Udhëheqja parlamentare

E enjte, 30 nëntor 2017

Takimi i kryetarit Xhaferi me ministrin e Mbrojtjes të Malit të Zi, z. Predrag Boshkoviq

Kryetari i Kuvendit të Republikës së Maqedonisë, z. Talat Xhaferi, realizoi takim me ministrin e Mbrojtjes të Malit të Zi, z. Predrag Boshkoviq, i cili është në vizitë zyrtare dyditore në vendin tonë. 

Duke i uruar mirëseardhje mysafirit, kryetari Xhaferi theksoi se intensifikimi i vizitave të ndërsjella në nivel të lartë tregon për një vullnet të fuqishëm politik të të dyja palëve për thellimin e marrëdhënieve të përgjithshme bilaterale dhe paraqesin shembull në rajon për bashkëpunim të suksesshëm bilateral.

Kryetari i Kuvendit uroi për anëtarësimin e plotfuqishëm të Malit të Zi në Aleancën Veriore - Atlantike dhe potencoi se pikërisht ndarja e gëzimit për suksesin e Malit të Zi ishte arsyeja që vizita e parë zyrtare pas zgjedhjes së tij në këtë funksion ishte Podgorica. Kryetari Xhaferi e nënvizoi rëndësinë e bashkëpunimit rajonal dhe theksoi se Republika e Maqedonisë dhe Mali i Zi marrin pjesëmarrje aktive në forume dhe qendra të ndryshme rajonale, të cilat përmbajnë edhe komponentë mbrojtëse edhe ushtarake. 

Ministri Boshkoviq potencoi se Mali i Zi, si anëtari më i ri i NATO-s, kaloi rrugë të gjatë dhe të rëndë të reformave për përmbushjen e kritereve të duhura, me qëllim që të tregojë se është partner me kredibilitet i Aleancës. Ai theksoi se, anëtarësimi i Republikës së Maqedonisë në NATO do të ndikojë mbi stabilitetin e tërë rajonit dhe se për këtë arsye Mali i Zi do të jetë përkrahësi ynë më i madh në atë rrugëtim.

Gjithashtu, u angazhua se do e shfrytëzojë çdo mundësi për të sugjeruar se zgjerimi i Aleancës në rajonin e Ballkanit Perëndimor nuk është përfunduar akoma. 

Të dy bashkëbiseduesit e vlerësuan bashkëpunimin në fushën e mbrojtjes si shumë të suksesshëm, veçanërisht në fushën e edukimit të kadetëve dhe trajnimet për pilotë dhe helikopterë. 

Kryetari Xhaferi u përqendrua edhe në gjendjen politike aktuale në Republikën e Maqedonisë dhe në zgjedhjet lokale të zbatuara para do kohe.  



Click