Aktivitetet

E enjte, 23 shtator 2021

Shënimi i 23 Shtatorit - Ditës Ndërkombëtare të Gjuhës së Shenjave

Sot në Kuvend u mbajt ngjarja edukative me rastin e shënimit të 23 Shtatorit - Ditës Ndërkombëtare të Gjuhës së Shenjave, me temë "Analiza e praktikave të parlamenteve në lidhje me komunitetin me aftësi të kufizuara". 

Fjalime hyrëse patën Cvetanka Ivanova, sekretare e përgjithshme e Kuvendit dhe Jovan Mitreski, kryesues i Grupit Parlamentar Ndërpartiak (GPNP) për të Drejtat e Personave me Aftësi të Kufizuara.

Në fjalën e saj, Ivanova dha pasqyrë të shkurtër ndër vite mbi atë që ka bërë Kuvendi për të promovuar të drejtat e këtyre personave. Kuvendi mbetet i përkushtuar që çështja e aftësisë së kufizuar të përfshihet në të gjitha proceset legjislative, si dhe të rrisë ndërgjegjësimin për të drejtat dhe nevojat e personave me aftësi të kufizuara në vendin tonë.

Gjuha e shenjave është gjuha natyrore e personave të shurdhër, identiteti i tyre gjuhësor dhe mjeti themelor i komunikimit. Të dhënat tregojnë se më shumë se 200 gjuhë të ndryshme shenjash të përdorura në botë janë gjuhë amtare e më shumë se 70 milionë personave të shurdhër në të gjithë botën.

Në fund të vitit 2017, Kombet e Bashkuara e shpallën 23 Shtatorin si ditë për të rritur ndërgjegjësimin për rëndësinë e gjuhës së shenjave si e drejtë e personave të shurdhër. Gjuha maqedonase e shenjave njihet si gjuhë dhe mjet i natyrshëm komunikimi për personat e shurdhër dhe është edhe një thesar tjetër kulturor dhe gjuhësor që meriton vëmendje.

Në vitin 2003, me iniciativën e Polio Plus - Lëvizja kundër Aftësisë së Kufizuar, në Kuvend u formua Grupi Parlamentar Ndërpartiak për të Drejtat e Personave me Aftësi të Kufizuara, i përbërë nga deputetët nga të gjitha partitë politike të përfaqësuara në Kuvend.

Deputeti Jovan Mitreski, si kryesues i këtij Grupi, theksoi se vizioni i tij është shoqëria në të cilën personat me aftësi të kufizuara do të marrin pjesë si qytetarë të barabartë.
Në këtë drejtim, organizatat e personave me aftësi të kufizuara, ekspertët me aftësi të kufizuara dhe Kuvendi, është e domosdoshme që të punojnë së bashku dhe t'i ndjekin parimet e Konventës për të Drejtat e Personave me Aftësi të Kufizuara.

Udhëheqësi i Institutit Parlamentar të Kuvendit, Zllatko Atanasov, informoi se kanë organizuar tryeza të rrumbullakëta dhe debate publike mbi temat në lidhje me të drejtat, përfshirjen dhe pjesëmarrjen politike të personave me aftësi të kufizuara. Gjithashtu, janë përgatitur postera edukativë në gjuhën e shenjave dhe janë botuar materiale edukative në Letrën e Brait dhe në formatin audio. Është e rëndësishme që të mos ketë barriera për qasjen fizike në Kuvend.

Polio Plus - Lëvizja Kundër Aftësisë së Kufizuar ka rolin e Komitetit Teknik GPNP dhe është lidhja thelbësore me organizatat e tjera të personave me aftësi të kufizuara, e cila është vigjilente dhe paralajmëron për mospërputhjet dhe mundësitë për të informuar publikun e gjerë për të filluar korrigjimin, përshtatjen, rregullimin e ligjeve që i miraton Kuvendi.

Elena Koçoska nga Polio Plus bëri prezantim me temë "Analiza e praktikave të parlamenteve në lidhje me komunitetin me aftësi të kufizuara", të përgatitur nga Polio Plus dhe Instituti Parlamentar.

Kjo analizë synon të japë pasqyrë krahasuese të praktikave të parlamenteve në disa vende në mënyrë që të kuptohet situata dhe praktikat që ekzistojnë në vendin tonë dhe në botë për zbatimin e disa prej dispozitave të Konventës nga parlamentet.

Pasqyra e situatës në ato parlamente shoqërohet me konkluzione dhe rekomandime që janë të rëndësishme për zbatimin efektiv të Konventës në Kuvendin tonë dhe Institutin Parlamentar. Zbatimi i rekomandimeve do të kontribuojë që Parlamenti të bëhet Dhomë Ligjvënëse gjithëpërfshirëse që do t'i përfaqësojë, prezantojë, promovojë, por edhe mbrojë të drejtat e të gjithë qytetarëve me dhe pa aftësi të kufizuara.

Click