Aktivitetet

E premte, 26 mars 2021 

FILLIMI I NEGOCIATAVE ËSHTË PRIORITET I LARTË PËR BASHKIMIN EVROPIAN 

Takimi i 18-të i Komitetit të Përzier Parlamentar - Republika e Maqedonisë së Veriut dhe BE-ja, i mbajtur në formatin virtual, u hap nga bashkëkryesuesi dhe eurodeputeti Andreas Shider, duke u bërë thirrje vendeve-anëtare të përmbushin premtimin e tyre dhe të organizojnë së shpejti konferencën e parë ndërqeveritare, e cila do të shënojë fillimin e negociatave të anëtarësimit. E përshëndeti edhe miratimin e Rezolutës për vendin tonë në Parlamentin Evropian dhe theksoi se BE-ja mbetet e përkushtuar për të mbështetur procesin e integrimit të bazuar në sundimin e së drejtës, dialogun e hapur demokratik, harmoninë multietnike dhe marrëdhëniet e mira fqinjësore. Bashkëkryesuesi i Komitetit, deputeti Bilal Kasami, e përshëndeti angazhimin e vazhdueshëm të Parlamentit Evropian, veçanërisht për faktin se Republika e Maqedonisë së Veriut ka bërë shumë dhe është një shembull pozitiv me qasjen e saj në zgjidhjen e kontesteve. Ai theksoi se pas zgjedhjeve në Bullgari në prill, pret udhërrëfyes të qartë nga institucionet evropiane. Integrimet evropiane janë për ne nxitës i rëndësishëm i reformave të brendshme dhe nëse ka anulime të mëtejshme, procesi i lartë i mbështetjes që e kemi kultivuar për dekada mund të kthehet në euroskepticizëm dhe të shkaktojë pasoja serioze për vendin dhe rajonin," përfundoi Kasami. 

Zëvendëskryetari i Qeverisë për Çështje Evropiane, Nikolla Dimitrov, e përshëndeti Rezolutën e PE-së dhe kompromisin e arritur mbi çështjet bilaterale që nuk duhet të përdoren për të bllokuar procesin e aderimit, por u shpreh i zhgënjyer për mosmiratimin e amendamentit me të cilin u thirrën autoritetet bullgare të përmbahen nga deklaratat provokuese ndaj vendit tonë. E vlerësoi fillimin e negociatave si një fitore të trefishtë për Shkupin, Sofjen dhe BE-në. Znj. Gjenoveva Ruiz Kalavera nga Komisioni Evropian e vlerësoi angazhimin e qeverisë për reformat, veçanërisht planin për luftën kundër korrupsionit, dhe u bëri thirrje të gjithë faktorëve politikë të punojnë në mënyrë konstruktive në interes të qytetarëve. Ajo vuri në dukje procedurat e shkurtuara, të cilat pamundësojnë një debat cilësor në Kuvend dhe që të gjitha marrëveshjet bilaterale duhet të zbatohen me vullnet të mirë nga të gjitha palët. Fillimi i negociatave është prioritet i lartë për BE-në dhe nuk është çështje nëse, por kur, ishte qëllimi kryesor i z. Marko Markovec nga Shërbimi Evropian i Punëve të Jashtme. Ai theksoi se progresi i vendit dhe mënyra se si përballet me të gjitha sfidat vlerësohen shumë dhe e vlerësoi problemin me Bullgarinë si devijim i çastit nga rruga evropiane dhe bëri thirrje për tejkalimin e ngërçit.

Deputetët e të dyja parlamenteve morën pjesë në debat. Deputeti Timço Mucunski vuri në dukje se prioriteti i tyre partiak është përqendruar në luftën kundër korrupsionit, Kovid-19 dhe krijimin e ambientit të favorshëm për mediat. Fillimi i negociatave do t'u dërgojë një mesazh të fortë forcave pro-evropiane jo vetëm në BE, por edhe në rajon, përfundoi Mucunski. Eurodeputetja Irena Joveva foli për atë që ajo e konsideron si vetoja e turpshme e Bullgarisë dhe bëri thirrje për vazhdimin e reformave për sundimin e së drejtës dhe reformave kundër korrupsionit. Deputetja Fisnike Bekteshi Shaqiri e theksoi përparimin në integrime. Vendi është një histori e re e suksesit në Ballkan, duke i promovuar me sukses marrëdhëniet e mira fqinjësore dhe bashkëpunimin rajonal. Sipas saj, nëse BE-ja është për ne, edhe ne do të jemi për BE-në. Eurodeputetja Marion Valsman deklaroi se ky takim dëshmon qartë se Maqedonia dëshiron të jetë pjesë e BE-së. I përshëndeti reformat dhe dialogun e Zhan Monesë, por bëri thirrje për ndërtimin e kulturës politike për t'i zbatuar reformat. Deputetja Sonja Mirakovska foli rreth planit ambicioz për mbajtjen e mbledhjeve mbikëqyrëse në muajt e ardhshëm, si pjesë e strategjisë për luftën kundër korrupsionit dhe për përgjegjësinë e institucioneve para Kuvendit. Deputetja Maja Moraçanin vuri në dukje se BE-ja bazohet në larminë e gjuhëve, kulturave dhe simboleve, që paraqet thesar, kështu që çdo mohim është në kundërshtim me këto vlera. E përshëndeti Marrëveshjen e Gjelbër Evropiane si pjesë e programit të qeverisë 2020-2024 dhe harmonizimin me objektivat e kësaj marrëveshjeje. Eurodeputeti Vlladimir Billçik tregoi mbi përvojat pozitive sllovake nga e kaluara e afërt në zgjidhjen e çështjeve historike me fqinjët. 

Pas përfundimit të takimit, të dy bashkëkryesuesit dolën me deklaratë të përbashkët

Click