Aktivitetet

E mërkurë, 19 gusht 2020

PJESA E PARË E KONFERENCËS SË PESTË BOTËRORE E KRYETARËVE TË PARLAMENTEVE 

Pjesa e parë e Konferencës së pestë botërore e kryetarëve të parlamenteve mbahet më 19 dhe 20 gusht 2020, në format virtual, në organizim të Unionit Interparlamentar (IPU) dhe në partneritet me Parlamentin e Austrisë dhe Kombeve të Bashkuara. 

Në Konferencën marrin pjesë mbi 250 kryetarë të parlamenteve, parlamentarë, ekspertë dhe përfaqësues të Kombeve të Bashkuara, si dhe dy përfaqësues të Shërbimit të Kuvendit të Republikës së Maqedonisë së Veriut. Qëllimi kryesor i Konferencës, e cila mbahet me moton “Lidershipi parlamentar për një multilateralizëm më efektiv që siguron paqe dhe zhvillim të qëndrueshëm për njerëzit dhe planetin", është mobilizimi i parlamentarëve nga e gjithë bota për ballafaqim me sfidat shëndetësore, klimatike dhe ekonomike me të cilat ballafaqohen planeti dhe banorët e tij. 

Në hapjen solemne të Konferencës, para pjesëmarrësve mbajtën fjalim Gabriella Kuevas Baron, kryetare e Unionit Interparlamentar, Vollfgang Sobotka, kryetar i Parlamentit të Austrisë dhe Antonio Guteshesh, sekretar i përgjithshëm i Kombeve të Bashkuara. Vijoi një debat interaktiv për shëndetin, klimën dhe ekonominë, si dhe prezantim i raporteve për barazi gjinore, pjesëmarrje të të rinjve në politikën, Agjenda 2030 për zhvillim të qëndrueshëm, shkencë, teknologji dhe etikë. Kryetarët këmbyen mendime për përgjigje parlamentare të pandemisë me Kovid-19, ndërsa do të diskutojnë edhe për menaxhimin global, ekonomitë e qëndrueshme, mobilitetin e njerëzve dhe gjendjet e jashtëzakonshme klimatike. 

Në pjesën e dytë të Konferencës, në prag të 21 gushtit – Dita ndërkombëtare për përkujtimin dhe nderimin e viktimave nga terrorizmi, do të mbahet eveniment special virtual për luftë kundër terrorizmit dhe ekstremizmit të dhunshëm. 

Pritet që në fund të Konferencës, kryetarët e parlamenteve të miratojnë deklaratë përfundimtare. 

Konferenca botërore e kryetarëve të parlamenteve mbahet në çdo pesë vjet, në bashkëpunim me Kombet e Bashkuara, me qëllim përforcimin e dimensionit parlamentar të menaxhimit global.  

Konferenca e parë botërore e kryetarëve të parlamenteve mbahet në gusht 2000, në selinë e Kombeve të Bashkuara në Nju Jork, vetëm disa ditë para Samitit të Mijëvjeçarit në nivel të shefave të shteteve dhe qeverive.

Për shkak të pandemisë me Kovid-19, pjesa e dytë e Konferencës së pestë botërore e kryetarëve të parlamenteve, me prezencë fizike të pjesëmarrësve, planifikohet të mbahet në gusht 2021 në Vjenë, Austri. 

Click