Aktivitetet

E enjte, 18 mars 2021

E ARDHMJA E REPUBLIKËS SË MAQEDONISË SË VERIUT ËSHTË NË BASHKIMIN EVROPIAN

Deputetët e sapozgjedhur sot patën mundësinë të takohen virtualisht me kolegët e tyre në Parlamentin Evropian. Takimi u moderua nga Livia Jaroka, nënkryetare e Parlamentit Evropian, e cila në fjalën e saj hyrëse për pjesëmarrësit e shprehu mbështetjen e plotë të Parlamentit Evropian për rrugën tonë evropiane.

Eurodeputeti Dejvid Mekalister, kryetar i Komitetit të Punëve të Jashtme, bëri thirrje për unitet midis pushtit dhe opozitës, si bazë për të punuar dhe ndërtuar konsensusin për çështje të rëndësishme në Kuvend. Ai vuri në dukje se çdo anulim i ri në fillimin e negociatave është gabim serioz strategjik, veçanërisht për shkak të reformave mbresëlënëse të arritura në planin e brendshëm, por edhe për shkak të hapave historikë për t'i tejkaluar çështjet bilaterale me fqinjët.

Raportuesi për Republikën e Maqedonisë së Veriut dhe eurodeputeti, Ilhan Kuçuk, theksoi se Parlamenti Evropian dëshiron të shohë përparim në luftën kundër krimit dhe korrupsionit të organizuar, bashkëpunim më të madh me opozitën dhe përqendrim në të ardhmen euroatlantike të vendit. Ai deklaroi se në kuadër të IPA III sigurohen mundësi financiare dhe ato duhet të përdoren si duhet. Lidhur me çështjet bilaterale, një kontribut nga të dyja palët është i nevojshëm brenda kornizës së bashkëpunimit kontraktues, por me një qasje më inventive ndaj temave historike. Brezat e rinj nuk duhet të humbasin kohë me çështjet historike dhe duhet t'i shikojnë çështjet që i shqetësojnë vërtet në të ardhmen.

Bashkëkryesuesi i Komitetit të Përzier Parlamentar - Republika e Maqedonisë së Veriut dhe Bashkimi Evropian, eurodeputeti Andreas Shider, i përshëndeti pjesëmarrësit dhe shprehu interes midis kolegëve të tij në perspektivën evropiane të vendit.

Eurodeputetja Tanja Fajon, e ngarkuar për vendet e Ballkanit Perëndimor, ra dakord se vetoja bullgare ishte absolutisht e panevojshme në këtë moment dhe se po bëhen përpjekje maksimale në Parlamentin Evropian për të tejkaluar bllokadën.

Eurodeputeti Vlladimir Bilçik veçanërisht e përshëndeti bashkëpunimin me femrat deputete në Kuvend në kuadër të programit Simon Veil. Sipas tij, vendi është plotësisht i përgatitur për t'i filluar negociatat.

Deputeti Timço Mucunski falënderoi për mbështetjen dhe shpreson se negociatat do të fillojnë së shpejti. Ai theksoi se konsensusi nacional është i nevojshëm për miratimin e legjislacionit evropian dhe vendimeve strategjike. Me rëndësi thelbësore është që të arrihen rezultate të prekshme në fushën e pavarësisë së gjyqësisë, depolitizimit të administratës publike dhe kulturës së qëndrueshme politike në Kuvend.

Deputetja Arta Bilalli-Zendeli theksoi se "gjuha jonë angleze" në vend është Bashkimi Evropian dhe vuri në dukje të gjitha sakrificat që vendi ynë i bën, jo me vite, por me dekada, për të realizuar qëllimin e tij për anëtarësimin në BE. Ajo theksoi se fillimi i negociatave nuk duhet të lejohet të vonohet si në të kaluarën.

Deputetja Marija Perushevska bëri thirrje për forcimin e kapaciteteve administrative në strukturat IPA për përdorim më të mirë të mjeteve.

Deputetja Rina Ajdari vuri në dukje problemin me daljen e punëtorëve të kualifikuar, i cili tashmë ka efekt negativ në produktivitetin dhe prosperitetin ekonomik të vendit dhe se është e nevojshme të merren hapat e duhur për të parandaluar në kohë këtë problem.

Bashkëbiseduesit ranë dakord që takimet e këtij lloji duhet të vazhdojnë edhe në të ardhmen, në mënyrë që të mbajnë marrëdhënie të ngushta me kolegët në Parlamentin Evropian, por edhe për koordinimin dhe mbështetjen e ndërsjellë për çështjet me interes të përbashkët për të dyja parlamentet.

Click