Aktivitetet

E martë, 1 shtator 2020

TAKIM I KRYETARIT XHAFERI ME AMBASADORIN KINEZ XHANG XUO

Kryetari i Kuvendit të Republikës së Maqedonisë së Veriut Talat Xhaferi, sot realizoi takim me ambasadorin e Republikës Popullore të Kinës në Republikën e Maqedonisë së Veriut, Sh. T. Xhang Xuo.

Duke i uruar mirëseardhje në legjislaturën e dhjetë të dhomës ligjvënëse, Kryetari Xhaferi e informoi ambasadorin Xhang për konstituimin e Kuvendit dhe të Qeverisë së re, pas së cilës vijon zgjedhja e trupave punues, delegacioneve dhe grupeve të bashkëpunimit, përfshirë edhe me Parlamentin e Republikës Popullore të Kinës. Pandemia ka ndikimin e vet mbi vizitat e ndërsjella fizike dhe mbi komunikimet, por dhomat ligjvënëse kanë mundësi që në formën elektronike të kultivojnë bashkëpunimin e vendosur parlamentar, theksoi Xhaferi. Po ashtu, ai shprehu shpresë se me formimin e Qeverisë, projektet e filluara dhe të parashikuara bilaterale do të vazhdojnë edhe në të ardhme. 

Ambasadori Xhang shprehu falënderim për takimin e realizuar dhe e shfrytëzoi rastin t’i dorëzojë letër me urim për rizgjedhjen, të drejtuar prej z. Li Xhanshu, Kryetari i Kongresit Popullor Kinez. Duke drejtuar gjithashtu urime personale për rizgjedhjen, ambasadori theksoi se Kryetari Xhaferi është mik i dëshmuar i popullit kinez, me kontribut të veçantë në zhvillimin e marrëdhënieve ndërmjet dy shteteve. Ai po ashtu e përshëndeti mbështetjen e vazhdueshme nga ana e Republikës së Maqedonisë së Veriut të pozitave shtetërore të Republikës Popullore të Kinës.

 

Edhe krahas ndikimit të pandemisë në jetën e përditshme, bashkëpunimi ndërmjet shteteve doemos të vazhdojë si në sektorin shëndetësor ashtu edhe në sektorë tjerë me interes të ndërsjellë, si në transport, infrastrukturë dhe energjetikë, konstatoi Xhang. Tregu i madh kinez siguron mundësi të shkëlqyera të bashkëpunimit edhe në fusha tjera dhe për këtë qëllim, Ambasada e Republikës Popullore të Kinës në Republikën e Maqedonisë së Veriut bashkëpunon në mënyrë aktive me odat ekonomike dhe faktorët tjerë  për shfrytëzimin e këtyre potencialeve, përfundoi Xhang. 




Click