Aktivitetet

E enjte, 11 shkurt 2021

Fjalimi i Kryetarit Xhaferi në themelimin dhe promovimin e Grupit Ndërpartiak Parlamentar për Mbështetje të të Drejtave të Romëve, për inkluzionin dhe integrimin e tyre në Republikën e Maqedonisë së Veriut   

E nderuar koordinatore e sapoemëruar e Grupit Ndërpartiak Parlamentar për Mbështetje të të Drejtave të Romëve, znj. Ljatifa Shikovska,
Të nderuar kolegë, 
I nderuar koordinator i parë dhe kryetar i Partisë për Emancipimin e Plotë të Romëve, z.  Samka Ibraimoski, 
Të nderuar shkëlqesi,
Të nderuar përfaqësues të sektorit joqeveritar,
Të nderuara mediume,
Zonja dhe zotëri

Më paraqet nder dhe kënaqësi që sot jam i pranishëm në themelimin dhe promovimin e Grupit Ndërpartiak Parlamentar për të Drejtat e Romëve, për inkluzionin dhe integrimin e tyre në Republikën e Maqedonisë së Veriut, që është edhe një grup joformal në vargun e grupeve joformale që u themeluan si vazhdimësi e praktikave të vendosura me legjislaturat paraprake. Kjo është shenjë se pa dallim në përbërjen, programet, ideologjinë e grupeve të ndryshme parlamentare të përfaqësuara në dhomën ligjvënëse, fokusi dhe interesi mbesin të pandryshuar, vullneti dhe entuziazmi mbesin në kapacitet të plotë dhe mbesim konsekuent dhe të përkushtuar ndaj përmbushjes së rekomandimeve, kritereve dhe obligimeve që rrjedhin nga deklaratat e ratifikuara universale dhe marrëveshjet dhe ndaj përcaktimit tonë strategjik për anëtarësim të plotfuqishëm në Bashkimin Evropian. Nga ai përcaktim i ynë, ashtu siç besoj e keni të njohur të gjithë të pranishëm këtu, u përpilua edhe Strategjia nacionale për romët me të cilën strategji do të duhet të arrihet zhvillim i përhershëm në sferën sociale, ekonomike dhe politike dhe, sidomos të sigurohet mbrojtje nga diskriminimi dhe racizmi, përfshirë edhe banimin dinjitoz, arsimin përkatës dhe shërbimet shëndetësore për këto qytetarë tanë. Zgjidhja e problemeve në këto fusha, do të ndikojë dhe kontribuojë dukshëm në uljen ose edhe më optimiste, në çrrënjosjen e varfërisë që gjithsesi do e përmirësojë imazhin për Republikën e Maqedonisë së Veriut e cila me Kushtetutë është konstituuar si shtet sovran, i pavarur, qytetar dhe demokratik i cili siguron drejtësi sociale, mirëqenie ekonomike dhe përparim të jetës personale dhe të përbashkët. Ajo që sot, në dhomën përfaqësuese të qytetarëve konstituohet edhe ky grup ndërpartiak është provë se të gjithë kemi pasqyrë të qartë për atë se cili është roli ynë, sa është e madhe fuqia ligjvënëse dhe si ajo ndikon mbi mundësimin e kushteve të njëjta për jetë për çdo individ. Edhe ne, si edhe  institucioni, maturojmë dhe ngrihemi mbi interesin partiak dhe pa marrë parasysh proveniencën politike prej të cilës vijmë, bashkohemi, bashkëpunojmë dhe bëjmë diçka për të mirën e përgjithshme, a konkretisht në këtë rast, për të mirën e qytetarëve tanë të bashkësisë etnike rome. Megjithatë, ligjet, rregullat, parimet e barazisë, të jodiskriminimit, të inkluzionit dhe qasjes varen prej faktorit njerëzor, prej vetëdijes së tij të ndërtuar dhe ndjenjës së përgjegjësisë dhe perceptimit të gjendjeve dhe kushteve në terren. Që kjo të jetë e besueshme dhe autentike, nevojitet të kuptohen efektet e dispozitave ligjore konkretisht dhe realisht në terren, aty ku e gjithë vrazhdësia e inkluzionit të pamjaftueshëm apo akoma më keq, e inkluzionit inekzistent dhe inekzistencës juridike i pamundëson qytetarët ti gëzojnë të drejtat e veta, mirëpo, edhe ti përmbushin obligimet e veta. E dini se referohem në Ligjin për personat e paevidentuar në librin amë të lindurve që e nxori Kuvendi, a i cili ishte iniciuar për zgjidhjen e problemit moti të notifikuar i cili injorohej vite me radhë a ka të bëjë me personat që nuk janë evidentuar në librin amë të lindurve, nuk kanë dokumente personale dhe më së shpeshti janë nga shtresat shoqërore më të lëndueshme. Ne nuk guxojmë më ti lëmë këto njerëz që vite me radhë janë ballafaquar me probleme reale dhe kanë qenë të padukshëm për bashkësinë, të vazhdojnë edhe më tej të jetojnë në margjinat e shoqërisë! Ligji siguron kornizë institucionale - juridike që më në fund të fitojnë identitet qytetar i cili do ua hapë rrugën për realizimin e të gjitha të drejtave dhe obligimeve të garantuara me Kushtetutë për të gjithë qytetarët: E drejta në arsim, në mbrojtje shëndetësore dhe sociale, si edhe punësim me sigurim të detyrueshëm social.  

Të nderuar, 

Dua të shfrytëzoj këtë mundësi dhe të shpreh respektin tim ndaj të nderuarës koordinatore të sapoemëruar të këtij grupi ndërpartiak, koleges Ljatifa Shikovska e cila në gjithë angazhimin e saj të deritanishëm si aktiviste për realizimin e të drejtave fondamentale njerëzore si edhe mbrojtjen e fëmijëve, ditën e ka kaluar në terren, dhe unë nuk dyshoj aspak se edhe tani, si deputete, më shumë do të jetë në terren me qytetarët, sesa në zyrën në Kuvend, sepse, siç thotë edhe vetë ajo, puna në terren i ndihmon ta sheh gjendjen reale të romëve dhe në bazë të këtyre konstatimeve ti krijojë edhe projektet përkatëse, tani, do të mundet me forca të përbashkëta, me koordinimin e aktiviteteve dhe orientimin e të njëjtave kah qëllimet konkrete, të arrijë sukses i cili do të reflektohet mbi përmirësimin e jetës së bashkëqytetarëve tanë romë.  

Të nderuar kolegë,

Ju uroj sukses në punë, arritje të edhe shumë rezultateve konkrete që do të jenë fryt i punës së përbashkët, me ç’rast, ju siguroj se do e keni edhe mbështetjen time si Kryetar i Kuvendit të Republikës së Maqedonisë së Veriut.

Ju faleminderit për vëmendjen!

Click