Aktivitetet

E martë, 15 qershor 2021

Promovimi i mekanizmave të barazisë dhe solidaritetit në kuadër të kujdesit shëndetësor

Në kuadër të video-konferencës së Komitetit Parlamentar për Dimensionin Parlamentar të Iniciativës së Evropës Qendrore (DP IEQ), që u mbajt në Podgoricë, Republika e Malit të Zi, që është njëherazi edhe kryesues i DP IEQ për këtë vit, morën pjesë edhe deputetët e Kuvendit të Republikës së Maqedonisë së Veriut - Rashella Mizrahi, shefe e Delegacionit dhe Kastriot Rexhepi, anëtar i Delegacionit.

Tema e kësaj video-konference ishte "Promovimi i mekanizmave të barazisë dhe solidaritetit në kuadër të kujdesit shëndetësor".

Në pjesën hyrëse të konferencës, fjalime përshëndetëse kishin: Tamara Vujoviq, shefe e Delegacionit të DP IEQ për Malin e Zi; Lubomir Miçunoviq, sekretar shtetëror në MPJ Mal të Zi dhe Zoran Jovanoviq, zëvendëssekretar i përgjithshëm i DP IEQ. Fjalime mbajtën edhe Jelena Boroviniq-Bojoviq, ministre e Shëndetësisë në Republikën e Malit të Zi, si dhe Rob Batler, përfaqësues i OBSH-së.

Theksi kryesor në fjalimet në këtë konferencë ishte vënë në sistemet e imunizimit dhe funksionimin e tyre në këtë periudhë të krizës së Kovidit, si dhe konstatimet për fshehjen dhe rënien e sistemit të solidaritetit në imunizim për shkak të mungesës së vaksinave dhe mbizotërimit të vendeve të pasura mbi të varfërit në shkallën e imunizimit.

Në kuadër të kësaj konference, shefja e Delegacionit të Maqedonisë në DP IEQ, Rashella Mizrahi mbajti fjalim. Ajo e theksoi rëndësinë e përvojës dhe njohurive të personalit mjekësor që mori pjesë në luftën kundër kësaj pandemie, e theksoi edhe rëndësinë e mundësisë së sigurimit shëndetësor falas në trajtimin e pandemisë. Shefja e Delegacionit të Maqedonisë iu referua dobësive dhe mosfunksionimit të sistemeve shëndetësore që i kemi parë gjatë kësaj krize dhe të cilat janë shkaku i shkallës së lartë të vdekshmërisë që kemi pasur në vendin tonë, dhe në këtë drejtim e theksoi rëndësinë dhe nevojën për shkëmbimin e njohurive dhe informatave nga vendet e BE-së në vendet jo-anëtare të BE-së, si segment shumë i rëndësishëm në trajtimin e kësaj pandemie.

Në fund të konferencës, Tamara Vujoviq - shefe e Delegacionit të DP IEQ të Malit të Zi mbajti fjalim përmbyllës dhe i përshëndeti të pranishmit, duke i falënderuar pjesëmarrësit për pjesëmarrjen e tyre dhe për informatat dhe këshillat e dobishme që i përcollën dhe shpreson se kushtet shëndetësore do të lejojnë që Asambleja Parlamentare e Vjeshtës e DP IEQ të mbahet në Herceg Novi, Mal të Zi.

Click