Aktivitetet

E enjte, 10 qershor 2021

Anëtarësimi në PABSEK - urë e re е miqësisë me botën

Shefja e Delegacionit të Kuvendit të Republikës së Maqedonisë së Veriut në Asamblenë Parlamentare të Organizatës për Bashkëpunim Ekonomik të Detit të Zi (PABSEK), Lidija Tasevska dhe anëtaret Bllagica Llasovska dhe Vjollca Ademi, realizuan takim me Xhemal Ozturk, shef i Delegacionit Turk në PABSEK dhe anëtar i Komisionit për çështjet ekonomike, tregtare, teknologjike dhe ekologjike të PABSEK-ut dhe Asaf Haxhiev, sekretar i përgjithshëm i PABSEK-ut.

Tasevska, Ademi dhe Llasovska shprehën kënaqësinë që më 22 qershor 2021, Kuvendi i Republikës së Maqedonisë së Veriut, gjatë Asamblesë së Përgjithshme të PABSEK-ut në Molldavi, do të bëhet anëtare e kësaj organizate, e cila po ndërton një urë të re të miqësisë me botën.

Delegacioni i ftuar gjithashtu shprehu kënaqësinë e tij për anëtarësimin tonë në PABSEK, veçanërisht pasi kjo pjesë e botës është shumë e rëndësishme si udhëkryq i madh në shumë sektorë.

Sekretari i përgjithshëm Haxhiev i informoi të pranishmit mbi funksionimin e PABSEK-ut, i cili ka tre komitete të dedikuara për ekonominë, të drejtën, kulturën dhe çështjen sociale dhe i katërti po formohet si shumë i rëndësishëm për të ardhmen - për teknologjinë e informacionit dhe komunikimit. Haxhievi informoi se PABSEK-u është duke punuar në projekte të mëdha, të cilat janë duke u përgatitur përmes kornizave ligjore. Përveç kësaj, i theksoi mundësitë e mëdha për bashkëpunim të ofruara nga PABSEK-u dhe rolin e saj në fushën ekonomike dhe politike, gjë që dëshmohet nga statusi i lartë i fituar në botë.

"PABSEK-u është vendi ku çdo problem mund të zgjidhet, dhe zgjidhja e problemit do të thotë afrimi i popujve," përfundoi Haxhiev.

Gjatë ditës së sotme, Delegacioni i PABSEK-ut, përveç këtij takimi, realizoi takim edhe me Kryetarin e Kuvendit, Talat Xhaferi, si dhe me Sektorin për Bashkëpunim Ndërkombëtar të Kuvendit.

Click