këtë vit. Në lidhje me BE-në, Kryetari Xhaferi shpreson që vendi të marrë datën për fillimin e negociatave me BE-në në Samitin e ardhshëm të Këshillit të BE-së.

Kryetari Sharec konstatoi se Republika e Maqedonisë së Veriut ka bërë përpjekje të jashtëzakonshme dhe ka investuar shumë në procesin e fillimit të proceseve euroatlantike. Si vend shembull në rajon për bashkëjetesë, vendi meriton t'i fillojë negociatat dhe të bëjë vlerësime të pavarura të arritjeve të saj deri më tani, në mënyrë që të mund të bëjë përparim real në rrugën e saj të integrimit evropian. Ai e siguroi Kryetarin Xhaferi se Republika e Sllovenisë do të bëjë gjithçka që është në fuqinë e saj për t'i bindur partnerët evropianë se vendi duhet të marrë datë për fillimin e negociatave të anëtarësimit në BE.

Të dy bashkëbiseduesit ranë dakord se bashkëpunimi ndërmjet të dyja vendeve duhet të vazhdojë me intensitet të paparë në fushën e ekonomisë, kulturës dhe në fushat e tjera me interes të përbashkët, ndërsa diaspora të shërbejë si urë lidhëse dhe avancim të bashkëpunimit në këto fusha.

 
a

Na ndiqni në: