Udhëheqja parlamentare

E martë, 23 maj 2017

Takimi i Kryetarit Xhaferi me SH.T. ambasadoren e Republikës Popullore të Kinës, znj. Jin Lishian

Kryetari i Kuvendit të Republikës së Maqedonisë, z. Talat Xhaferi, sot realizoi takim zyrtar me ambasadoren e Republikës Popullore të Kinës në Republikën e Maqedonisë, znj. Jin Lishian. Në fillim të takimit ambasadorja ia uroi zgjedhjen Kryetar i Kuvendit dhe me atë rast ia përcolli urimin zyrtar të Kryetarit të Komitetit të Përhershëm të Kongresit Popullor Pankinez, z. Xhang Dezhiang.  

Ambasadorja e nënvizoi gatishmërinë e mëtutjeshme të Republikës Popullore të Kinës, e cila gjeografikisht është shumë larg, por në aspektin e marrëdhënieve të ndërsjella është shumë afër, që të ketë bashkëpunim më të ngushtë me Republikën e Maqedonisë në planin bilateral, veçanërisht ndërmjet parlamenteve të të dyja shteteve. Ajo shprehu pritje se z. Talat Xhaferi, si Kryetar i sapozgjedhur i Kuvendit, do ta shfrytëzojë kapacitetin e tij njerëzor dhe profesional për të kontribuar në përforcimin dhe thellimin e marrëdhënieve të jashtëzakonshme bilaterale ndërmjet të dyja vendeve miqësore dhe qytetarëve të tyre.  

Z. Xhaferi, sinqerisht duke iu falënderuar për urimet, e njoftoi ambasadoren me ngjarjet aktuale në planin e formimit të qeverisë së re, me ç'rast do të vijojë formimi i trupave punues së Kuvendit, delegacioneve dhe grupeve parlamentare për bashkëpunim me parlamentet e shteteve të caktuara. 

Njëkohësisht, e informoi ambasadoren se Kuvendi i Republikës së Maqedonisë, në disa mandate të njëpasnjëshme, formon Grup Parlamentar për bashkëpunim me Parlamentin e RP të Kinës, me çka e tregon përkushtimin dhe interesin e tij për kultivimin, përforcimin dhe thellimin e lidhjeve të ngushta ndërparlamentare. 

Ai e tregoi gatishmërinë për bashkëpunimin e ngushtë me kolegen e tij prej Kongresit Popullor Pankinez në të ardhmen e afërt, pasi është i bindur se diplomacia parlamentare ka potencial të madh dhe ndikim evident në marrëdhëniet bilaterale gjithëpërfshirëse ndërmjet të dyja vendeve. 

Bashkëbiseduesit biseduan edhe për pritjet se qeveria e re do të vazhdojë në rrugën e bashkëpunimit afatgjatë me RP të Kinës, veçanërisht në lidhje me projektet e filluara në infrastrukturë dhe në procesin arsimor, si dhe në kontekst të iniciativës së Presidentit të Kinës, Shi Xhinping, për ripërtëritjen e „Rrugës së mëndafshit“, përkatësisht projektin 16+1, i cili ka të bëjë me vendet e Evropës Qendrore dhe Lindore nga njëra anë dhe RP të Kinës, nga ana tjetër. 

Ky mega-projekt e përfshin edhe Republikën e Maqedonisë dhe realizimi i tij do të paraqesë një impuls të fuqishëm të zhvillimit të përgjithshëm shoqëror, ekonomik, infrastrukturor dhe zhvillimit të biznesit në të gjitha vendet pjesëmarrëse. 

Duke e shprehur mbështetjen në bashkëpunimin e mëtejshëm të afërt dhe intensiv ndërparlamentar, bashkëbiseduesit u pajtuan se vendosja e marrëdhënieve miqësore duhet të kultivohet me një përkushtim të fuqishëm dhe besim të ndërsjellë.   

Click