Aktivitetet

E premte, 4 mars 2022

Takim i Kryetarit Xhaferi me Glauk Konjufca Kryetar i Kuvendit të Republikës së Kosovës

Kryetari i Kuvendit të Republikës së Maqedonisë së Veriut, Talat Xhaferi, dhe delegacioni parlamentar i përbërë nga deputetët: Bejxhan Iljaz, Beti Stamenkoska Trajkoska dhe Izet Mexhiti, anëtarë të Grupit Parlamentar për Bashkëpunim me Parlamentin e Kosovës, sot dhe nesër qëndron për vizitë zyrtare në Republikën e Kosovës, me ftesë të Kryetarit të Kuvendit të Republikës së Kosovës, Glauk Konjufca. Gjatë vizitës zyrtare dyditore do të zhvillohen takime me kreun shtetëror të Kosovës.

Në takimin me nikoqirin Glauk Konjufca, Kryetar i Kuvendit të Republikës së Kosovës, Kryetari Xhaferi shprehu kënaqësinë për realizimin e vizitës zyrtare, si dhe për marrëdhëniet e shkëlqyera bilaterale dhe bashkëpunimin e suksesshëm ndërmjet Republikës së Maqedonisë së Veriut dhe Republikës së Kosovës, të cilat karakterizohen nga mbështetja dhe respektimi reciprok, dialogu i hapur dhe konstruktiv. Dëshmi për këtë, sipas Xhaferit, janë vizitat dhe takimet e shumta reciproke të përfaqësuesve të lartë të të dyja vendeve mike dhe mbajtja e mbledhjes së përbashkët të qeverive të Maqedonisë së Veriut dhe Kosovës në shtator të vitit të kaluar. Ai informoi se Kuvendi i Republikës së Maqedonisë së Veriut tashmë ka ratifikuar Marrëveshjen për bashkëpunim në turizëm ndërmjet Maqedonisë së Veriut dhe Kosovës, të nënshkruar në mbledhjen e përbashkët të qeverive.

Kryetari i Kuvendit të Republikës së Kosovës, Glauk Konjufca, vlerësoi se Kosova e ndjen Maqedoninë e Veriut si vend shumë të afërt dhe e nënvizoi rëndësinë e bashkëpunimit të suksesshëm bilateral, si dhe afërsinë, miqësinë dhe lidhjet familjare mes qytetarëve të të dyja vendeve. Ai falënderoi për mbështetjen parimore të Republikës së Maqedonisë së Veriut për aspiratat euroatlantike të Republikës së Kosovës dhe informoi për aktivitetet e realizuara nga Kuvendi në këtë plan. Ai e vlerësoi anëtarësimin e Maqedonisë së Veriut në NATO si jashtëzakonisht të rëndësishëm në situatën aktuale të sigurisë dhe theksoi se pa anëtarësimin e të gjitha vendeve të Ballkanit Perëndimor në BE dhe NATO ekziston rrezik potencial për sigurinë dhe hapësirën për destabilizimin e rajonit. 

Bashkëbiseduesit shkëmbyen mendime për mundësitë për avancimin e bashkëpunimit pozitiv dhe konstruktiv bilateral ndërmjet Kuvendit të Republikës së Maqedonisë së Veriut dhe Kuvendit të Republikës së Kosovës. U bisedua edhe për bashkëpunimin dhe mbështetjen e ndërsjellë brenda asambleve parlamentare ndërkombëtare dhe mbi të gjitha në kuadër të Asamblesë Parlamentare të Procesit të Bashkëpunimit të Evropës Juglindore, si forum i rëndësishëm për dialogun politik dhe diplomatik, në të cilin janë të përfshira të gjitha vendet në baza të barabarta të Evropës Juglindore. 

Kryetarët Xhaferi dhe Glauku biseduan për situatën aktuale të brendshme politike në të dyja vendet dhe shprehën përkushtim të qartë për vazhdimin e bashkëpunimit të ndërsjellë, me qëllim që niveli i lartë i marrëdhënieve të mira fqinjësore të shndërrohet në realizimin e angazhimeve për një të ardhme të përbashkët në Bashkimin Evropian dhe NATO. Në takim u diskutua edhe për nevojën e avancimit të mëtejshëm të bashkëpunimit ekonomik dhe lidhjes infrastrukturore ndërmjet Republikës së Maqedonisë së Veriut dhe Republikës së Kosovës.

U shkëmbyen mendime edhe për dialogun Beograd-Prishtinë, ku Kryetari Xhaferi e rikonfirmoi qëndrimin se Maqedonia e Veriut e mbështet dialogun që synon arritjen e marrëveshjes përfundimtare, të pranueshme reciprokisht, e cila do të garantojë paqen, stabilitetin, sigurinë dhe përparimin e të dyja vendeve dhe rajonit në tërësi.

Në lidhje me agresionin ushtarak të Rusisë kundër Ukrainës, kryetarët e të dyja kuvendeve e dënuan ashpër dhe pa rezerva këtë akt të pajustifikuar, të pamatur dhe të paprovokuar, i cili tashmë ka marrë shumë jetë njerëzish dhe është shkelje flagrante e së drejtës ndërkombëtare. Ata iu bashkuan thirrjeve për ndërprerje të menjëhershme të veprimeve ushtarake dhe zgjidhje paqësore përmes negociatave dhe dialogut. Maqedonia e Veriut dhe Kosova i mbështesin reagimet e vendeve demokratike dhe organizatave ndërkombëtare dhe i bashkohen pakos së masave kufizuese ndaj Federatës Ruse. 

Në fund të takimit, deputetët Bejxhan Iljaz, Beti Stamenkoska Trajkoska dhe Izet Mexhiti shprehën kënaqësinë për zhvillimin e marrëdhënieve bilaterale ndërmjet Republikës së Maqedonisë së Veriut dhe Republikës së Kosovës dhe u zotuan për thellimin e bashkëpunimit ndërmjet grupeve parlamentare të miqësisë në të dyja parlamentet, përmes vizitave të ndërsjella. 

 

Video:https://www.youtube.com/watch?v=GTkHeUVKGrI

Click