E premte, 26 maj 2017
Takimi i Kryetarit Xhaferi me përfaqësuesit e Institutit për Demokraci
Kryetari i Kuvendit të Republikës së Maqedonisë, z. Talat Xhaferi, sot realizoi takim me përfaqësuesit e Institutit për Demokraci (IDSCS) ku u prezantua projekti „Kuvendi nën thjerrëz“, esenca e të cilit është përforcimi i pjesëmarrjes së opinionit në debatet dhe diskutimet, përmes mënyrës së hapur dhe inkluzive, në trupat e punës së Kuvendit.
Kryetari Xhaferi e përsëriti bindjen e tij se Kuvendi duhet maksimalisht të jetë transparent dhe kooperativ me qytetarët, me sektorin joqeveritar dhe me mediet, me ç'rast u theksua nevoja e kthimit të parimeve demokratike në institucionet e sistemit dhe besimit në Kuvendin e Republikës së Maqedonisë.
Gjatë ditëve të kaluara Kryetari i Kuvendit të Republikës së Maqedonisë, z. Talat Xhaferi, u takua me më shumë përfaqësues të fondacioneve dhe instituteve. Ai u takua me përfaqësues dhe me drejtorin e Fondacionit Berghov, Lluxhi Vimallarajan.
Fondacioni Berghov është i përkushtuar në mbështetjen e palëve të prekur në konflikt, në përpjekjet e tyre për arritjen e paqes së qëndrueshme përmes ndërtimit të paqes dhe transformimit të konfliktit. Këtë e arrijnë përmes mbështetjes aktive të proceseve paqësore, përmes hetimit të konflikteve, këshillimit politik dhe edukimit paqësor.
Gjithashtu, kryetari Xhaferi u takua edhe me drejtorin e Institutit demokratik nacional (NDI), z. Kris Henshou dhe zëvendësdrejtorin, z. Robert Skot Hejsllet.
Në takimin të dyja palët u fokusuan në bashkëpunimin e deritanishëm të NDI-së me Kuvendin e Republikës së Maqedonisë dhe u pajtuan se ky bashkëpunim duhet të vazhdojë dhe të thellohet edhe më tutje.
Kryetari i Kuvendit të Republikës së Maqedonisë, z. Talat Xhaferi, u takua edhe me përfaqësuesit e Fondacionit për demokraci të Vestministrit, Emil Atanasovski, Damir Neziri dhe Ivana Petkuqeska.
Fondacioni për demokraci i Vestministrit (The Westminster Foundation for Democracy – WFD) është fondacioni më i madh politik britanik me buxhet trevjeçar prej afro 35 milionë euro.
Krahas zyrës kryesore të fondacionit e cila gjendet në Londër WFD-ja ka edhe më shumë se 25 zyra nëpër botë, ndër të cilat edhe në Maqedoni.