Aktivitete

E martë, 11 maj 2021

Çekia - partneri ynë strategjik, mik dhe mbështetës

Në Kuvend sot u mbajt ngjarja në lidhje me sigurinë, e kryesuar nga kryetari i Komisionit për Mbrojtje dhe Siguri, Mile Talevski, ku mori pjesë Delegacioni nga Republika e Çekisë, i përbërë nga ministri i Mbrojtjes, Lubomir Metnar dhe zëvendësministri i Politikës dhe Strategjisë Mbrojtëse, Jan Havranek.

Në fillim, Talevski i karakterizoi marrëdhëniet midis vendit tonë dhe Republikës së Çekisë si miqësore dhe shprehu mirënjohje për mbështetjen në rrugën e integrimit evropian.

Pas marrjes së statusit të anëtarit të plotë të NATO-s, tha Talevski, vendi ynë dha kontribut të rëndësishëm në misionet e Aleancës në mënyrën më profesionale dhe e forcoi krahun jugor, i cili përballet me migrimin dhe terrorizmin. Ai, gjithashtu, e falënderoi NATO-n për ofrimin e ndihmës mjekësore në këto kushte të pandemisë, që është vetëm një shenjë tjetër e aleancës. Në fund, theksoi se përkundër sfidave të shumta, vendi mbetet i përkushtuar për anëtarësimin në Bashkimin Evropian dhe çdo mbështetje është e rëndësishme për ne.

Nga ana e tij, ministri Metnar na përgëzoi për anëtarësimin në NATO, që na ktheu nga përfitues në kontribues të sigurisë. Ai e theksoi qëndrimin e qartë të Republikës së Çekisë, si partner strategjik, mik dhe mbështetës, si për NATO-n, ashtu edhe për BE-në. Kjo vizitë është në atë drejtim, që është shembull i shkëlqyeshëm i shprehjes së mbështetjes dhe thellimit të bashkëpunimit përmes një sërë projektesh.

Një vështrim i shkurtër i sigurisë si temë u dha nga zëvendësministri Havranek, duke u përqëndruar në modernizimin e pajisjeve ushtarake, sfidat teknologjike, trendet e reja dhe nivelin e ambicieve në NATO dhe BE. 

 
a

Na ndiqni në:

Ueb faqja e Kuvendi përdor biskotat (cookies).

Biskotat (cookies) përdoren për të përmirësuar përvojën Tuaj të përdoruesit.